Albspirit

Media/News/Publishing

Kadri Roshi: E nisa si pastrues banjosh, vitet e mundimshme drejt aktrimit

“Eh, rini, rini e shkretë”. Lipsej një rini e përvuajtur, që të përvëlon shpirtin, për të lindur një legjendë teatri… Edhe të mendosh që kështu ndodhi, por ajo dinake nuk arriti të depërtojë në shpirtin e bardhë, si fëmija te aktori i madh. “Nuk besoj të ketë ndonjë të ri që ka vuajtur aq shumë si unë”, këto fjalë dëgjojmë për herë të parë, në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta të aktorit të mirënjohur, Kadri Roshi (1924-217). Dhe teksa i  ndjeri aktor legjendarë, përgatit së bashku me Petrit Rukën filmin dokumentarë për jetën e tij, nis të rrëfejë për origjinën e prindërve libohovitë, për nënën edhe babanë. Por, nuk harron as atë, atë të cilit i janë thurur aq vargje, Avni Rustemin, të cilat ai kthen në këngë labe, bashkë me ata pak fëmijë, që kanë mbetur në vend. Më tej, vështirësitë ekonomike bënë që prindërit e tij të shkonin në Ballësh, në vendin ku u mbrujt dhe trashëgoi virtytet më të mira të asaj krahine.

“Unë edhe kur flas, flas mallakastërioçe”, tregon Roshi. Regjisori Ruka kishte zgjedhur që personazh të vetëm në këtë dokumentar, të kishte vetëm atë, i cili gjatë një ore do të tregonte me imtësi çdo detaj të jetës së tij. Edhe pse mbi shpinë mbante shumë vite, nuk e kishte harruar asnjëherë jetën e vështirë, që kishte kaluar në fëmijëri. Nëna e kishte lënë dy vjeç, ndërsa babai në moshën 12-vjeçare. Plaku i thinjur, përshkruante me detaje, natën e ftohtë, që u largua nga Ballshi për në Kavajë tek motra.

Punët e tij të para, si punëtor krahu 13 orë në ditë, që nga shkarkimi i dërrasave dhe shkarkimi i çimentos, do t’i kujtonte, si punët më të vështira që kishte bërë në jetën e tij. Më vonë ditën e kapitullimit të Italisë fashiste, ai do t’i shpëtonte vdekjes. Pas kësaj fati i tij i mirë, ishte shkruar që të vinte në Tiranë. Ndërsa, puna e parë që do të bënte ishte pastrues në drejtorinë e BKT-së të sheshi “Avni Rustemi”. “Të tre katet i laja brenda dy orësh i pastroja dhe i bëja edhe me naftë. Nuk ishte e vështirë, sepse isha mësuar me çimenton, që shkarkoja nga 13 orë në ditë”, rrëfen Roshi.

Takimi me kinemanë

Takimi i tij me kinematografinë ka qenë te kinema “Republika”. Punonte si biletaprerës. “Ngandonjëherë i zoti i lokalit e shikonte se nuk e kisha mendjen te puna, që të grisja biletat. Ndërsa, gjatë intervalit që futeshin njerëz, unë isha i gozhduar pas filmit”. Me një biletë tregon se mundet që të hynte brenda gjatë gjithë ditës për të parë filmin tek ajo kinema e vjetër, që në vitet e demokracisë u shkatërrua. Rikthimi i tij pas shumë vitesh, e gjen atë bosh, karriget mbi njëra-tjetrën dhe ekranin me njolla. “Në këtë kinema të dhimbjes, në këtë kinema të rrëmujës, kam parë vende dhe salla, por në asnjë prej tyre s’kam hyrë me aq bujë sa tek ty, e shtrenjta barakë…, në çdo moshë që të hy, në çdo vend që të vete, si hamall këta stola do t’i marrë me vete”.

Në hotel “Kontinental”

Ishin emëruar trupa artistike, kori, teatri. Ndërsa, ai rrinte përjashta dhe shikonte kur dilnin dhe bënin pushim djemtë dhe vajzat e ansamblit. Në pakun Rinia një ditë takoi mësuesin e tij të shkollës fillore nga Berati. Nuk e njohu. E përshëndeti. E pa dhe i tha: “Jam Kadri Roshi”. Pasi e njohu e pyeti se me se merrej. “Jam pa punë i thashë”. “Pse nuk hyn në sallë të teatrit”, më tha. “Nga të hy, si të hy nga hyhet?”. Edhe kështu mësuesi i tij i fillores do të bëhej sebep, që Kadri Roshi të hynte në atë derë, të cilën do ta donte për tërë jetën. Teksti i parë që mori në dorë, ishte i vështirë për të, aq i vështirë, saqë nuk e kuptoi dot as deri në fund të jetës së tij, kuptimin e tij të vërtetë. Bëhet fjalë për “Hamletin” e Uilljam Shekspir. Por, jo gjithçka kishte mbaruar këtu. Ai nuk do ta kalonte provimin për të qenë pjesë e teatrit. Por, lotëve të tij plot dënesë do t’u jepte një përgjigje pozitive, drejtori i Teatrit Kombëtar, Xhemal Mbroja. Ai pasi e pa, vendosi që ta merrte që të angazhohej, si sufler. “Mezi prisja që të sëmureshin aktorët dhe do t’i zëvendësoja unë. Isha më i sigurt nga të tërë. Por, doni ju që ata nuk sëmureshin”.

Aleksandër Moisiu në jetën e tij

Roli i tij i parë në skenë e Teatrit Popullor, që do t’i hapte të dyja dyert e teatrit për të ishte Osipi tek “Revizori” i Gogolit. Pas këtij roli, atij i del e drejta e studimit në Zagreb të Kroacisë, si aktor. Por, me prishjen e marrëdhënieve me ish-Jugosllavinë u transferua në Pragë të Çekisë, ku i gjendur përballë një komisioni, sebep apriori kësaj here, që të niste studimet e larta në këtë vend do të ishte origjina shqiptare e Aleksandër Moisut. Kthimi në Shqipëri në vitin 1955 do të bënte, që ai të luante në skenë role të ndryshëm, ndërsa spektatori i pëlqente të gjitha ato, roli që e bindi atë vet se aktrimi ishte zgjedhja e vërtetë e jetës së tij, do të ishte sërish roli i Osipit nga Gogoli. “Diplomën e parë ma dhanë pedagogët, por atë më të madhen të shoqëruar me dashuri dhe me ndjenja të pastra dhe fisnike ma dha spektatori”.

Dënimi

Pas suksesit të Kadri Roshit në interpretimin e rolit Arturo Ui në vitin 1974, u akuzua se kishte ngritur zërin gjatë interpretimit. Në fund të shfaqjes u dënua, duke u dërguar të punonte, si punëtor në ofiçinën e automjeteve të ndërtimit, OAN. Por, as pas këtij dënimi nuk ndali së punuari, edhe si aktor edhe si regjisor, duke ngritur një grup amator. Shfaqja që do të vinte në skenë “Komisari Memo”, do të duartrokitej dhe brohoritej aq shumë nga spektatori, saqë dukej, sikur ata thoshin: “E duam në teatër Kadri Roshin”.

Premtimi për Sandër Prosin dhe Naim Frashërin

Dhe teksa i  ndjeri aktor legjendar, përgatit së bashku me Petrit Rukën filmin e tij dokumentarë për jetën e tij, plaku fisnik dhe i urtë nuk mund të rrinte pa kujtuar dhe pa “biseduar” me miqtë e tij, mjeshtrat e aktrimit që dhe një llamarinë të lidhur me zinxhir në trungun e një peme e bëjnë madhështore. Ulet në gjunjë i madhi Kadri, edhe i premton Naim Frashërit dhe Sandër Prosit se nuk do të harrohen. Mban në duar ato llamarina kokëforta, që e zbehin shpresën e aktorit, po ai nuk dorëzohet, premton se brezat që do vijnë do kujtohen e lëvdohen me ta…

Ali Pashë Tepelena, pengu i Kadri Roshit

Në figurën e tij të skalitura janë shumë personazhe, që e mbajnë gjallë. Po është edhe një rol, i paluajtur që ne s’patëm privilegjin ta shikonim nga mjeshtri i madh. Nuk dëshironte të ndahej nga kjo jetë Kadriu pa qenë në rolin e Ali Pashës. Mjaftoi një fragment në këtë dokumentar ku Roshi u vu në rolin e tij, për të bërë publikun të entuziazmohet, dhe të kuptojë, se një Ali Pashë kaq të gjallë vështirë se mund ta shohim tjetërkund. Ky është pengu i Roshit, edhe mjaftuan pak çaste ta shikonim aktorin në ato petka që të bëhej edhe pengu ynë.

Frika nga pleqëria

Por, nga se trembej Kadri Roshi? Ai u trembë vetëm nga pleqëria. “Ajo që më shkatërron mua është pleqëria. Më ruajt qielli prej saj… Çfarë nuk bëj, që bota të mos e vërë re që unë jam plakur, sepse më vjen turp! Hidhem edhe përdridhem, që bota të mos e vërë re. Por, edhe sa kohë thua që do të zgjas kjo gjë…”, rrëfen mjeshtri për vetveten sa ishte gjallë.

Kadri Roshi

Në historinë e kinemasë janë 30 role që mbajnë me firmën e tij, ndërsa në teatër rreth 100, nga cilët mjafton të kujtojmë interpretimet tek “Halili dhe Hajria”, “Revizori”, “Familja e peshkatarit”, “Arturo Ui”, “Kohë e çmendur”, “Dhelpra dhe rrushtë” ku roli i paharruar i Ezopit përkrah aktores Luiza Xhuvani, është nga të fundmit në skenën e teatrit. Nuk mund të mohosh faktin se portretin e tij e fiksoi në kujtesën e publikut më tepër se teatri, kinemaja, nga arkivi i së cilës do të shfaqen disa fragmente të zgjedhur, role ku Roshi duket se interpreton me lëkurën e vet më shumë se sa me atë të personazhit. Kujtojmë filmat “Lulëkuqe mbi mur”. Për interpretimin në rolin e kujdestarit ai vlerësohet në Festivalin e Dytë të Filmit Shqiptar në vitin 1977, me çmimin special të aktorit më të mirë. Këtë çmim e merr sërish më 1981 për rolin e mësuesit patriot në filmin “Liri a vdekje”, dhe dy vjet më për interpretimin tek “Era e ngrohtë e thellësive”. Me protagonizmin tek “Gjeneral gramafoni”, “Këshilltarët”, “Njeriu me top”, mund të thuhet se mesi i viteve ‘80-të prek zenitin e karrierës së aktorit. Në një nga ato ditët e shëndetit të përkeqësuar ai do deklaronte se nga interpretimi tek filmi i regjisorit Viktor Gjika, “Njeriu me top” ai realizoi roli i karrierës: “Plaku Mere, është kurora e roleve të mi. Atë e kam ndërtuar vetë nga e para si kam ditur”. Në një kohë kur gjithë kinematë ishin shkatërruar dhe frynte era e euforisë së mirëqenies jetëshkurtër nga firmat piramidale, Kadri Roshi merr Kupën e Karrierës në Festivalin e Dhjetë të Filmit Shqiptar, në vitin 1995. Kishte interpretuar në një nga rolet e fundit të karrierës kinematografike tek “Kolonel Bunker”. Roshi është “Nder i Kombit” prej vitit 1998, një titull dhënë nga Presidenti i Republikës.

Petrit Ruka: Kadri Roshi është mes nesh

Mbushin plot dhjetë vjet nga dita e largimit të Kadri Roshit (1924-2007), njeriu që u pranua nga të gjithë që në të gjallët e vet, si një legjendë e ekranit dhe skenës shqiptare. Të mëdhenjtë të heqin fare lehtësisht të drejtën për fjalë të mëdha, prandaj unë dëshiroj vetëm që të them vetëm dy fjalë për filmin. “Ishte një rast fatlum kësaj here, që më ra mua fati të bëj të vetmin dokumentar për Kadri Roshin. Ishte një fat, që jeta e tij, vlen sa një akademi e madhe arti. Vendosa që fatin e tij ta rrëfente ai vet edhe e nisa nga Butrinti. Filmi u xhirua para 18 vitesh në vitin 1998, kur akoma rrugëve mund të bije pre e bandave. Më kujtohet shumë mirë sesi ai kur udhëtonim natën me një fugon të vjetër na ftonte të këndonim këngë labe dhe ja merrte vet këngës i pari. E kishte provuar njëherë në 1958 të ishte para një pushkatimi gjermanësh dhe nuk ja bënte terr syri nga vdekja. Ne të gjithë e dimë, që nuk ka vdekur edhe nuk ka frikë nga harrimi, përkundrazi është më i gjallë sesa kurrë, edhe vet kjo premierë në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta tregon se është midis nesh, këtu në këtë sallë të Teatrit Kombëtar, që mban emrin e tij të madh”./Shekulli- Valeria Dedaj

Please follow and like us: