Peter Ainsworth dhe John Vaudreil, dy prokurorë amerikanë në OMN
Ambasada e SHBA-së: Do të vijnë të tjerë prokurorë amerikanë për të monitoruar pastrimin e drejtësisë nga krimi e korrupsioni.
Peter Ainsworth dhe John Vaudreil, janë të parët ekspertë amerikanë që kanë mbërritur në Shqipëri, si pjesë e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM). Përmes një njoftimi për mediat, ambasada e SHBA sqaron se të tjerë prokurorë do të vijnë në Shqipëri për t’u bërë pjesë e monitorimit të vetting-ut, deri në fund të procesit.
Ambasada jep të dhëna për karrierën e dy ekspertëve të monitorimit. Kështu, Peter Ainsworth është Këshilltar i lartë Kundër Korrupsionit për Departamentin e Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara. Ndërmjet 1997 dhe 2011, Ainsworth ka qenë Zëvendës Shefi i Sektorit për Integritet Publik në Departamentin e Drejtësisë, sektori kryesor i prokurorisë së qeverisë për hetime kombëtare dhe ndërkombëtare mbi korrupsionin publik, ligjet elektorale, dhe shkeljet e konfliktit të interesit.
Ndërsa John W. Vaudreuil është Përfaqësuesi Ligjor për distriktin perëndimor të Wisconsin. Ai ka shërbyer si prokuror federal qysh prej 1980. Gjatë karrierës së tij, Vaudreuil, ka punuar në mijëra çështje kriminale, përfshirë dhe ato të korrupsionit publik. Në gusht 2010, ai u emërua nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara për të qenë Prokurori Federal Kryesor në distriktin e tij.