Albspirit

Media/News/Publishing

1946, dënimi i Bashkimit Demokratik dhe pseudonimet e spiunëve që kontribuan

Kastriot Dervishi

Kjo është fotoja më kryesore e përgjithshme e procesit gjyqësor kundër grupit Bashkimi Demokratik që përbënte opozitën shqiptare të vitit 1945, e përbërë kjo nga monarkistët e Qenan Dibrës, socialdemokratët e Musine Kokalarit dhe qëndrrestarët e Sami Qeribashit.
Në atë kohë u gjykuan 37 persona, 4 prej të cilëve ishin bashkëpunëtorë të Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit (pararendësja, pasi Sigurimi nuk ishte krijuar ende). Pra në mesin e 37 të dënuarve gjenden edhe “Aleksi”, “Dara”, etj.
Zbulimi i grupit Bashkimi Demokrat nuk ka praktikë të veçantë arkivore, por dokumente të shpërndara në dosje të tjera me ose pa lidhje midis tyre. E vërteta e zbulimit të këtij grupi, përveç “Darës” dhe “Aleksit” ka “kontributin” edhe të “Drinit”, “Pranvdës”, “Shkrimtares”, etj. Sigurisht këto të dhëna nuk ndodhen në dosjen formulare nr. 2912 në ngarkim të Musine Kokalarit.
Procesi gjyqësor ndaj grupit në fjalë u zhvillua në Tiranë më 17 – 30 qershor dhe më 2 korrik 1946. Përfundoi me 9 persona të pushkatuar (më shumë për ta do shkruaj në postime të tjera) dhe shumë të dënuar.
Kjo foto postohet në kujtim të 100 vjetorit të lindjes së Musine Kokalarit, e cila shihet djathtas. Pavarësisht se fotografimi nuk është shumë cilësor në raport të gjetjes së planit të shikimit, ka prodhuar të vetmen foto që tregon të gjithë të pandehurit së bashku. Edhe pamja e ushtarëve që shoqërojnë të pandehurit flet shumë.

Please follow and like us: