Piktori Rama, tjetër ekspozitë në Firence
Duke vazhduar me përpjekjet e tij për të ndërtuar një karrierë artistike të bazuar në lidhjet e tij politike dhe nepotike, Kryemistri Edi Rama do të hapë në 25 shkurt një ekspozitë në Galerinë e artit Eduardo Secci në Firenze. Kryeministri zhvilloi një vizitë private muajin e shkuar në Firence ku drekoi me arkitektin Marco Casamonti, projektet e të cilit kanë shkatërruar trashëgiminë kulturore të Tiranës dhe Durrësit. Vëllai i arkitektit Casamonti është pronari i galerisë së famshme Tornabuoni Arte në Firence.
Ekspozita sërish paraqitet si një përzierje e firmës së Ramës me interesat privatë dhe lidhjet politike për tu kthyer në një artist të “njohur” ndërkombëtar.
Më 26 shkurt, gjatë ekspozitës do të organizohet një panel me pjesëmarrës Edi Ramën, Stefano Boeri dhe Tommaso Sacchi. Sacchi, drejtor i Departamentit të Kulturës në Bashkinë e Firences dhe lektor në Akademinë Domus, do të moderojë bisedimet në panel.
Edhe më parë, njerëz të lidhur me Akademinë Domus kanë ndihmuar Kryeministrin Rama në hapjen e ekspozitave: Këshilltarja e tij për Strategjinë Urbane dhe Kulturore Lorenza Baroncelli dhe bashkëpunëtori i saj Joseph Grima ishin kuratorët personal të Ramës gjatë ekspozitës së tij në Napoli, në GalerinëAlfano Artiaco në vitin 2016.
Të lidhur me Akademinë Domus janë edhe arkitekti Stefano Boeri, i cili së fundmi hartoi masterplanin Tirana030. Exit.al ka shpjeguar në një artikull të mëparshëmmangësitë teknike, por edhe rrezikun për privatizimin e një pjesë të madhe të Tiranës. Boeri, me të cilin Baroncelli bashkëpunoi për masterplanin, do ti bashkohet ekspozitës së Ramës në Firence.
Ekspozita premton të jetë një përsëritje e formulës të përdorur në Napoli dhe nëNew York: një kombinim mes letrës së murit, skicave, një projeksion i videos “Dammi i Colori” të Anri Salës – që është bërë si Triumfi i Vullnetit të Qeverisë Rama – dhe punët e fundit prej qeramike të vetë kryeministrit Rama.
Ekspozita përbëhet nga vizatime, skulptura dhe letra muri që ndjekin njëra-tjetrën në hapësirat e galerisë dhe që e transferojnë në Firenze atmosferën e zyrës së tij në Tiranë. Përfundon me një video projeksion të Anri Salës prodhuar në vitin 2000, që flet për projektin e madh të rikualifikimit të qytetit të Tiranës, sponsorizuar nga shoku i tij i ngushtë Edi Rama.
Ndërkohë mbetet e paqartë se nga ku vijnë fondet për shfaqjet e vazhdueshme private të Kryeministrit Rama. Deri më tani, asnjë kritik apo teoricien arti nuk e ka vlerësuar punën e Ramës si të rëndësishme në kontekstin aktual të artit bashkëkohor.
Të gjithë ekspozitat e ti janë varur nga miqësia e tij me Anri Salën dhe nga një marrëdhënie jep-e-merr me një grupi arkitektësh, kuratorësh e galeristësh, të cilët përfitojnë fonde publike nga kryeministri Rama.
Në çdo vend tjetër, konflikte të tilla të papranueshme interesi, do të ishin hetuar për shpërndorim detyre, por duket se pavarësisht mospëlqimit që Rama ka për Presidentin Trump, mënyra në të cilën ai kombinon intersat private me paratë publike dhe përbuzja e tij për sundimin e ligjit, janë të ngjashme.