Albspirit

Media/News/Publishing

Bujar Asqeriu: Artistin e kanë kthyer në rrogëtar, në Shqipëri po shkëlqen imitacioni, jam kundër rrafshimit të Teatrit Kombëtar…

 

Spektakli “Vërtitu kokë e prerë” ka rikthyer në skenën e teatrit aktorin e njohur Bujar Asqeriu. Kjo vepër shkruar nga Petrit Ruka vjen me regji nga Naun Shundi, i cili ka dramatizuar baladën dedikuar Ali Pashë Tepelenës. Rikthimi i kokës së Pashait të Janinës është thelbi i gjithë performancës. Për aktorin Bujar Asqeriu për publikun vjen një spektakël i veçantë dhe me vlera për publikun, larg imitacioneve që shikohet sot në disa televizione. Në intervistën dhënë për gazetën, aktori Asqeriu një nga emrat aktivë të skenës, vlerëson jo pak dhe mesazhin që përcjell balada në skenë. Ndërsa këto ditë në skenë aktori Bujar Asqeriu vjen me spektaklin “Vërtitu kokë e prerë”, jetën artistike ai e shikon me probleme. Për aktorin kur flitet për Teatrin Kombëtar godina kërkon një ndërhyrje urgjente, ndërsa shteti duhet të mendojë dhe për një teatër të ri. I vlerësuar në kinematografinë shqiptare dhe në skenën e teatrit, aktori Bujar Asqeriu pohon se duhet më shumë investim në jetën artistike, dhe sipas tij duhet të rikthehet shpërblimi artistik për artistin.
Në skenën në muajin e parë të viti jeni para publikut me spektaklin “Vërtitu kokë e prerë” kushtuar figurës së Ali pashë Tepelenës. Sipas jush ku qëndron rëndësia e këtij spektakli, e veçanta që sjell për publikun?
Para më shumë se 10 viteve unë u njoha me krijimin poetik “Vërtitu kokë e prerë” të autorit Petrit Ruka, i cili më dha librin me këtë baladë, dhe unë u befasova. Në këtë baladë, i gjalli shkon tek të vdekurit dhe i ngre nga varri. Kjo më pëlqeu, dhe në mënyrë virtuale ky peng i madh që ndihet në historinë e Shqipërisë për figurën e Ali Pashë Tepelenës, që dhe sot trupi është më vete dhe koka më vete, trupi në Janinë dhe koka në Stamboll, është sa historike, intriguese, e fuqishme dhe emocionale. Ali Pasha është një nga figurat e rëndësishme të historisë sonë, pas Skënderbeut. Ky shqiptar, i cili bërë shumë histori dhe ishte pararendës i historisë së Pavarësisë së Shqipërisë, sepse i tregoi Stambollit që shqiptarët mund të bëjnë shtet më vete, vetëm për këtë duhet bërë vlerësimi i tij. Kur unë kisha në duar baladën i them Petrit Rukës do të shkojmë ta inçizojmë në radio. Tentativa e parë ishte në Radio “Tirana”. Regjisor ishte Xhelil Aliu, dhe vura re që Petriti mbeti pa frymë kur u inçizua. Xhelil Aliu, të cilën e falenderoj shumë, si një mjeshtër i radiofonisë shqiptare nëpër vargje bënte pauza dhe e kombinoi me muzikë. Bëri diçka shumë të bukur me muzikën e filmit “Liri a vdekje” të kompozitorit Kujtim Laro, dhe kur u dha në radio me sa kujtoj ka qenë viti 2002 apo 2003 balada u pëlqye shumë. Tashmë kjo vepër vjen në skenë me regjisorin Naun Shundi. Bashkë kemi ndërtuar një spektakël për skenën. Është një spektakël që e mban gjallë polifonia, morëm vajtimin me vargje, dhe futëm dhe baletin modern. Një ndërthurje të ekranit të kinemasë, polifonisë, baletit dhe të aktrimit. Kjo ndërthurje nuk qe e lehtë të serviret para publikut, por u bë një punë e madhe dhe u përcoll mendimi i baladës së Petrit Rukës. Në skenë vij si një mësues fshati, të cilit në një moment i del nga toka Ali Pasha dhe i thotë: mua do më lini pa kokë? Kështu fillon biseda.
Jeni shprehur se vjen një spektakël i veçantë në skenë, dhe nuk duhet të kemi më kopjime nga televizionet e huaja?
Mua më pëlqejnë idetë origjinale në art dhe respektoj krijimin artistik, por të jetë e derdhur prej shpirtit origjinal, të jetë e pakopjuar. Sigurisht që artisti nuk mund të jetë i shkëputur nga imitacione të krijimtarisë së pafundme që vijnë dhe nga bota, por kjo duhet të kalojë nëpërmjet laboratorit dhe artisti duhet të spikasë me diçka origjinale, që derdhet në mënyrë të sinqertë. Sot kemi në televizionet tona spektakle që janë kopje. Më vjen keq që në Shqipëri në art po shkëlqen jo pak imitacioni. Çfarë bën bota bëjmë dhe ne, dhe shkëlqen imitacioni. Kjo është e dëmshme. Mjaft më me kopje në televizionet e huaja, duhet të kemi idetë tona origjinale në spektakël. Imitacioni artistit në mënyrë ledhatuese mund ti marrë frymën origjinale. Ndaj spektakli “Vërtitu kokë e prerë” kushtuar Ali Pashë Tepelenës është origjinal. Askush nuk e ka menduar që në polifoni kërcehet balet modern.
Me aktivitetin tuaj artistik jeni nga një nga emrat e vlerësuar të skenës së Teatrit Kombëtar. Prej kohësh është pohuar gjendja problematika e godinës. Për ju sa shqetësuese është?
Godina e teatrit ka probleme. Kur po jepnim shfaqjen “Liri në Bremen” ne shikonim, që një krah i saj është batuar dhe ndërhyrja në godinë duhet të jetë urgjente. Këtë unë ia kërkoj Ministrisë së Kulturës, e cila duhet t’i drejtohet qeverisë. Vërtetë godinën e TK e shikojnë si një leckë të vjetër dhe disa thonë mund ta rrafshojmë dhe të ndërtojmë një tjetër të re, por ky teatër duke dëgjuar dhe arkitekten italiane, që foli me shumë konsideratë për arkitektin që e ka ndërtuar, duhet të rikonstruktohet. Nga kërkesat e arkitektit ndërtues nuk është respektuar asnjë normë mirëmbajtje, ndaj dhe është katandisur kështu teatri, por për mua ky teatër përveç vlerës arkitektonike ka dhe historinë e tij artistike, ku kanë parakaluar mjeshtrat e aktrimit shqiptar. Në teatër ndër vite janë bllokuar dhe dhomat e ajrimit, dhe në këtë drejtim duhet të kemi më respekt për atë që e ka ndërtuar. Për mua të ruhet godina dhe të rikonstruktohet urgjentisht. Pastaj shteti duhet të ndërtojë dhe një teatër tjetër, që i takon shekullit të 21, dhe të jetë emblemë kombëtare, të jetë me dimensione të reja dhe me kërkesat që ka arkitektura e sotme.
Të gjithë flasin për ndërhyrje urgjente në godinën e teatrit nga Ministria e Kulturës, por dhe buxheti i projekteve artistike ka qenë një nga problemet e teatrit?
Buxheti i teatrit është qesharak. Nëse nuk duam që të vazhdojmë dhe të ndërtojmë burgje, duhet që investimet ti hedhim në kulturë dhe arsim. I madhi Hygo i tha parlamentit francez: sa më shumë të shpenzojmë për kulturën dhe arsimin, aq më pak nevojë do të kemi për policë.
Po filmi, sipas jush sa i shërben buxheti sot?
Buxheti qesharak është dhe për prodhimin e filmit. Kur publiku ka etje për filmin shqiptar, nuk ka shumë mundësi prodhimi. Kur publiku shikon një film shqiptar të bukur bëhet me krahë dhe po të krahasosh shifrat tona me shifrat e shteteve të tjera në kinema por dhe në teatro, ne jemi qesharakë. Sot artistin e kanë kthyer në rrogëtar, dhe nuk ka më as shpërblim për figurën artistike në teatër. Ne paguhemi si nëpunës dhe jo më kush e bëri rolin më të bukur. Shpërblimi artistik është hequr prej një viti dhe duhet të rikthehet.
Ju kërkoni rikthimin e shpërblimit artistik, si ndikon kjo në jetën artistike?
Shpërblimi artistik për aktorin është një stimul i jashtëzakonshëm. Nëse një aktor luan më bukur se një tjetër duhet të paguhet më mirë. Ai që luan më bukur konsumon energji më tepër, dhe nuk mund të ketë barazi. S’e kuptoj këtë barazi për artistët? Ai që luan më bukur në skenë duhet të paguhet më mirë. Shpërblimi artistik quhej pagesë e cilësisë artistike, por ju thashë që duhet të rikthehet për artistët, të cilët marrin vetëm rrogën dhe nuk kanë më këtë shpërblim. Në art nuk ka barazi.
Sa është problem për ju mospasja e një statusi për artistët sot?
Një tjetër problem për artistët. Është domosdoshmëri urgjente, për të përpiluar një status për artistin. Statusi i artistit duhet të pretendojë për tu dhënë disa të drejta dhe detyra artistëve shqiptarë, të kenë personalitet, dinjitet, dhe duke i pasur këto influenca dhe angazhimi i tij në publik është shumë herë më i madh. E gjithë administrata shtetërore nuk duhet të harrojë, që artist nuk bëhet kushdo, dhe ata e dinë mirë këtë. Prandaj po ju them që në çdo vend të botës, bota e vlerëson artistin sepse ai ka dhunti.
Me këto probleme që ju përmendët, sa vlerësohet artisti?
Problemi qëndron në faktin se me një vend ekonomikisht të varfër do kesh dhe art të varfër. Ne kemi art të varfër, sepse kemi ekonomi të tillë, fuqizimi i ekonomisë do të fuqizojë artin, por nuk duhet harruar investimi në drejtim të artit.
Karriera juaj artistike spikat dhe në fushën e kinematografisë, por gjatë këtyre viteve keni qenë më i tërhequr në kinema dhe me angazhime të shumta në teatër?
Unë respektoj me rigorozitet planet e teatrit, ku unë jam punonjës. Në momentet që unë nuk kam angazhim mundohem të plotësoj jetën artistike me aktivitet tjetër artistik, por detyra ime parësore është ti përgjigjem Teatrit Kombëtar ku unë jam punonjës. E kam thënë dhe më parë, çfarëdo lloj roli të më japin do të jem në skenë.
Me spektaklin “Vërtitu kokë e prerë” këto ditë jeni në skenë para publikut. Si do të vijojë më tej jeta juaj artistike?
Ky spektakël po vijon në skenën e Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” dhe e falenderoj drejtuesin e tij për ndihmën dhe mbështetjen. Në muajin shkurt do të jem sërish në skenë me shfaqjen “Liri në Bremen”, dhe ne si aktorë na ka ndihmuar shumë kalendari artistik që është përgatitur nga Teatri Kombëtar. Hartimi i kalendarit është gjë shumë e bukur dhe duhet vlerësuar drejtori Hervin Çuli. Në krye të teatrit Çuli ka bërë shumë gjëra të mira. Më vjen mirë që dhe ne kemi një kalendar siç e ka bota. Tashmë drejtori Çuli duhet vetëm të luftojë pak dhe për pagesat dhe vlerësimin e artistëve. Me dëshirën dhe pasionin që ka Hervin Çuli për teatrin, them që do të zgjidhë problemet që janë dhe me të ardhurat nga biletat, apo stimulimi për aktorët.  Intervistoi: Julia Vrapi/Sot
Please follow and like us: