SHBA: Qëndrimi ndaj Maqedonisë nuk ka ndryshuar, mbështesim sovranitetin e saj
Pas komenteve të një ligjvënësi amerikan, i cili sugjeronte ndarjen e Maqedonisë, një zyrtar i Departamentit të Shtetit, i tha Zërit të Amerikës se politika e Shteteve të Bashkuara ndaj Maqedonisë nuk ka ndryshuar.
“Shtetet e Bashkuara njohin dhe mbështesin sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Republikës së Maqedonisë. Ky qëndrim nuk ka ndryshuar”, theksoi zyrtari amerikan.
Ligjvënësi republikan Dana Rohrabacher, në një intervistë për kanalin televiziv në Shqipëri, Vizion Plus, ishte shprehur se krijimi i Maqedonisë “është një projekt i dështuar”, se “shqiptarët që jetojnë atje duhet t’i bashkohen Kosovës, pasi kurrë nuk do të mund të shkojnë mirë me maqedonasit”. Ai sugjeronte që pjesa tjetër e Maqedonisë të bëhet pjesë e Bullgarisë apo e çdo vendi tjetër, me të cilin pretendon të ketë lidhje.
Komentet e ligjvenësit Rohrabacher, që është anëtar i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë dhe kryetar i Nënkomisionit për Çështjet Evropiane, ngjallën shqetësime në Shkup. Ministria e Jashtme e Maqedonisë u shpreh përmes një deklarate se komente të tilla “ndezin retorika nacionaliste mes vendeve fqinje dhe kthejnë të kaluarën”.