Albspirit

Media/News/Publishing

Saimir Pirgu garon për Grammy Awards

Opera Mbreti Roger e shfaqur në Royal Opera House të Londrës, që kishte si një prej protagonistëve pikërisht tenorin shqiptar është përzgjedhur si një nga pesë veprat në garë për edicionin e 59-të të Grammy Awards për kategorinë “Regjistrimi më i mirë operistik”.

Një lajm i bukur sjell sërish në qendër të vëmendjes Saimir Pirgun, një nga tenorët më të njohur sot në arenën botërore të artit operistik.  Mbreti Roger (Król Roger), opera e kompozitorit polak Karol Szymanowski e shfaqur në Royal Opera House të Londrës, që kishte si një prej protagonistëve pikërisht tenorin shqiptar është përzgjedhur si një nga pesë veprat në garë për Grammy Awards 2017 për kategorinë “Regjistrimi më i mirë operistik”.

Versioni me Pirgun në rolin e Bariut, e vënë në skenë majin e shkuar në Royal Opera të Londrës, ka marrë vlerësime shumë të mira nga kritika e publiku. Në të gjitha shkrimet dedikuar operës është veçuar tenori shqiptar zërin e mrekullueshëm, ndaj padyshim ai ka një kontribut të vyer në suksesin e veprës.

“Pirgu është madhështor” shkruan Independent; “Saimir Pirgu luajti me karizëm rolin e Bariut, pa iu trembur ngritjeve në stratosferë të zërit” shkruan Sunday Times; “I detyruar nga Szymanoëski të këndojë sikur po kapërcen dallgë të larta tingujsh, Saimir Pirgu tiumfon në këtë test absurd rezistence vokale” (London Times); “Saimir Pirgu ofron një performancë të shkëlqyer me zërin e tij prej tenori që mund të jetë jashtëzakonisht i lehtë ose pafundësisht i fuqishëm…” (Opera Online); “Zbulimi ishte tenori shqiptar Saimir Pirgu (e gjuha shqipe nuk ka asgjë të përbashkët me polonishten) që njihet për rolet e lirikës italiane. Bariu është rol i ndërlikuar, ka nevojë për një tenor që të tigëllojë lirik, që të ketë forcën për të projektuar linjat e gjata të Szymanowski-t mbi orkestrën e madhe dhe që në të njëjtën kohë të jetë fizikisht joshës. Saimir Pirgu i dha rolit vokalin më të mirë që unë kam dëgjuar ndonjëherë. Ai mbajti shumë mirë zërin e vizualisht ishte i mrekullueshëm” (Planet Hugill); “Në rolin e Bariut, tenori shqiptar Saimir Pirgu është madhështor” shkruan Daily Mail; “Timbri i zërit të Pirgut është i artë dhe që të bën për vete, evokon në tekst rrezatime dielli, buzëqeshje dhe përqafime” sipas Classical Iconoclast; “Surpriza e Bariut ishte tenori i shkëlqyer shqiptar Saimir Pirgu Në zërin e tij kishte një kulturë të thellë dinjiteti dhe të kënduari. Joshi e përqëndroi mbi vete të gjithë vëmendjen” shkruan e përditshmja prestigjioze polake Wyborcza. Këto janë vetëm disa nga vlerësimet e shumta që kritika i rezervoi Saimir Pirgut për rolin e Bariut në Mbretin Roger.

Edicioni i 59-të i ceremonisë së ndarjes së çmimeve “Grammy” do të transmetohet ‘live’ në stacionin amerikan CBS më 12 shkurt 2017. Mbrëmja do të prezantohet nga aktori komik James Corden dhe do të zhvillohet në arenën e “Staples Center” në Los Angeles.

Vetëm tre javë më parë Saimir Pirgu u vlerësua me çmiminVerona Lirica Award 2016.

 

Please follow and like us: