Albspirit

Media/News/Publishing

Përse nuk ngjajmë me Rumaninë

Astrit PATOZI

 

Kam dy vjet që e kam thënë në këtë sallë dhe vazhdimisht më pas që kjo qeveri ka rënë. Nuk po citoj vetveten tani se nuk jam mbajtur ndonjëherë për profet dhe se nuk kam ndonjë meritë të vecantë në këtë histori. Sepse kjo qeveri ta bën shumë të lehtë parashikueshmërinë. Por më besoni, se po ta lexoja fjalimin tim të vitit 2015, shumëkush do të mendonte se është shkruar për këtë që po ndodh tani.

Kam duruar gjatë kësaj kohe edhe cinizmin apo qësëndisjet e Ramës për konstatimin tim, por sot ja ku jemi prapë…, sepse koha është e pamëshirshme. Kam thënë atëherë se asnjë qeveri në botë nuk ka mandat për t’u zvarritur, dhe sikur ta bënte kasten, kabineti i Edi Ramës, vetëm këtë punë ka bërë, që nga ajo ditë kur ilir Meta doli maleve të Skraparit me pushkë në dorë kundër partnerit të vet të madh, gjatë verës  së nxehtë të 2015-ës.

Pas dy vjetësh, jemi shumë më keq. Dhe nuk kishte asnjë shans që të ndodhte ndryshe. Po të ishin ndarë që atëherë, sot të dyja kampet ndërluftuese të qeverisë mund të ishin më të qeta, dhe mbase më me pak kosto. Shqipëria, po e po, do të ishte ku e ku më mirë, me një përzierje të re të kartave. Cilido që të ishte rezultati i votës së parakohshme.

Ka shumë njerëz që përpiqen të gjejnë fajtorin më të madh për këtë gjendje të rëndë politike dhe sociale të vendit, e cila, sipas meje, është në prag shpërthimi. Zakonisht, shumica i bien shkurt dhe e gjejnë atë tek kryeministri, i cili ka qëlluar të jetë edhe më i gjatë, se rivali i vet. Dhe për pasojë e zë më kollaj plumbi. Unë në ndryshim me ta, mendoj se janë njësoj përgjegjës, njësoj të zhytur, njësoj të përlyer. Sepse të dy kanë votuar dhe përfituar nga cdo vendim dhe akt korruptiv i pjellës së marrëveshjes famëkeqe të 1 prillit, që nga dita që erdhën në pushtet e deri më sot që po flasim.

Shqipëria ndodhet sot në pikën më kritike, për shkak të konceptit plackitës, që kanë të dy palët për qeverisjen. Por edhe për errozionin e madh që shkakton përleshja e kohëpaskohshme e vëllezërve armiq, e cila është një barrë shtesë mbi shpinën e kërrusur të vendit.

Natyrisht, nuk po lëpij plagët e Edit dhe Ilirit. Kokën hëngshin dhe sa më shpejt e gjetshin belanë apo fundin e tyre, që do të ishte në të gjitha rastet një lajm i mirë për shumicën e shqiptarëve. Por mendoj se, gjithësesi, ne nuk e kemi këtë luks, që të durojmë dhe faturën e grindjes së tyre banale për plackë, mu përpara syve tanë. Se nuk besoj që gjendet ndonjë i cmendur në tokë të dheut që të besojë se Rama dhe Meta kanë përplasje konceptesh apo janë duke u zënë për cështje doktrinore apo për parime, për të cilat nuk bien dakord.

Edhe një qeverisje normale, po të kishte qenë, nuk do ta përballonte dot, aq e ashpër dhe e pazakontë është lufta.

Po a është qeveri normale kjo? Ku gjysma e qeverisë shan dhe punon kundër gjysmës tjetër. Mendoj se kjo është qeveria më atipike në botë, jo vetëm për shkak të konfliktit të brendshëm, por mbi të gjitha se i ka shkuar ndesh cdo premtimi elektoral të para katër vjetëve. Atëherë për cfarë arsye qëndron ajo ende në këmbë? Për shëndetësinë falas të Ilir Beqes, për kanabisin e Saimir Tahirit apo për kudogjendjen e Edi Ramës në cdo pisllëk, ku zhytet qeveria e tij? Kjo qeveri ka rënë, për shkak se nuk ekziston më asnjë nga arsyet për të cilat ajo u votua. Përfshirë këtu edhe mungesën e minimumit të kohezionit dhe të etikës mes dy aleatëve të mëdhenj, që nuk dinë as të zihen dhe as të pajtohen.

