Sonila Meço: Lajme të jashtëzakonshme, ja ku i keni Ramën e ministrat
Një edicion informativ, në një të enjte shkurti, në një univers paralel, ku projektohet Shqipëria e sotme me mediat e ëndërruara:
1. Kronika e heqjes së paralajmëruar të palmave. 600.000 euro dëm taksapaguesve shqiptarë, që nuk u pyetën as kur u vunë e as tani që po i heqin.
2. Në Zharrëz vijon greva e urisë së banorëve me shtëpi të shkatërruara, ujë të ndotur e jetë të nxirë nga një investim plot probleme që shteti shqiptar nuk i del dot për zot. Zv.kryeministri e cilëson sulm ndaj investimeve të huaja cdo pretendim të shkatërrimit të jetës e natyrës në atë zonë. Shqiptarët nuk u pyetën as atëherë e as sot.
3. Grabitet makina që transportonte paratë e një banke të nivelit të dytë, po në të njëjtën rrugë ku zakonisht ndodhin spektaklet e llojit, në mes të ditës. Rojet private buçasin nga marazi ‘i kryen vetë shteti’, shteti ngre helikopter të kapë grabitësit. Shqiptarët paguajnë në çdo rast me xhepat e tyre, edhe për karburantin e helikopterit. Dhe si në kronikat e mësipërme, nuk i p….yet kush.
4. Nisin hetimet ndaj shefes së zyrës së BE në Tiranë për abuzime fondesh, pushime të padrejta nga puna e punësime nepotike. Fonde të destinuara për shqiptarët që siç e kemi traditë këtyre anëve nuk i pyet kush.
5. Avokatja e Shtetit, që mbron interesat e shqiptarëve në çështjen e CEZ, ka konflikt interesi, pasi bashkëshorti ka qenë avokati i kompanisë në fjalë. Shqiptarët praktikisht të pambrojtur.
6. Në kuvend sot mungonte një pjesë e qeverisë. Ajo pjesë që ndodhej aty, me kokat mbi celularë, pa prezencën e kreut e gjitha nën akuzë për shpërdorime fondesh, afera korruptive, lidhje me krimin, abuzime me detyrën…asnjë llogaridhënie para shqiptarëve, asnjë mendje për ta bërë dikur.
Një e enjte e zakonshme lajmesh të jashtëzakonshme në një univers paralel ku projektohet Shqipëria e sotme me mediat e ëndërruara.
Për momentin e gjeni në facebook, aty ku gjendet edhe kryeministri, ministrat e deputetët, vendimarrësit dhe shqiptarët e revoltuar, si unë xhanëm.