Albspirit

Media/News/Publishing

Manjani shpërthen me akuza ndaj Qeverisë, ja ç’thotë për Ramën dhe Metën

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka shpërthyer me akuza ndaj qeverisë Rama – Meta.

Manjani thotë se kjo qeveri “lufton varfërinë me burgosjen e të varfërve. Ai më tej thotë se qeveria shkel ligjet dhe dhunon Kushtetutën.

Postimi i Manjanit :

Përshëndetje,

Cilido që tek qëndrimet e mia të drejtpërdrejta sheh arsyen, shkakun apo alibinë e ndarjes së koalicionit të majtë, e ka GABIM!

Kam qenë, jam e do të jem mbështetës i të majtës së bashkuar. Nuk është faji i të majtëve që drejtohen keq!

Nuk mund të ndëshkohet e majta pse qeveria e tyre qeveris me koncension (teori e praktikë e djathtë kjo).

Nuk është faji i të majtëve pse qeveria varfërinë e lufton me burgosjen e të varfërve!

Nuk është fare faji i të majtëve që qeveria nuk i hap telefonin hallexhiut!

Nuk kanë asnjë kusur të majtët, kur qeveria shkel ligjet dhe dhunon Kushtetutën! Nuk e ka në edukatën e tij i majti antiligjin!

Nuk kanë faj të majtët që qeverisen me të njëjtat metoda si të djathtët! Dallojnë vetëm emrat.

Nuk është faji i të majtëve pse vendi kanabizohet. Nuk e bëjnë të majtët vendin Hashash! E bën thjesht qeveria e keqe që i shërben trafikut të paligjshëm.

Nuk është faji i të majtës pse demokracia po rrudhet, liria e shprehjes apo edhe e drejta e pronës shkelet! E majta shqiptare është zemra e demokracisë!

Më në fund, por jo për nga rëndësia, nuk kanë faj të majtët pse Edi Rama (themelues i Partisë Demokratike, në krye të PS) dhe Ilir Meta (themelues i Partisë Socialiste, por jo më ne PS) kanë pikpamje të ndryshme për drejtimin e shtetit! Të majtët gjithnjë kanë konkuruar dhe debatuar me njëri-tjetrin!

Jam që e majta të bashkohet edhe më shumë, sepse vetëm kështu do largohet e keqja prej nesh, prej qeverisë dhe prej shtetit tonë të përbashkët.

Vazhdoj ti uroj Koalicionit “shërim të shpejtë”!

Please follow and like us: