Albspirit

Media/News/Publishing

Violeta Shqalsi: Financat vendore “gropa e zezë” e buxhetit

Referuar të dhënave të treguesve fiskalë të Ministrisë së Financave, rezulton se për 7-mujorin të ardhurat nga taksat e pushtetit vendor janë realizuar në masën 9.1 miliardë lekë, ndërkohë, që ishin parashikuar 10.3 miliardë lekë.Bashkia tashmë është ajo njësi e qeverisjes vendore ku duhet të “falen” si qytetari edhe fshatari.  Kjo pasi Shqipëria ka riorganizuar strukturat e saj të qeverisjes vendore, duke krijuar 61 bashki pas bashkimit të 373 komunave të vogla. Synimi kryesor ishte  të decentralizohej pushteti dhe të rritej llogaridhënia. Problemi është se riorganizimi ndodhi përpara se të kalohej legjislacioni që do të rregullonte pushtetin e kryebashkiakëve të rinj dhe përgjegjësitë e tyre. Kështu 61 bashkiakë morën detyrën për mandat 4-vjeçar, në mesin e vitit të kaluar,  në korrik pas zgjedhjeve të qershorit, por Ligji për Organizimin dhe Funksionimin e Pushtetit Vendor  hyri  në fuqi në janar të këtij vitit. Ligji i ri jep formalisht përgjegjësitë për disa shërbime publike bazë, përfshirë emërimet për zjarrin dhe shpëtimin, shkollat, kopshtet dhe shëndetin, mirëmbajtjen e rrugëve dhe drenimin, si dhe menaxhimin e tokës bujqësore. Por, a po funksionojnë si duhet këto njësi të reja  vendore? Ligji i ri për qeverisjen vendore pritej të rriste funksionet dhe kompetencat e  njësive   dhe të  drejtuesve të tyre. Por edhe në aspektin ekonomik, njësitë e reja vendore do të përfitojnë grante në qeveria mbi bazën e një formule të re, por edhe kompetenca te reja. Po ashtu, ligji sjell edhe një sërë risish si heqjen e pagesës për këshilltarët bashkiakë të cilët  kontributin e tyre e japin tashmë  pa përfituar pagë dhe kufizimin në 3 mandate për krerët e njësive vendore.

Të ardhurat e vendorëve , “gropa e buxhetit”

Në një kohë kur  mes biznesit dhe administratës vendore ka nisur një debat i ashpër  për  rritjen e tarifave, mosrealizimi i të ardhurave nga pushteti vendor vazhdoi edhe gjatë gjithë këtij viti. Referuar të dhënave të treguesve fiskalë të Ministrisë së Financave, rezulton se gjatë kësaj periudhe të ardhurat janë realizuar në masën 9.1 miliardë lekë, ndërkohë, që ishin parashikuar 10.3 miliardë lekë. Aktualisht, taksat e pushtetit vendor, të ardhurat e të cilave shkojnë në buxhetin e shtetit, janë ato mbi pasurinë, tatimi mbi biznesin e vogël dhe taksa lokale. Por, referuar të dhënave, dy janë analizat që mund të bëhen, ose parashikimi është më i lartë se kapaciteti, ose pushtetarët vendorë  nuk kanë  patur performancën e duhur . Por në gjithë këto vite njësitë e qeverisjes vendore nuk kanë administruar  në mënyrë efikase, çka është reflektuar  në treguesit e të ardhurave. Ecuria e dobët e mbledhjes së të ardhurave nga pushteti vendor gjatë gjithë viteve të fundit, ka ardhur si rrjedhojë jo vetëm e një manaxhimi jo të mirë, por dhe nga niveli i ulët i kapaciteteve njerëzore që kanë shumë nga këto njësi. Reforma për ndarjen e re administrative të vendit, që tashmë ka hyrë në fuqi në pjesën e dytë të vitit të kaluar, pritej të sillte ndryshime edhe në buxhetet e planifikuara të njësive vendore. Ndërkohë për të rritur të ardhurat nga taksat sidomos ajo e pronës  Bashkia e Tiranës ka propozuar që mbledhja e saj të bëhet nëpërmjet faturës së ujit, çka do ta bënte më të lehtë nga ana administrative. Por, prej muajsh tashmë bashkia e kryeqytetit është në “konflikt” me tregtarët  dhe bizneset pasi  sipas tyre janë rritur tarifa të ndryshme si ajo e tabelës apo e zënies së hapësirave publike.

Taksa e pasurisë, buxhetit i mungojnë 254 mln lekë

Një ndër kërkesat e biznesit për paketën e re fiskale të vitit të ardhshëm është edhe lehtësimi fiskal nga taksa vendore e pasurisë. Aktualisht kjo taksë është, sipas sipërmarrjes, shumë e lartë 400 lekë/m2, sidomos për fasonët dhe hotelet. Por, taksimi mbi pasuritë rezulton me evazion të lartë fiskal edhe për shkak të informalitetit që shoqëron sektorin. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, të ardhurat nga taksa e pasurisë mblidhen nga pushteti vendor dhe nuk kanë qenë  në masën e planifikuar. Kështu për 7-mujorin e parë të vitit janë mbedhur në buxhetin e shtetit  nga kjo taksë vetëm 3.1 miliardë lekë ose 254 milionë lekë më pak se planifikimi. Por, a është mbledhur deri tani taksa e pasurisë nga pushteti vendor, dhe a ka kapacitete për ta mbledhur atë? Referuar viteve të mëparshme konstatojmë se taksa e ndërtesës, akoma nuk është përvetësuar  nga “kultura fiskale” e pjesës më të madhe të  qytetarëve shqiptarë. Edhe pse ndërtimi mori një hov të madh zhvillimi pas viteve ’90, shumica e tyre janë ndërtuar pa leje, çka do të thotë se nuk janë të regjistruara dhe si pasojë nuk mund të paguajnë një taksë të tillë. Janë ndërmarrë një sërë politikash dhe ngritur institucione, që nuk kanë dhënë efektin e pritshëm në gjithë këto vite, duke sjellë dhe “mungesën” e fondeve nga taksa të tilla në buxhetin e shtetit. Ndërkohë, për të rritur nivelin e të ardhurave në buxhetin e shtetit nga taksa e ndërtesës është hedhur ideja që në faturën e energjisë apo ujit të konsumatorëve, mund t’u bashkangjiten si detyrim për t’u paguar edhe taksa për banesat. Pavarësisht debateve dhe qëndrimeve të ndryshme, në këtë pikë kampet politike janë bashkuar, rreth nevojës së mbledhjes së kësaj takse, si një burim i pashfrytëzuar në 23 vitet e fundit. Por duke patur parasysh mosmbledhjen e kësaj takse, në një kohë kur ndërtimi  gjatë viteve të fundit ka qënë dhe sektori më i zhvilluar, lë shumë hije dyshimi që evazioni në këtë pikë është i madh. Taksimi mbi pasuritë rezulton me evazion të lartë fiskal edhe për shkak të informalitetit që shoqëron sektorin. Por a është mbledhur deri tani taksa e pasurisë nga pushteti vendor, dhe a ka kapacitete për ta mbledhur atë? Në janar të vitit 2015 Ministria e Ekonomisë u kërkoi të gjitha ministrive dhe enteve publike të propozonin zhvillimin e shërbimeve dhe investimeve kapitale nëpërmjet formës koncensionare me Partneritet Publik Privat. Ndërkohë  mësohet se Ministria e Financave në atë kohë ka propozuar  partneritetin publik privat për administrimin e taksës së pronës. Por sipas këtij dikasteri kësaj do t’i shërbente edhe krijimi i bazës për informatizimin e taksave të reja të pronës që merr në konsideratë krijimin e një kadastre fiskale. Kjo do të përmbajë të gjitha të dhënave ekzistuese mbi truallin, ndërtesat dhe pronarët/ banorët, dhe për të llogaritur detyrimin tatimor vjetor të shoqëruar me secilën pronë.

10 bashki rezultonin të listuara në listën e tatimpaguesve të këqij nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, për detyrime të grumbulluara nga mospagesa e kontributeve për punonjësit dhe të tjerave të krijuara nga ndërmarrjet në varësi të këtyre njësive.“Kanceri” i bashkive, detyrimet e prapambetura

Ndarja e re territoriale ka nxjerrë në pah dhe mjaft probleme të trashëguara për njësitë e qeverisjes vendore. Mjaft kontrata të lidhura vite më parë për punë dhe shërbime publike janë të papaguara kundrejt  sipërmarrjes private. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, aktualisht borxhi që njësitë e qeverisjes vendore kanë, kap vlerën e rreth 90 milionë dollarëve, ku pjesën më të madhe prej rreth 40 milionë dollarë e ka trashëguar Bashkia e Tiranës. Por, sipas drejtuesve të financave, detyrimet e prapambetura të pushtetit vendor nuk do të përfshihen në stokun e borxhit publik dhe nuk do të jepet asnjë qindarkë  nga buxheti qëndror i qeverisë për t’i shlyer ato. Llogariten në 9.5 miliardë lekë borxhet që pushteti vendor ka krijuar në 25 vitet e fundit. Konsulentit financiar Grant Thornton i kontraktuar nga qeveria shqiptare vitin e kaluar për të audituar financat e vendorëve në Shqipëri ka përfunduar tashmë raportin. Burime zyrtare nga Ministria e Pushtetit Vendor bëjnë të ditur se janë kontrolluar 61 bashkitë dhe komunat, që kanë qenë përpara ndarjes së re territoriale-administrative. Nga auditi i financave të tyre kanë rezultuar borxhe në vlerën e 9.5 miliardë lekëve, të krijuara që prej 31 dhjetorit të vitit 1991 deri më 31 dhjetor të vitit 2015. Bëhet fjalë për detyrime të papaguara në vite të energjisë elektrike, ujit të pijshëm, taksave etj. Burimet e mësipërme shpjegojnë se ky borxh duke qenë se është i vendorëve iu transferohet 12 bashkive të reja, të krijuara me ndarjen e re territoriale. Ato do të hartojnë planet e shlyerjes së këtyre borxheve, në të cilat do të përcaktojnë edhe afatet për pagesën e detyrimeve, në bazë të llojit të tyre. Alarmi për gjendjen e vështirë financiare të një pjese të pushtetit vendor  fillimisht u dha nga tatimet në fund të vitit 2015. 10 bashki rezultonin të listuara në listën e tatimpaguesve të këqij nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, për detyrime të grumbulluara nga mospagesa e kontributeve për punonjësit dhe të tjerave të krijuara nga ndërmarrjet në varësi të këtyre njësive.

Transferta e pakushtëzuar, bashkia e Tiranës merr “pjesën e luanit”

 

Bashkia Tiranë ka marrë pjesën më të madhe të transfertës së pakushtëzuar me rreth 13.44% të totalit. Pas saj vijnë bashkitë Durrës me 5.03%, Shkodër me 4.31%, Elbasan me 4.3%, Vlorë me 3.37% dhe Kamzë me 3.29%.Në një kohë kur duhet të rrisin të ardhurat në buxhetet e tyre, por edhe mirëmenaxhimin e fondeve buxhetore, një  pjesë e mirë “parash” njesive të qeverisjes vendore iu akordohet nga buxheti i shtetit, nëpërmjet zërit “Transferta e pakushtëzuar”. Fondet e parashikuar për  vitin 2016  në zërin “transferta  e pakushtezuar” janë rreth 11.8 miliardë lekë. Sipas një studimi të bërë, Bashkia Tiranë ka marrë pjesën më të madhe të transfertës së pakushtëzuar me rreth 13.44% të totalit. Pas saj vijnë bashkitë Durrës me 5.03%, Shkodër me 4.31%, Elbasan me 4.3%, Vlorë me 3.37% dhe Kamzë me 3.29%. Të gjitha bashkitë e tjera kanë marrë nën 3% të totalit të transfertës së pakushtëzuar. Bashkia Libohovë është bashkia me nivelin më të ulët të transfertës së pakushtëzuar, me vetëm 0.31%  të  totalit. Transferta e pakushtëzuar ka si qëllim t’u plotësojë njësive të qeverisjes vendore diferencën mes nevojave për shpenzime dhe të ardhurave që ato krijojnë. Për vitin 2016, transferta e pakushtëzuar është 11.8 mld lekë, ku 96.3% i takon bashkive dhe 3.7% qarqeve. Po ashtu, buxheti i miratuar për vitin 2016 parashikon një fond rezervë prej 0.1 miliard lekësh, një fond për konviktet dhe qëndrat e shërbimit social prej 0.57 mld lekësh dhe një fond për rrugët rurale prej 0.5 mld lekësh. Sipas ministrisë së Financave, formula e ndarjes së transfertës së pakushtëzuar bazohet në tre elementë të njësisë së qeverisjes vendore,  numri i popullsisë, dendësia e popullsisë dhe numri i nxënësve në shkollat publike 9-vjeçare dhe të mesme në territorin e asaj bashkie.

Shpërdorimi i fondeve publike, bashkitë 150 prokurime të drejtpërdrejta

Mospërdorimi me efikasitet dhe keqmenaxhimi i  fondeve publike janë shpesh objekt debatesh mes forcave politike, por edhe në qendër të kritikave të institucioneve ndërkombëtare. Edhe pse vitet e fundit ka patur nje tendencë që të gjitha fondet publike të kalojnë nëpërmjet  prokurimeve transparente online,  mjaft prej  institucioneve publike vazhdojnë të kryejnë dhe lidhin kontrata të drejtpërdrejta me operatorë ekonomikë për  punë dhe shërbime publike. Sipas një studimi  mbi numrin e procedurave dhe fondin limit për prokurime publike të llojit negocime të drejtpërdrejta, të shpallura dhe të realizuara nga 61 njësi të qeverisjes vendore, bashki, pas ndarjes së re administrative-territoriale. Sipas këtij studimi, rezulton se  në  total në  periudhë kohore korrik 2015-prill 2016, të jenë finalizuar 150  kontrata publike përmes negocimit të drejtpërdrejtë. Fondi për këto kontrata publike finalizuar me negocim të drejtpërdrejtë është 585.83 milionë lekë. Negocimet e drejtpërdrejta janë procedura prokurimesh publike përmes të cilave autoriteti kontraktor i përzgjedh vetë operatorët ekonomikë dhe negocion kushtet e kontratës me një ose më shumë prej tyre. Vendimi për të aplikuar këtë procedurë duhet të jetë i bazuar dhe argumentuar me kushte që detyrojnë autoritetin të veprojë në mënyrë të tillë. Negocimet e drejtpërdrejta duke qenë prokurime pa garë mbartin riskun e ekspozimit të lartë ndaj shpërdorimit të fondit. Bashkitë Tiranë, Elbasan, Kamza, Vau i Dejës, Rrogozhina, Korça, dhe Lezha janë bashkitë me më shumë raste dhe vlera të proceduara me negocime të drejtpërdrejta. Negocime të drejtpërdrejta do të konsiderohen edhe shtesat e kontratave, ku autoritetet prokuruese realizojnë të tilla sa herë që përforcojnë në shkelje afatesh për të tenderuar blerje në kohën e duhur, sikurse në vlerësime për punime dhe shërbime shtesë. Vetëm 37 nga 61 bashki kanë aplikuar procedura të negocimit të drejtpërdrejtë. Negocime të drejtpërdrejta me vlerë mbi 5 milionë lekë të reja kanë realizuar bashkitë Elbasan, Tiranë, Maliq, Konispol, Vau i Dejës, Rrogozhina dhe Kamza.

Please follow and like us: