Në takimin me gjeniun e letrave shqipe, Ismail Kadare, Athinë 1997
Në këtë takim të organizuar kishin ardhur më shumë femra greke. Në mbrëmje duke biseduar me kolosin Ismaili Kadare dhe Helena Kadare, ju dhurova librin tim “Ikja e Madhe” të sapobotuar. Pas leximit të librit, nga Parisi më erdhi kjo letër:
Letër e shkrimtares Helena Kadare dërguar autorit nga Parisi, pas leximit të librit të tij “ Ikja e Madhe”.
Paris, 7 shkurt 1998
I nderuari zoti Albert,
Lexova me një frymë librin tuaj dhe dua t’ju uroj nga zemra për këtë punë të mrekullueshme që keni bërë, lidhur me ikjen, jetën dhe peripecitë e panumërta të emigrantëve tanë në Greqi. Bravo, me të vërtetë bravo.
Libri është shkruar me kulturë, me mjeshtëri artistike, me stil të gjallë, me gjuhë të rrjedhëshme dhe mbi të gjitha, me një ndjeshmëri të rrallë. Për të gjithë ne shqiptarët, kudo që gjendemi, ai është një tabllo tronditëse e dramës së dhimbëshme të shkuljes së shqiptarëve nga trojet e tyre, pas rënies së komunizmit.
Për të gjitha këto, libri juaj, të shkon drejt e në zemër. Ju keni ditur ta përshkruani cdo gjë duke mbledhur një informacion të dendur, realist dhe tejet emocionues. Dhe ajo që është për t’u lavdëruar, është se ju, me këtë libër, keni dhënë një mesazh shprese për të gjithë ata që kanë lënë atdheun në kërkim një jete më të mirë, dhe që mendojnë seriozisht se një ditë do të kthehen atje, e do të punojnë për ta ringritur këtë atdhe të rënë në baltë.
Edhe njëherë urime
Ju përshëndes
Helena Kadare