Regjisori Kujtim Gjonaj “Mjeshtër i Madh” dhe filmi për Çamërinë
Ajo që u shfaq për publikun në Teatrin e Operës dhe Baletit nuk ishte thjesht një dokumentar, nuk ishte thjesht një vepër filmike..
Albert. Z.ZHOLI
Është normale që të jesh shqiptar dhe të jetosh në një lagje me çamë (siç ishte Kujtim Gjonaj), ke simpati për ta. Ishin njerëz të kulturuar, të qytetëruar (kujton Kujtimi) . Kishin bërë emër në historinë kulturore arsimore shqiptare. Poshtë shtëpisë së tyre jetonte një grua çame. Dhe kur fëmijët erdhën në jetë patjetër që do bënin zhurmë. Dhe gruaja çame thoshte gjithnjë: “Le ta kthejnë përmbys! Shyqyr që nga i vetëm, Kujtimi u bë me tre fëmijë”. Pra, ishte respekti për të, por mbi të gjitha sundonte dashuria dhe mirësia. Pra, politika agresive e kohës nuk ndikoi për keq në marrëdhënien me ta. Në lagje kishin shumë çamë, i ati punonte me ta dhe i vlerësonte si punëtorë të ndershëm dhe të zotë. Pra, përveç njohurive historike, ishte i mbushur edhe me këto mbresa njerëzore. Historinë e tyre e njihte. Pas hebrejve ata ishin populli më i diskriminuar, më i persekutuari në Evropë. Dhe meqenëse ai kishte një dashuri marramendëse për historinë dhe personazhet e mëdhenj të kësaj historie, e ndiente një mangësi që s’kishte bërë diçka për çamët. Dhe i dukej një boshllëk. Edhe pse gjithnjë e lidhte gjaku me atë vend të mrekullueshëm që dikur quhej Çamëri.
Në vitin 2007 i propozojnë privatisht për të xhiruar dhe marrë disa intervista me disa të moshuar çamë, që gëzonin shëndet të mirë dhe ishin ende gjallë. Bëhej fjalë për gra dhe burra të moshuar, që kishin parë me sytë e tyre dhe provuar mbi shpinë atë masakër dhe dhunë të tmerrshme nga militarët e Zervës. Intervistoi shumë plaka dhe pleq. Fjala e tyre kishte shumë dhimbje, shumë trishtim, shumë gjak. Intervistat jo vetëm e trishtuan pa masë, por dhe i zgjuan brenda shpirtit ndjenjën e revoltës. “Përse të mos bëj një dokumentar proteste?”, mendonte shpesh me vete. Shfrytëzoi me mjeshtëri kuadrot që kishte xhiruar ndër vite në krahinën e Çamërisë, kur merrej me filmin e Ali Pashës dhe Faik Konicës. Pamjet filmike u ndërthurën bukur me copat e intervistave.
“Përse!?” Kështu e titulloi filmin, dhe brenda kësaj pyetjeje që t’harrej gjatë tërë filmit, ishte brenda dhuna, egërsia, reprezalja, grabitja, përzënia, përbuzja, dhimbja. Suksesi i filmit e gëzoi. Në këtë atmosferë gëzimi, i afrohet Enver Kushi, shkrimtar dhe skenarist, dhe i prekur nga ajo ç’kishte parë, i tregon se ka një skenar të plotë për Çamërinë. Enveri shquhej si tregimtar i mirë dhe skenarist me përvojë, por e ngacmoi dhe fakti se Enveri e njihte temën mjaft mirë edhe si çam. Dhe ai e dinte, që ai e kishte shumë për zemër këtë temë. Skenari ishte vërtet i mirë dhe atij i pëlqeu. U ulën dhe bashkë me Enverin, Gentin, producentin e filmit, bënë një projekt filmi, të kompletuar për të konkuruar. Kishin bindjen se do fitonin. Por zhgënjimi qe shumë i madh. Bordi i ngritur pranë Qendrës Kombëtare të Kinematografisë në atë sezon të vitit 2008 ka qenë ndoshta bordi me aftësi relative profesionale, por dhe nga më të politizuarit. Çuditërisht ai projekt nuk fitoi. Trishtim për të gjithë, por në mënyrë të veçantë për regjisorin, që realizimin e këtij filmi e shihte dhe e vlerësonte si një krijim artistik, që do plotësonte më së miri platformën e tij regjisoriale për të fiksuar përfundimisht shiritin filmik në gjithë hapësirën mbarëshqiptare. U desh të prisnin një kohë më të mirë. Dhe ishte shansi i filmit caktimi i një bordi më profesional, me kryetar eruditin e shquar, profesor Moikom Zeqon.
“Ëndrra e Çamërisë” është një dokumentar ku përkushtimi i tij qe maksimal, por si një njeri që brenda vetes ka të kultivuar thellë ndjenjën e mirënjohjes, që ai shpesh në biseda e emërton institucion, nuk rri pa përmendur me respekt ndihmën e pakursyer të kolegëve dhe të komunitetit çam. Nuk do të arrihej të bëhej kurrë ai film me atë nivel dhe me ato përmasa pa Enver Kushin, Gavrosh Haxhihysenin, Tahir Muhedinin, Dashamir Tahirin, Indrit Hamitin, Sali Bollatin dhe shumë e shumë të tjerë.
“Një film drithërimë… Ajo që u shfaq për publikun në Teatrin e Operës dhe Baletit nuk ishte thjesht një dokumentar, nuk ishte thjesht një vepër filmike… Ishte më shumë se kaq. Ajo që panë për herë të parë pas 100 vjetësh, në mënyrë më të gjerë dhe më të plotë ishte fakti që regjisori Gjonaj na hoqi prej syve një mjegull… Një mjegull 100 vjeçare që nuk na ka lënë të shohim të plotë Çamërinë. Këtë ëndërr të madhe që kullon brenda kujtesës dhimbje, kuje, gjak. Ajo që ndodh në këto raste është njëlloj sikur ndodh me heqjen e perdes tek sytë e një njeriu që sheh turbull. Pas operacionit sytë befas mbushen me dritë dhe bota bëhet më e qartë. Për shumë arsye Ajo, e bukura Çamëri, më e bukura e dheut shqiptar, ka qenë në mendjen tonë si përtej një xhami të hukatur nga avulli… Nga avulli i mallit që del prej mushkërive tona. Kjo është fuqia e artit dhe artistit. Për herë të parë në një vepër të gjerë, dhe nga një mjeshtër i vërtetë i filmit dokumentar si Kujtim Gjonaj, Çamëria, viset dhe historia e popullit të saj, vijnë me pamjet të plota tronditëse.”
Kështu foli dhe shkroi poeti dhe regjisori Petrit Ruka.
Popullata çame është masakruar, është vrarë, është përdhunuar, është përzënë. Dhe kur bisedon nga më i vogli tek më i moshuari të përcjellin këtë dhimbje, këtë dramë që ka zënë vend në fytyrat dhe shpirtin e tyre. Ka shumë foto, të vërtetat historike kronikale, të dhënat gojore, të shkruara, përpjekja e njerëzve të nderuar të kësaj krahine për të thënë atë të vërtetë të dhimbshme. Një mori pa fund faktesh që tregojnë përdhunimin e njerëzve të kësaj krahine. Këtë të vërtetë tragjike, të dhimbshme, rrëqethëse e ndien sapo kalon kufirin. E has në rrënojat e vjetra të shtëpive të braktisura nga çamët e përzënë apo livadhet e shkreta të mbetura djerr. Pra, ndjehet prezente kjo dhimbje në çdo hap që hedh në atë që ne e quajmë Çamëri.
Regjisori kujton: “Xhironim dikur në një rrugë të Pargës dhe dëgjuam një melodi me fishkëllimë që nuk ishte gjë tjetër vetëm një melodi e vjetër që të kujtonte këngën “Qan Minushi” dhe i afrohemi dhe e pyesim. Heshtje. Ndoshta kuptojnë shqip ndoshta jo. Por heshtin. Dhe heshtja e tyre vret. Dhe ishin djem të rinj. E ndien kur takon një plakë të moshuar dhe ajo i përgjigjet shqip. Dhe gjithë ky emocion që rritet ka qenë prezente dhe atje, në marrëdhëniet që ndërton ai me ato që gjen atje. Ose shqiptarë të mbetur, ose shqiptarë ortodoksë ose shqiptarë të konvertuar nga halli. Të asaj kohe. Pra, këtë lloj dhimbje e ke permanente dhe të forcon dëshirën për të thënë çdo gjë sa më mirë dhe sa më bukur. Për ta treguar sa më mirë të vërtetën rrëqethëse. Por e ndjen këtë dhimbje dhe te shqiptarët çamë të këtushëm që kanë lidhje gjaku me të andejmit, me mënyrën si përpiqen të të ndihmojnë për të arritur tek tragjizmi çam. Ndonjëherë dhe fshehurazi. Frika e persekutimit dhe diskriminimit ekziston.
I kujtohet tek xhironte filmin për Ali Pashën. Kalonin nga Janina në zonën shqiptare të Thesprotisë, siç e quajnë grekët Epirin, në një rrugë malore në vendin që quhet Ballkoni i Madh. Poshtë duket Çamëria. E tëra si në pëllëmbë të dorës. Ndalojnë dhe xhirojnë disa pjesë. Ishte toka e të parëve.
– Jepi Niko, xhiro. Është trevë e të parëve tanë.
E ndërsa ai flet, nga një makinë policie ndaluar pak më tej, shkëputet një vajzë me uniformën e punonjësit të policisë greke. Pasi përshëndet më mirësjellje pyeti:
– Po xhironi?! Peizazh i bukur.
Fliste një shqipe të kulluar, si për t’u treguar dhe tërhequr vëmendjen se ajo dhe kolegët kuptonin dhe nuk duhej të flisnin shqip. Ishte ndjenja e të qenit shqiptar, një lloj thirrje e gjakut për t’i ruajtur nga ndonjë e papritur.
Një krijues kur merret me ngjarje të mëdha historike ndjen një peshë të madhe. Peshën e historisë. Krenarinë. Kur ka shkuar për herë të parë në Sul ndjeu peshën dhe tragjizmin e grave që u hodhën nga shkëmbi për të mos rënë në dorë të armikut. Por ndien dhe vështirësinë e suljotëve për ata që e tradhtuan çështjen shqiptare dhe iu afruan armikut. Dhe se si ndihesh kur shikon fotografinë e Zervës në mes të Sulit. Ndien neveri dhe përçmim. Ndërkohë që ndien krenari kur sheh Marko Boçarin. Përzihen lloj-lloj ndjenjash. Një krahinë e bukur, e ashpër me kalatë e vjetra, me puset. Ti kërkon t’i flasësh me gjuhën e zonës dhe ata përgjigjen greqisht. Historia parakalon para teje me vuajtjen e tyre. Ndien krenari për figura që dhanë jetën, por dhe përçmim për ata që e tradhtuan çështjen shqiptare. Për Çamërinë u xhirua në Greqi, në Turqi, Amerikë, ku kishte një komunitet çam shumë të fuqishëm. Në Filadelfia, një nga qytetet e bukura të Amerikës, shpalosej flamuri shqiptar mes flamurëve të gjithë kombeve. Është një kënaqësi e ëmbël në një mëngjes të bukur të ftohtë dhe të hidhur. U zhvillua një festë për ardhjen e tyre dhe kjo ishte diçka e veçantë. Me vashat e vogla të veshura me kostume çame që kërcenin e këndonin me atë shqipen e veçantë në dialekt. Dhe ndjesia e shqiptarëve që deklaronin “Unë kam lindur dhe do vdes çam. Nuk bëhem dot amerikan”.
Kur u bë premiera në Tiranë ishte diçka e veçantë se pati duartrokitje në momente të veçanta të filmit. Dita e premierës ishte me shumë shi, ditë furtune dhe shumë ftohtë. Të gjithë menduan që në atë qamet të madh nuk do të kishte shumë njerëz. Erdhën 1600 veta në Teatrin e Operës dhe Baletit. Gjithë salla u mbush plot dhe shumë njerëz ndenjën në shkallë. Gati 600 veta u kthyen mbrapsht. Po, ishte një premierë madhore, shumë e kompletuar. Po ky film, pak kohë më pas u vlerësua nga Akademia “Kult” si filmi më i mirë dokumentar i dy viteve të fundit. Ishte një film që i dha shumë kënaqësi, pati shumë sukses dhe u shoqërua me disa premiera në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Një sukses i plotë dhe i merituar.