Albspirit

Media/News/Publishing

Starti komunist i Santa Quarantas, kur Meta e Balili ishin “Pionerë të Enverit”

Sot është ndër objektet më të përfolura, pasi lidhet dhe me personazhin më të përfolur: Santa Quaranta e Klemend Balilit; që në fakt zyrtarisht nuk rezulton të jetë e gjitha e tija. Ky resort, me plazhet ndër më të populluara gjatë verës, u përurua tre vite më parë, pas një rikonstruksioni disavjeçar.

Ishin në ceremoninë e përurimit “me mace e mi” nga mazhoranca, të prirë nga kreu i LSI-së, Meta, një ndër prerësit e shiritit së bashku me të vëllanë e Klemendit, Bako Balilin, ndërsa shpura e PS-së udhëhiqej nga ish-deputeti i zonës, Koço Kokëdhima.

Ditë më parë aty ishte dhe vetë kaubojsi, Eduart Ndocaj, i cili lëshoi një nga perlat e tij për Balilin, e marrë më pas seriozisht nga grekët.

Pavarësisht se ç’ndodh rreth emrit të Balilit, Santa është e qetë, në pritje të sezonit për t’u bërë vend pelegrinazhi i atyre që duan të kridhen në ujrat e Jonit gjatë vapës së verës.

Por dhe në fillimet e saj, si kamp punëtorësh, ndërtuar nga mesi i viteve `80, Santa e sotme – atëherë quhej pra thjesht kamp pushimi punëtorësh – ka patur bujën e vet. Në Zërin e Rinisë së kohës, jepet lajmi mbi përurimin e kësaj vepre.

Aty shkruhet madje se gjatë ceremonisë, iu përcoll dhe një letër shokut Ramiz, pikërisht në lidhje me hapjen e dyerve të godinës që do shërbente si strehë relaksi në bregdetin e Sarandës, për të gjithë ata që ndërtonin krahëpërveshur socializmin e që e kishin hak një 15-ditësh pushimi.

Por kohërat dhe politika do diktonin një metamorfozë të rrallë tek kjo godinë: nga strehë shplodheje e plazhi për klasën punëtore, në një objekt lluksi 30 vite më vonë, rrethuar nga dyshimet dhe spekullimet për llojin e “djersës” hedhur në të.

Ka qenë viti 1986 kur është inaguruar dhe  që gjykuar nga koha dhe rrethanat, Meta e Balili do kenë qenë me patjetër “Pionerë të Enverit”./tesheshi.com/                               

Please follow and like us: