Albspirit

Media/News/Publishing

Suksese në jetë z. Ministër i Shëndetësisë Falas; Nga heroi i kohëve pa heronj Frrok Bardhi

Dritan LACI

Në këtë kohë patrimash, ose trimash facebooku, infermieri i kohëve moderne dhe jo Doktorr Bardhyli heroi i filmave të socrealizmit shqiptar që operonte pa narkozë , Bluza e Bardhë Frrok Bardhi i “Shendetësisë Falas” së Rilindjes na tregoi të gjithëve mbrëmë në emisionin “Stop” se ai nuk është thjesht qejfli trimash, por është nga të paktët njerëz që në këtë kohë babëzish, gënjeshtrash, shantazhi, makiazhi, lavazhi; na del dhe na thotë atë të vërtetë që të gjithë e dimë por shumë pak vetëve ja mban ti thotë ashtu si janë. Të vërtetën e hidhur të një gënjeshtre që e dëgjojmë “falas” çdo ditë në ekran për shëndetësinë që po rilind, por që Frroku me guximin e tij na e solli ashtu cullak, të përdhosur, të mjeruar deri në skajshmëri. Shëndetësia falas të cilën na e solli lakuriq me të vërtetat e saj të dhimbshme Frroku.

Infermieri që ne të gjithë sot e kemi quajtur hero. Por që para se të jetë i tillë ai është tokësor. Është me halle si gjithë ne. Ka një familje për të ushqyer. Punon në kushte të vështira. Është i shantazhuar gjithë kohës me mendimin e heqjes nga puna. Ashtu si të gjithë ju, ne, ata.

Frroku është sot simboli i “Suksese në jetë z. Ministër”. Modeli i një çerek shekulli tradhëtie kombëtare. Ku politika ka bërë të pamundurën për ti përzënë shqiptarët nga vendi i tyre. Duke e kthyer Shqjpërinë edhe sot në një vend të ashtëquajtur demokratik, por me padrejtësinë dhe diskriminimin më të thellë social që mund të gjesh në Evropë.

Frroku dje nuk doli për tu bërë hero. Doli se ishte i lodhur. Doli sepse i ka ardhur në majë të hundës. Doli sepse nuk i del fundi i muajit. Doli sepse ndihet i rrezikuar çdo ditë në vendin e punës. Doli sepse nuk mund ti durojë gënjeshtrat e Ministrit të tij. Doli sepse nuk mund ti durojë kasetat e gatshme të përgatitura në zyrat institucioneve shtetërore me taksat e Frrokut dhe të gjithëve ne. Frroku nuk lindi hero. Frroku lindi tokësor. Frrokun e bëri hero padrejtësia.

Frrok po të shkruaj tani si tokësor,  jo si hero, por si një guximtar. Por të drejtohem me fjalët e të madhit Mark Twein; “Guximi në jetë shpesh është një spektakël më pak dramatik se sa guximi i një momenti final, por nuk është më pak një përzierje e mrekullueshme e triumfit dhe e tragjedisë. Njeriu bën atë që duhet pavarësisht nga rrjedhojat personale, pavarësisht nga rrjedhojat personale, pavarësisht nga pengesat rreziqet dhe presionet dhe kjo është baza e të gjithë moralit. Guximi është qëndresa ndaj frikës, mjeshtëria për ta kontrolluar atë, dhe jo mungesa e frikës.”

Ajo që dua të shikoj tani Frrok,  është a jemi ne të gatshëm si shoqëri ti përgjigjemi aktit tënd. Të kemi guximin e rumunëve që nuk shkulen nga sheshi. Unë këtë nuk e di. Unë këtë e pres….

A është koha ti themi “Suksese në jetë z. Ministër” dhe çdo pushtetari që abuzon mbi të mirën publike.

Unë këtë kam çerek shekulli që e pres….

Dhe për ta mbyllur Frrok, dhe e këtë e kam edhe për shqiptarët, Hajnrih Hajne shkruan

“Kur heronjtë largohen nga skena, atëherë hyjnë kllounët.”

Uroj që ky të mos jetë rasti i shqiptarëve dhe ti Frrok mos të mbetet thjesht një hero i ditës që lamë pas…

Please follow and like us: