Komunizmi, uzurpatori i fesë
“Një ndër pikat e forta të sistemit komunist është se ka disa nga karakteristikat e fesë dhe të nxit emocionet e saj”
Albert Ainshtajn
Duke filluar me Revolucionin Francez, duke vazhduar me atë komunist e më pas me atë nazist, feja dhe klerikët janë luftuar, por asnjë revolucion nuk e luftoi fenë dhe klerikët aq ashpër dhe aq pa mend sa komunizmi shqiptar. Ndërsa Gandi përdori fenë në luftën e tij për çlirimin e Indisë dhe emancipimin e indianit, komunizmi shqiptar i mori fesë organizimin dhe disa praktika dhe me to, pasi e shkatërroi atë, ndërtoi sistemin e tij. Gandi deklaronte: “Mund të them pa hezitimin më të vogël dhe me përulësinë më të madhe se, ata që thonë se feja nuk ka të bëjë me politikën, nuk dinë se ç’do të thotë fe.” Komunizmi e pati parasysh këtë mendim të Gandit, por e përmbysi. Komunizmi nuk e përdori fenë për ta pasur si ndihmëse në politikën e tij, ashtu siç bëjnë e siç kanë bërë shumë regjime, por e luftoi, e vrau dhe, ashtu të vrarë, e uzurpoi.
Përse e luftoi aq egër komunizmi shqiptar fenë?
“Për ta shpëtuar popullin nga një shkak i prapambetjes intelektuale” – thanë komunistët. “Për t’i zënë vendin asaj dhe për të qeverisur më lehtë” – thanë kundërshtarët e tyre. “Për mospajtime të thella filozofike midis spiritualizmit fetar dhe materializmit komunist” – thanë filozofët komunistë. Të gjitha këto, padyshim, kanë brenda pjesë të së vërtetës. Por, ka edhe pjesë të tjera të së vërtetës të cilat janë më të rëndësishme se ato që thamë. Sipas Biblës, në Urdhëresën e Parë, Zoti i thotë Moisiut, dhe përmes tij, njerëzimit: “Nuk duhet të kesh Zot tjetër përveç meje”.
Komunizmi donte të kishte një tjetër Zot, i cili duhej të ishte, po ashtu, i vetëm: Udhëheqësi i Partisë. Përveç kësaj, ka edhe një arsye tjetër, pak më të fshehtë: feja në përgjithësi synon t’i vejë fre dalldisë së njeriut për të bërë ndryshime të shpejta të diktuara nga psikologjia dhe politika e çastit. Ajo kërkon që njeriu t’i bindet disa rregullave që janë provuar prej shekujsh si më të mirat, si më të qëndrueshmet dhe si më të moralshmet. Totalitarizmat kërkojnë të krijojnë njeriun e tyre, me një psikologji të re, por krejtësisht imorale. Feja e pengon këtë krijim. Kështu, për totalitarizmin, pra dhe për komunizmin e sidomos për të, feja është një pengesë serioze për krijimin e njeriut të tyre të ri, prandaj ajo duhet fshirë.
Nga të gjitha doktrinat dhe organizimet që ka shpikur njeriu, doktrina fetare dhe organizimi institucional i saj kanë qenë nga më jetëgjatët. Shumë doktrina të tjera, organizime, shtete të fuqishme apo perandori, fillimisht në dukje si të përjetshme, u shuan. Feja mbeti. Totalitarizmi modern e kuptoi se ku ishte forca e fesë dhe desh ta shfrytëzonte atë për vete. Komunizmi si një lloj totalitarizmi, i kopjoi fesë thelbin e doktrinës dhe të organizmit dhe, kështu, ai, dashje pa dashje, krijoi një fe të re.
Në ndryshim me diktaturat e tjera, totalitarizmi është një sistem që, përveç që përdor dhunën për të nënshtruar popullin, organizon të gjithë jetën në mënyrë që ajo jetë t’i shërbejë ideologjisë së tij. Ai ndërhyn në çdo aspekt të jetës së njerëzve: në atë politik, ekonomik, shpirtëror dhe personal të përditshëm. Në totalitarizëm ka vetëm një ideologji dhe një parti e cila udhëhiqet nga një diktator absolut që, sipas rastit, mund të quhet udhëheqës, komandant, fyrer, duçe, lider etj, emërtime që nuk kanë të bëjnë fare me postin zyrtar që mban ai person. Udhëheqësin nuk e frenon as kushtetuta, as ligji e as opozita, e cila nuk ekziston. Kundërshtimi shtypet që në rrënjë dhe populli terrorizohet sistematikisht. I gjithë populli duhet të ketë një mendje. Atij nuk i lejohet dhe nuk i krijohet asnjë mundësi për të menduar ndryshe, pa le më për të vepruar ndryshe.
Elie Wiesel thotë se komunizmi është një lloj feje, një lloj feje mesianike që nuk ka Zot, por ka Mesi. Mesia, shpëtimtari, i panjolli, i caktuari i Zotit, është udhëheqësi, komandanti, duçja, fyreri apo lideri i cili, ashtu sikundër Zoti, nuk mund të kritikohet, por vetëm të lëvdohet për çdo punë që bën.
Feja është në të vërtetë totalitarizëm i pastër, ajo është totalitarizmi fillestar. Në format ekstreme, fanatizmi dhe fundamentalizmi fetar, sidomos ato të besimeve monoteiste, nuk janë gjë tjetër veçse shëmbëlltyra të totalitarizmit politik, apo anasjelltas, totalitarizmi politik nuk është gjë tjetër veçse shëmbëlltyrë e totalitarizmit fetar.
Përfaqësuesi më tipik i totalitarizmit politik, Shefi i Gjermanisë Naziste, Adolf Hitler, ka dhënë disa mendime, në librin e tij “Mein Kampf” për ndërtimin e një shteti të fortë e të qëndrueshëm nazist që do të jetonte për 1000 vjet, të bazuar edhe në mësimet e fesë: në mësimet e institucionit më jetëgjatë, të Kishës Katolike.
Së pari, thotë ai, që të triumfojë një rend i ri, duhet të shkatërrojë rendin e vjetër. Rendi i ri nuk mundet dhe nuk duhet të bashkëjetojë me rendin e vjetër apo me një rend të ndryshëm. Ai duhet të përdorë çdo mjet për ta luftuar dhe shkatërruar rendin e vjetër dhe të gjitha idetë e tij. Rendi i ri duhet të bëjë atë që ka bërë krishterimi i cili “nuk u kënaq me ngritjen e një tempulli të vet, por shkatërroi njëkohësisht edhe tempujt paganë.” Intoleranca është kusht i domosdoshëm për zhvillimin e një rendi të ri. Intoleranca duhet të shkojë deri në terror dhe “krishterimi ishte i pari që futi terrorin psikologjik” dhe, më pas, edhe atë fizik. Shën Agustini, në fillimet e përhapjes së krishterimit, aty nga viti 400, në mënyrën më intolerante, tha: “Perënditë pagane janë djaj.”
Së dyti, thotë Hitleri, nga doktrina e përgjithshme e rendit të ri, duhet të zgjidhen një numër idesh dhe formulash që do të kenë efekt të madh mbi individët të cilat do të jenë mbështetëset e asaj doktrine. Ato duhet të shërbejnë njëlloj si motivet fetare që të lidhen emocionalisht me çështjen, me doktrinën.
Së treti, me kohë, edhe pse mund të lindë nevoja e ndryshimit të disa parimeve të doktrinës apo të riformulimit të tyre, nuk duhet ndryshuar asgjë. Po u bënë ndryshime, sipas Hitlerit, efektet mund të jenë fatale. Diskutimet për ndryshime do të çojnë në konfuzion të përgjithshëm. Ndryshimet bëjnë që të ngjallen dyshime për doktrinën. Shembulli, vazhdon ai, duhet marrë përsëri nga Kisha Katolike e cila nuk ndryshoi kurrë asnjë parim edhe kur ai binte në konflikt me zbulimet e kohës. Ajo kishte kuptuar se forca e qëndresës së saj do të bjerrej nga futja e adoptimeve doktrinale për përshtatje me përfundimet e shkencës. Kisha Katolike qëndroi e fortë, sepse mbeti e lidhur ngushtë me dogmat e vendosura. Po ashtu, sistemi politik mbetet i fortë kur nuk ndryshon. Mos ndryshimi i jep atij karakterin e fesë, të besimit.
Një sistem totalitar pra, për të pasur jetëgjatësinë e një sistemi fetar, duhet të shkatërrojë çdo pikëpamje, filozofi apo individ që nuk i shkon atij për shtat. Një sistem totalitar duhet të krijojë njerëz të bindur deri në fanatizëm. Fanatiku politik nuk duhet të ketë ndryshim nga fundamentalisti fetar. Devotshmëria ndaj sistemit totalitar duhet të jetë e njëjtë me devotshmërinë ndaj besimit fetar. Një sistem totalitar duhet të jetë dogmatik. Ai nuk duhet të bëjë asnjë ndryshim në idetë e veta, nuk duhet të revizionojë atë çka mund të diktohet nga koha apo nga fakte të reja. Një sistem totalitar, njëlloj si sistemi fetar, duhet të jetë piramidal i theksuar. Në krye të atij sistemi duhet të qëndrojë ai që do të jetë i ngjashëm me perëndinë e fesë, që të ketë në dorë shpërblimin dhe ndëshkimin, ai që vetëm lëvdohet.
Komunistët shqiptarë i çuan më tej idetë e Hitlerit për të kopjuar nga feja e për të zgjatur ditët e sistemit të tyre. Por, ndërsa Hitleri dhe Musolini u përpoqën ta vinin fenë në shërbim të tyre, komunistët shqiptarë vepruan me fenë si ata banditët që pasi grabisin e vrasin, kapardisen me sendet e grabitura duke i paraqitur si të vetat. Ata përvetësuan thelbin e fesë, u vunë emra të rinj shumë prej elementëve të skemave organizative të fesë apo të pjesëve të doktrinës së saj dhe vetë fenë e zhdukën si të mos kishte qenë kurrë. Komunistët luftuan më shumë krishterimin katolik, prej së cilit edhe adoptuan më shumë. Janë interesante të vëmë në dukje këtu disa shembuj adoptimesh komuniste të fesë, të cilat do t’i jepnin komunizmit real shqiptar tiparet e fundamentalizmit fetar, tiparet e krishterimit mesjetar.
Le ta fillojmë me diçka tipike fetare, me lutjen. Të krishterët luten: “Lëvduar qoftë Jezu Krishti” – komunistët: “Lavdi Marksizëm Leninizmit,” “Lavdi Partisë së Punës së Shqipërisë,” “Rroftë sa malet Shoku Enver Hoxha.” Këto janë lutje, këto janë thirrje, këto janë parulla që kanë si bazë lutjen fetare.
Të krishterët betohen: “Për Zotin,” “Për Krisht” – komunistët: “Për Ideal të Partisë,” “Për nder të Partisë.”
Të krishterët kanë Zotat e tyre, trininë – komunistët: trininë e tyre, klasikët, Marksin, Engelsin, Leninin
Të krishterët kanë Mesinë, Krishtin – komunistët: Marksin
Të krishterët katolikë kanë Papën – komunistët: Enver Hoxhën i cili, për nga rëndësia vendoset midis Krishtit dhe Papës
Të krishterët kanë 12 dishepujt e Krishtit – komunistët kanë anëtarët e Byrosë Politike, që në disa raste janë 12, aq sa dishepujt e Krishtit
Të krishterët kanë Biblën – komunistët: Historinë e Partisë së Punës dhe veprat e Shokut Enver
Të krishterët mbajnë kryqin në qafë – komunistët: mbajnë teserën e anëtarësisë në Partinë në xhep a në trup
Të krishterët kanë simbol kryqin – komunistët: yllin
Të krishterët kanë pagëzimin – komunistët: pranimin në parti
Të krishterët kanë kishën – komunistët: qendrën e edukimit të partisë në punë, dhomën e partisë, apo qendrën e frontit në lagje
Të krishterët pyesin se në cilën kishë shkon – komunistët: ku e bën jetën e partisë?
Të krishterët kanë kongregacionin e tyre – komunistët: organizatën bazë të partisë
Të krishterët kanë djakonin, dhjakun – komunistët: komunistin në stazh partie
Të krishterët kanë priftin – komunistët: sekretarin e partisë, apo komisarin
Të krishterët kanë kardinalin – komunistët: sekretarin e partisë së rrethit
Të krishterët kanë dioqezat – komunistët: komitetet e partisë së rretheve
Të krishterët kanë Sinodin e Shenjtë – komunistët: Komitetin Qendror
Të krishterët kanë katekizmin – komunistët: format e edukimit në parti
Të krishterët kanë inkuizicionin – komunistët: hetuesinë politike
Të krishterët kanë heretikët – komunistët: armiqtë e partisë
Të krishterët kanë mallkimin – komunistët: kritikën
Të krishterët kanë rrëfimin – komunistët: autokritikën
Të krishterët kanë shëlbimin – komunistët: dhënien e dorës nga partia
Të krishterët kanë shkishërizimin – komunistët: përjashtimin nga partia
Të krishterët kanë ferrin dhe parajsën – komunistët: kapitalizmin dhe komunizmin
Të krishterët kanë Dhjetë Urdhëresat – komunistët: Dhjetë Cilësitë e Komunistit
Të krishterët kanë njeriun besimtar fundamentalist – komunistët: njeriun me partishmëri, komunistin e flaktë
Të krishterët luten në kërkim të shpëtimit, duke filluar me rrëfimin, dhe pastaj vazhdojnë me premtim, me betimin, me lëvdimin e Zotit, me falënderimin e Zotit dhe, në fund, me kërkesën – komunistët: nisin me diskutimin i cili fillon me hyrjen dhe vazhdon me lavdërimin e partisë, me kërkesën, me autokritikën dhe me angazhimin.
Të krishterët kanë ditët e emrit të shenjtorëve – komunistët: ditëlindjet e udhëheqësve
Të krishterët mbajnë në shtëpi portrete apo statuja të Krishtit, të Shën Mërisë apo të shenjtorëve të tjerë – komunistët: fotografitë apo statuja të udhëheqësit
Të krishterët ngrenë dolli për lavdinë e shenjtorëve të tyre – komunistët: për jetëgjatësinë e udhëheqësit apo të partisë
Të krishterët përgjithësisht martohen brenda fesë së tyre – komunistët: martohen brenda partisë, domethënë komunisti me komunisten
Të krishterët kanë Santa Claus-in dhe Pemën e Krishtlindjeve – komunistët: Plakun e Vitit të Ri dhe Pemën e Vitit të Ri.
Të krishterët katolikë kanë rrymë devijuese protestantizmin – komunistët: revizionizmin.
Shënim: Ky shkrim është marrë nga libri im “Gandi, analiza dhe komente për Gandin dhe gandizmin”