Ilda Bejleri komenton koleget e sportit: Nuk janë modeli im i gazetarisë…
Të flasësh për koleget dhe për rivalitetin në ekran nuk është gjithmonë e thjeshtë. Por është bërë e zakonshme që shumë gazetare të njohura, të cilat e kanë krijuar profilin e tyre prej vitesh në ekran, të ndiejnë edhe presionin e konkurrencës, pavarësisht sa i dukshëm është në publik ky i fundit.
Ilda Bejleri, tashmë prej 10-vjetësh në gazetarinë sportive, natyrisht ka ndjekur më herët modelet e gazetareve të njohura ndërkombëtare që në gazetarinë sportive kanë krijuar një standard të ri. Por ka ndjekur dhe ndjek vazhdimisht edhe koleget në Shqipëri, të cilat njëlloj si ajo, e kanë gjetur veten në gazetarinë sportive.
E pyetur nëse e ndien konkurrencën në gazetarinë sportive, Ilda tregon për “Rudina” se tashmë ka fituar pjekuri profesionale dhe nuk e ka të vështirë të vihet përballë debatave të sportit, sepse e ka treguar që nuk i mungon analiza dhe mendimi objektiv për sportin. Por, pa dyshim ka rreth vetes edhe kolege, të cilat i kategorizon në një profil tjetër.
Përballë tri kolegeve të njohura, Ilda nuk e ka pasur të vështirë të përshkruajë punën dhe ambicien e tyre. Vilma Masha, Enkeleida Zeko dhe Hygerta Sako. Si janë ato sipas optikës së Ildës?
Vilma Masha: Vilmën e kam mikeshë shumë të mirë. Kemi qenë në shumë udhëtime bashkë. Është një gazetare që ka ambicie për të ecur shumë, sepse vjen nga fusha e artit, ndaj e di se çfarë do të bëjë në jetë.
Enkeleida Zeko: Nuk e njoh personalisht, por duke e ndjekur nga larg, mund të them se është një gazetare që ka bërë diferencën, madje është një gazetare që duhet marrë model. Nuk është modeli im i gazetarisë, por natyrisht e respektoj shumë punën e saj.
Hygerta Sako: Edhe Hygerta ka kohë që dëshiron të jetë pjesë e sportit. Është gati njëlloj si edhe Enkeleida. Siç e thashë, nuk janë modeli im i gazetarisë, që do të thotë nuk kanë diçka që më bën mua t’i kopjoj. Ka disa njerëz që kanë mbetur në modelin e vjetër të gazetarisë dhe nuk synojnë të krijojnë gjëra të reja… Unë këtë gjë nuk e kam parë te gazetaret e sipërpërmendura. Edhe pse, siç e thashë, nuk kam arritur t’i njoh nga afër.
Si është modeli i një gazetareja sportive, Ilda, natyrisht e përshkruan me mënyrën e saj: “Një nga ato gjërat që vjeljnë është të arrish të thuash atë që mendon, por nëse arrin të dalësh edhe kundër rrymës, është një hap shumë i madh për gazetarinë në përgjithësi dhe jo vetëm për sportin”. /revistaclass