Kremlini i revoltuar nga intervista e rrjetit “Fox”
Kremlini kërkon që kanali televiziv “Fox News” të kërkojë ndjesë për komentin që gazetari Bill O’Reilly bëri për Presidentin rus Vladimir Putin gjatë një interviste me Presidentin amerikan Donald Trump.
Zoti O’Reilly e quajti zotin Putin “vrasës”, kur Presidenti Trump i tha se e respekton udhëheqësin rus.
Zëdhënësi i Presidentit Putin, Dmitry Peskov, u tha sot gazetarëve se i konsideronte këto fjalë të korrespondentit të ‘Fox News’ të papranueshme dhe ofenduese. “Sinqerisht, – tha ai – do të donim një ndjesë nga kjo kompani televizive kaq e respektuar”.
Kur zoti O’Reilly e pyeti Presidentin Trump për mizoritë e kryera nga zoti Putin në të kaluarën, dhe se si mundej ta respektonte atë duke patur parasysh këtë histori, Presidenti Trump tha se “ekzistojnë shumë vrasës. Ne kemi shumë të tillë. Mendoni se vendi ynë është aq i pafajshëm?”.
Komentet e zotit Trump shqetësuan disa anëtarë të Partisë së tij Republikane. Kreu i maxhorancës republikane në Senat, Mitch McConnell, tha se nuk mund të vihet shenja e barazimit ndërmjet SHBA-së dhe Putinit. Zoti McConnell e quajti zotin Putin, një ish-agjent të KGB-së dhe “një gangster”.
Agjensitë amerikane të zbulimit e kanë akuzuar Rusinë se ka ndërhyrë në kompjuterat e Partisë Demokrate, si pjesë e një fushate më të gjerë për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane.
Përpara se të merrte detyrën, zoti Trump ka ngritur vazhdimisht dyshime rreth konkluzioneve të agjensive të zbulimit. Këto kritika janë fashitur gradualisht. Megjithatë, Presidenti Trump ka vazhduar të thotë se është i hapur për marrëdhënie më të mira me Moskën.
Zoti Trump dhe zoti Putin patën kohët e fundit një bisedë telefonike, të cilën Shtëpia e Bardhë e përshkroi si një “fillim domethënës për përmirësimin e marrëdhënies ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë që ka nevojë për përmirësim”.
Në intervistën e kanalit “Fox News” u bë edhe një pyetje për thirrjet e Presidentit Trump mbi hetimin e manipulimeve zgjedhore gjatë zgjedhjeve presidenciale të nëntorit. Presidenti Trump ka bërë akuza të shumta se emigrantë pa dokumente votuan duke bërë të mundur që ai të humbiste votën popullore. Zoti Trump fitoi votat e Kolegjit Zgjedhor duke mundur rivalen demokrate Hillary Clinton, por humbi votën popullore me gati 3 milionë më pak.
Zoti Trump u shpreh se u vërejtën persona të paligjshëm që nuk janë shtetas dhe që nuk figurojnë në listat e votuesve. “Ka të paligjshëm, emra personash që kanë vdekur. Është një situatë vërtet e keqe,” tha ai.
Zyrtarët zgjedhorë që analizuan votimet e 8 nëntorit thonë se nuk pati pothuajse fare tregues për manipulim zgjedhor dhe sigurisht jo në nivelin që pretendon zoti Trump.