Sepse cfarëdo motivesh që mund të kenë sot për t’i ngrënë kokën njëri-tjetrit, Edi Rama dhe Ilir Meta nuk mund të thonë se PS dhe LSI nuk janë votuar edhe për të pasur një komunikim dhe raport normal me njëri-tjetrin. Gjë që ka të paktën tre vjet që nuk po ndodh.

Ju të gjithë këtu e dini se unë termat e ashpra nuk i kam në natyrën time. Kjo nuk është vetëm cështje stili, por më shumë për shkak të bindjes, që kundërshtarin e dëmton më shumë po të tregosh se cfarë ka bërë, pa qenë nevoja ta ngarkosh me epitete të rënda, aq më tepër kur ato janë disproprorcionale me aktet. Ndërkohë, ka plot që flasin për organizatë kriminale, kupolë mafioze, ministra hajdutë dhe banditë, zyrtarë të lartë vrasës, trafikantë dhe përdhunues.

Po si t’i quajmë ministrat që denoncojnë shokët e vet, apo edhe kryeministrin, me akuza edhe më të rënda se ato të opozitës, të penduar, apo pentito? Kjo mund të jetë e vetmja në botë, që ka ministra të tillë dhe prapë kjo nuk i pengon të dy padrinot të thonë se koalicioni është sërish OK.

Nuk kam ndonjë respekt të vecantë për ministrat apo ish-ministrat, që u ka ardhur me vonesë goja, aq më tepër kur merret vesh që kanë qenë të telekomanduar dhe po aq të shitur nga ai që Ben Blushi kërkon të flasë një herë të vetme me gojën e vet. Po kujt i duhet se cfarë thotë ai, kur të gjithë e dinë se cfarë bën dhe si funksionon Ilir Meta?

Aq më pak të emocionohem pas dëshmive të tyre, ndonëse nuk e mohoj që ato mund të përdoren sot si ilustrim se përse kjo qeveri nuk mund të vijojë me punën e vet. Do të ishte krejt ndryshe, nëse dikush do të ikte me ceremoni nga qeveria, për shkak se nuk mund të punonte më me Edi Ramën dhe me cetën e tij. Të mos shkojmë më larg pastaj, që Ilir Meta, nëse do të kishte një grimë dinjiteti në sjelljen e vet politike, duhet të kishte deklaruar prej kohësh daljen nga qeveria, që të kishte minimumin e së drejtës për të thënë ndonjë llaf sot kundër zullumeve të Edi Ramës dhe të Partisë Socialiste.

Dhe nuk është as rastësi dhe as fat që nuk e bën. Por sepse instikti i predatorit nuk e lë të largohet kurrë nga preja, sa kohë që ende dicka për të ndarë. Sepse prej gati tre vjetësh lukunitë e tyre, të PS dhe LSI, e kanë vend të në mes këmbëve atdheun dhe po e shqyejnë pa mëshirë atë duke e tërhequr secili nga vetja për të rrëmbyer llokmën më të madhe. Këtë frazë e kam shkëputur nga fjala e para dy vjetëve në parlament, tamam-tamam më 22 tetor 2015.

Ka shumë njerëz sot që e lidhin protestën e 18 shkurtit me ngjarjet në Rumani. Ka shumë prej nesh që kërkojnë me ngulm që shqiptarët t’u ngjajnë medeomos rumunëve. Të cilët po ofrohen të shërbejnë si model për të zgjuar reflekset e topitura të shoqërisë sonë për të reaguar. Ndërsa qeveria dhe zërat afër saj thonë të kundërtën, se nuk mund të ketë fare ngjashmëri, mes dy vendeve. Mund të ngjajë si paradoks, por unë jam më shumë me të dytët.

Unë mendoj se ne nuk ngjajmë me Rumaninë, sepse jemi shumë më keq se ajo. Shqiptarët kanë shumëfish arsye për ta refuzuar dhe rrëzuar qeverinë e tyre. Dhe kjo, jo thjesht se në raport me ta kemi mbetur shumë prapa në procesin e integrimit në Europë.

Cfarë po ndodh tamam atje? Po protestohet kundër zbutjes së reformës në drejtësi, ndërkohë që këtu nuk duan që ajo të nisi fare. Po kush nuk do më shumë, në fakt? Qeveria vetë. Edi Rama do ta rrëmbejë për vete drejtësinë, Ilir Meta ta lërë sic është. Të dy kanë dhënë prova të shumta dhe të qarta për synimet e tyre diametralisht të kundërta. Unë nuk e di me siguri kush është më keq, por jam i sigurt se që të dyja janë totalisht kundër vullnetit të shumicës. Pikërisht reforma që thonë se është suksesi i tyre më i madh. Se për gjë tjetër nuk mburren dot. Dhe pyetja është se cfarë e mban në këmbë një qeveri kur aleatët e mëdhenj, që e mbështesin atë, janë kundërshtarë të egër edhe për reformën kryesore?

Kemi mbërritur në pikën që Ilir Metës të thotë se po të mos kishte qenë ai nuk do të bëhej fare reforma. Unë kam pasur rezervat e mia publike për këtë reformë, për shkak se kam gjykuar se është e pamjaftueshme dhe se vendi kishte nevojë për një reformë të plotë kushtetuese. E megjithëse vijoj t’i qëndroj bindjes sime, unë prapëseprapë e kam votuar me koshiencë të plotë atë. Por sinqerisht, po ta di që reforma në drejtësi paska qenë në dorën dhe mëshirën e Metës, jam gati të tërheq publikisht votën time prej saj.

Sot po i nxjerrin sytë njëri-tjetrit dhe e vetmja gjë që i mban janë llogaritë matematike. Janë si bixhozxhinjtë që duan të luajnë me risk zero, prandaj edhe nuk ndahen dot. Por gabim e kanë, se edhe të bashkuar nuk do të mjaftojë që të mbijetojnë për ta mbajtur pushtetin e tyre të korruptuar.

Kjo është e vetmja qeveri që nuk njeh asgjë tjetër përvec numrave. Sali Berisha shpiku vetëm termin Shqipëria digjitale, sepse në fakt këta po e zbatojnë realisht projektin e tij. Sigurisht, jo në rrafshin e aplikimit të teknologjisë së avancuar të komunikimit, por në sensin e vendit që po ia dorëzon shpirtin e vet numrave. Sot, po u hakërrehen njëri- tjetrit me shifrën gjoja magjike të 71 votave. Njëri i ndërsen në shpinë një televizion kombëtar, kurse tjetri i përgjigjet flakë për flakë me gazetë. Shyqyr që po mjaftohen me kaq e nuk po e zgjerojnë rrethin e shtypit që kontrollojnë, se mund të na vriteshin gazetarët me njëri-tjetrin. Aq të varura, të kapura dhe të ndikuara janë mediat në Shqipëri, për shkak të pushtetit të tyre që korrupton gjithëkënd.

Dikush duhet t’u thotë këtyre trimave të cartur që aritmetika të ndihmon të vish në pushtet, por jo që domosdoshmërisht ta mbash atë. Po marr shembull vitin 97. Nuk më pëlqen aspak ta them, por na ka ndodhur ne. Kemi ikur nga pushteti atëherë, kur kishim 90 përqind të parlamentit. Bota sigurisht i ka më të shumta dhe më të shpeshta rastet. Sepse cdo popull ka të drejtë ta kapë për leckash qeverinë e vet, nëse e bën baltë, pavarësisht numrave, me të cilat ajo vjen në pushtet.

Se numrat janë një mundësi, por jo një e e drejtë e dhënë një herë e përgjithmonë. Kjo është qeveria që i ka bërë gjëmën këtij vendi. Sepse ajo edhe në menaxhimin rutinë të punëve të veta nuk ka asnjë frymëzim, por njeh vetëm numrat dhe vlerat statistikore. Që do të thotë se është e pashpirt. Ajo operon me tendera, koncensione, metra katrorë, hektarë, euro, dollarë, vota, shuplaka, miliona etj, por jo për të zgjidhur probleme, halle, paga, pensione, rrugë, mirëqenie, shkollim apo kulturë.

Kjo është qeveria që e ka denatyruar politikën, i ka hequr asaj cdo grimë njerzillëku, cdo vokacion dhe cdo inspirim dhe cdo dozë misioni brenda saj. Ndërkohë që, jo vetëm politika, që ka lindur për t’i shërbyer njerëzve, por asgjë në këtë botë nuk mund të jetë pa shpirt dhe vetëm aritmetikë. Edhe vetë biznesi e ka të fortë dimensionin social. Megjithëse ai që në definicion është i lidhur me fitimin. Kurse kjo qeveri jo, madje nuk bën as ndonjë përpjekje për ta fshehur këtë sëmundje.

Ndërkohë që vetë njeriu nuk mund të konceptohet pa dimensionin social. Po ju marr një shembull recent. Ai që iku së fundmi nga kjo botë, të cilin nuk ditët as ta nderonit tamam, jo thjesht se Edi Rama vajti me atlete në ceremoninë mortore. Dritëro Agolli. Shumë e vlerësuan, por disa edhe shanë. Më mirë kështu, se ndryshe cfarë kuptimi do kishte, që jetojmë në kohë lirie. Ata që thanë ndonjë fjalë të hidhur, mendoj unë, e nderuan më shumë poetin, se sa ata që zbrazën karikatorë lëvdatash të pandjera.

Cfarë la prapa ai? Numra? Jo. Nuk kishte lidhje me to. Shpirtin, përpjekjet dhe fjalën, po. Mund të hajë debat sa të duash, kush mbizotëroi tek jeta dhe vlerat e tij, pozitiviteti ose jo. Por është jashtë cdo dyshimi, se ai ishte një shqiptar, që la pas një vepër të madhe, e cila sigurisht do rivlerësohet me kalimin e viteve.

Kurse kjo qeveri nuk mund të kujtohet për asgjë të mirë. Sepse nuk ngjan fare me Dritëroin, megjithëse u përpoq më kot ta përdorë famën e tij për të kuruar imazhin e vet të rrënuar. Dhe cuditërisht, në përuljen dhe ditirambet për të ndjerin të dy armiqtë bashkëqeverisës ishin aq shumë afër njëri-tjetrit, mesa duket ngaqë hipokrizia i bashkon edhe të ndryshmit.

Por kjo qeveri, megjithëse e mbaruar, nuk duhet pritur të bjerë vetë. Se mund të na zerë brenda. Ndaj të nisim me 18 shkurt një lëvizje, jo thjesht për të rrëzuar një qeveri, por për të ndryshuar rrënjësisht konceptin për qeverisjen në këtë vend. Ne duhet t’i kthejmë politikës shpirtin.

Nuk e thotë vetëm opozita, që kjo është një qeveri që nuk jep asnjë garanci për zgjedhje të lira, të cilat janë në prag tashmë. Ku edhe vetë aleatët e mazhorancës kanë frikë nga përdorimi i policisë apo i kanabisit. Po ky është fundi i botës, të nderuar kolegë. Ne jemi katandisur në një vend ku shitblerja e votës është insistucionalizuar. Si asnjë tjetër, jo vetëm në Europë, por edhe në rajon. Shikoni Maqedoninë fqinje, me një mijë halle, por që nuk ka asnjë kontestim për zgjedhjet. Për të mos shkuar më tej.

Ndaj ta refuzojmë dhe ta rrëzojmë këtë qeveri, të rënë prej kohësh, moralisht dhe politikisht, e cila vetëm një shtyrë do që të gremiset. Të mos harrojmë se jemi më të goditur, më të turpëruar, më të nëpërkëmbur, më të grabitur dhe më të kërcënuar për të ardhmen tonë se rumunët.

Dhe në fund, dy fjalë për 18 shkurtin. Kam dëgjuar këto ditë shumë tipa që flasin me përcmim dhe me tallje për protestën e opozitës, ndonëse duhen edhe 10 ditë. Në fakt, gjithë këto energji negative vecse dekonspirojnë ankthin e qeverisë prej saj. Po na thonë “u bëtë ju, që keni bërë këtë dhe atë, para katër apo më shumë vjetësh, kjo nuk do të ndodhë kurrë”, e gjepura të kësaj natyre.

Tani që ta keni të qartë, një herë e mirë. Cfarëdo që të kemi bërë ne, edhe sikur gjithcka thoni ju të jetë e vërtetë, që s’ka si të jetë, ne e kemi marrë një herë faturën dhe nuk shpëtoni dot duke thirrur në ndihmë gogolin e së shkuarës.

Por ka një arsye të fortë pse ju duhet të jeni të lumtur që do të bini prej nesh. Sepse, vjen një moment, ku nuk të hynë më fare në punë as milionat, as droga, as bandat, as policia, as votat e blera, as shuplakat, dhe kjo kohë po vjen me shpejtësi në Shqipëri për shkakun tuaj.

Po ikët prej nesh, që jemi pjesë e sistemit, është brenda logjikës, që mishin do t’ua hamë, por kockën do t’ua ruajmë. Nëse nuk do të jemi të zot ta bëjmë ne, është e sigurt që do ta bëjë dikush tjetër, sepse nuk e mbyllni dot në epruvetë shpirtin e një populli. Kam frikë se në atë rast nuk di të dini ku të fusni kokën. Natyrisht, unë ende i besoj dhe do të luftoj për variantin e parë.

Please follow and like us: