1945, kur opozita shqiptare kërkonte ndihmën e misioneve anglo-amerikane
Kastriot Dervishi
Teksti i notës dhe programit të opozitës sipas dëshmisë së Musine Kokalarit
Më 19. 11. 1945 përfaqësuesit e grupit të rezistencës që kryesohej nga Sami Qeribashi, grupit monarkist që kryesohej nga Qenan Dibra dhe grupit socialdemokrat që kryesohej nga Musine Kokalari, i drejtuan misioneve anglo-amerikane një notë dhe programin e opozitës. Nota u përpilua prej Musine Kokalarit, Qenan Dibrës, Shaban Ballës dhe Sami Qeribashit.
Sipas dëshmisë së Musine Kokalarit në hetuesinë e zhvilluar ndaj saj më 30.3.1946, përmbajtja e tyre ishte kjo:
Nota kërkonte:
1-Shtyrjen e zgjedhjeve
2-Liri shtypi dhe propagandë
3-Mbikëqyrjen e zgjedhjeve nga aleatët. Mohoj të kemi kërkuar ndërhyrjen anglo-amerikane në bazë të parimeve të shpallura nga burra shteti aleat. Nuk është e vërtetë që në notë të jenë përmendur premtimet e qeverisë që i janë bërë popullit e nuk janë mbajtur, pasi qeveria ka dhënë një afat të shkurtër për zgjedhje.
4-Nuk mjafton ardhja e korrespondentëve të huaj për zgjedhje, por duhet kontroll aleat. Për të gjitha këto kërkohej shtyrja e zgjedhjeve.
Në notë shkohej se i bashkëlidhej edhe programi me titull “program aktual i përbashkët”.
Programi:
1-Miqësi me shtetet demokratike dhe sidomos me shtetet fqinjë.
2-Zgjedhja e problemit të Kosovës me anë të një plebishiti ose sipas konferencës së paqes.
3-Respektimi i të drejtave të pakicave.
4-Qeveri demokratike dhe respektim i të drejtave të njeriut.
5-Zbatim të reformave shoqërore në bazë të traditave.
6-Luftë ndaj çdo elementi fashist e profashist.
7-Të njihej neutraliteti i Shqipërisë nga fuqitë e mëdha.
8-Të mbahej një fuqi e armatosur sa për të siguruar qetësinë e brendshme.
Nota dhe programi iu dërguan misioneve anglo-amerikane nga Qenan Dibra, Shaban Balla, Sami Qeribashit, Xhahit Koka, të cilët shkuan atje me makinën e Shabanit.