Albspirit

Media/News/Publishing

Ku përfundoi slogani: ‘Një Polici, një shtet’?

Pëllumb Nako

Që në fillim duhet pranuar se slogani elektoral i forcës politike kryesore sot në pushtet “Një shtet, një polici” ishte një gjetje vërtet interesante dhe intigruese nisur edhe nga fakti se në vendin tonë nuk para ka shumë traditë që në fushën e sigurisë  të gjithë aktorët të punojnë të sinkronizuar apo në një formë të integruar.

Pavarësisht kësaj nisme, unifikimi i policisë duket shumë i vështirë  në kushtet e një ekonomie tregu kur edhe për sigurinë publike futet rregulli kërkesë-ofertë. Ku oferta mund të vijë edhe nga privati, edhe nga komuniteti, edhe nga shteti i cili këtë ofertë mund ta bëjë civile dhe ushtarake. Rol në ndryshueshmërinë e ofertave për siguri publike luan  edhe decentralizimi gjithmonë e më shumë i pushtetit lokal,

Argumenta dhe kundër argumenta mund të ketë shumë, por në fund të fundit thelbi mbetet në faktin se u mor një vendim dhe slogani në fjalë u shpall në programin politik të qeverisë së sotme. Nisma “një shtet, një polici” synonte rregullimin e një situate të konsideruar jo të pëlqyeshme dhe të hasur gjatë një periudhe të mëparshme kohore që i përkiste një qeverisjeje tjetër. Në mënyrë përqeshëse kjo periudhë quhej    “epoka rrumpallë”.

Të paktën në parim duhet thënë se përveç niveleve politike të qeverisjes, edhe nivelet me larta të administratës duhet që ti kishin hedhur një sy programit elektoral te Partisë kryesore në pushtet dhe të shihnin se çfarë kishte parashikuar programi i qeverisë lidhur me sigurinë publike ku dominonte slogani “një shte, një polici”.

Në një shikim të parë, lista e mëposhtme tregon ligjet e hartuara dhe aprovuara nga qeveria  si më të rëndësishmit dhe që lidhen direkt me sugurinë publike:

Ligji “Për Policinë e Shtetit” u miratua më 31.07.2014

Ligji “Per Sherbimin Privat te Sigurise Publike” u miratua ne 10.07.2014.

Ligji “Per perdorimin e armes” u miratua ne 10.07.2014.

Ligji ” Per armet” u miratua ne 10.07.2014.

Ligji ” Masat shtese per Sigurine Publike” u miratua ne 2016.

Nga kjo liste duket sikur nuk ka ndonjë gjurmë që të materializojë konkretisht doktrinën e kudo shpallur “Një shtet, një polici”.

Megjithatë, le ti kthejmë sytë pas në kohë dhe të analizojmë atë që është thënë dhe ta krahasojmë me atë që është bërë ose më saktë  nuk është bërë.

Një nga premtimet më të bujshme, boshti i reformave të premtuara në fushën e sigurisë publike,  nxitur edhe nga tragjedia e 21 janarit, ishte ai i shkrirjes së Gardës së Republikës.

Gazeta “Shqip” e datës 07.04.2014 citon një deklaratë të Ministrit të Brëndshëm :

“Garda e Republikës nuk do të ekzistojë më si e tillë. Brenda 100 ditëve do të ketë përfunduar procesi i reformimit dhe modernizimit.”

Zotimi jo vetëm që nuk u mbajt, (në sajë të lobimeve të bëra në Parlamentin Shqiptar) por në se do të hapinim sot dhe të konsultonim websitin e Gardës së Republikës www.garda.gov.al  në rubrikën “Legjislacioni” dhe të klikonim mbi të, do të shihnim se edhe sot e kësaj dite Garda e Republikës punon me ligjin ” Ligji i Gardës me ndryshimet Nr. 9445, datë 16.11.2005 si dhe me ligjin Nr.8869, datë 22.05.2003 për Gardën e Republikës”.

Ligje këto të hartuara në epokën e cilësuar “rrumpallë”.

Pra, as Garda nuk u shkri, as ligji që normon punën e saj nuk ndryshoi.  Premtimi u la rrugëve njëlloj si kur u themi paraardhësve se na lanë rrugët rrugëve.

Komentet dhe epitetet në këtë rast do të ishin të shumta dhe aspak pozitive.

Duhet ta theksojë se ideja e shkrirjes së Gardës ishte një nismë tërësisht e përputhshme me shumë vende me demokraci të zhvilluar ku ruajtja e personaliteteve gjithmonë i besohet policisë, kurse pjesa e ceremonialit varet gjetkë. Pavarësisht nga kundërshtitë apo  faktorët që detyruan qeverinë të heqë dorë, thelbi mbetet i provuar: Nisma ngeli rrugëve.

Gjatë një takimi që Kryeministri bëri me kryebashkiakët e sapo zgjedhur, në 6 korrik 2015  deklaroi se policitë bashkiake do të shkriheshin. Gazeta “Shqiptarja.com” e asaj date citon:

Shkrihen policitë bashkiake.

Jemi duke studiuar edhe përfshirjen e bashkive të reja drejtpërdrejt në çështjet e rendit publik. Edhe këtu ka ardhur koha për një reformë. Shkrirje e policisë bashkiake dhe e drejta e kryebashkiake për të nxjerrë urdhra administrativë për policinë e shtetit, me rendin me qarkullimin dhe aspektet për të cilat kryetari i bashkisë është i zgjedhur. Është një reformë realisht shumë rrënjësore por ne besojmë që është një reformë e domosdoshme për tu dhënë kryetarëve një forcë që nuk e kanë pasur deri më sot në raport me domosdoshmërinë për të bërë politikat e tyre për rendin e qarkullimin. Për të qenë krah për krah me qeverinë për ndërtimet e paligjshme e ndëshkimin e  çdo përpjekje.

Shkrirja e Policive Bashkiake nuk do të ishte ndonjë hata. Kurse dhënia e së drejtës kryebashkiake për të nxjerë urdhëra administrativë për policinë e shtetit është shumë interesante. Megjithse sipas organizimit administrativ në vendin tonë prefekti do të ishte në pozicion më të mirë për të nxjerë urdhëra adminsitrativë për policinë.

Por përsëri nuk ndodhi kështu.

Nuk vonoi shumë dhe përsëri gazeta “Shqiptarja.com” vetëm 8 muaj më pas, në datën  09 mars 2016 citon:

Policisë Bashkiake të Tiranës i janë bashkuar 100 rekrutë të rinj. Në ceremoninë e betimit të tyre, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se detyra kryesore e tyre është të kthejnë qytetin në binarët e ligjit.

Vetëm 8 muaj pas njoftimit të shkrirjes se policive bashkiake njoftohet rritja e efektivit të njërës prej tyre, më të madhes në Republike, në Tiranë.

Në medja u fol gjërë për një projekt të përgatitur nga Ministria e Brëndshme që i kalonte policitë bashkiake në varësi të Policisë së Shtetit. Por ciladoqoftë arsyeja nisma ngeli rrugëve.

Edhe në këtë rast komentet apo debatet mund të jenë  të shumta. Nuk ka rëndësi në se do ta gjykonim si zgjidhje të mirë apo të keqe mosshkrirjen e policive bashkiake, rëndësi ka të theksohet fakti se kemi bërë një premtim kot dhe jemi jo vetëm shumë larg nismës “Një shtet, një polici” por edhe pse thamë shprehimisht se do ta shkrijmë policinë bashkiake, bëmë të kundërtën. I rritëm në numër dhe i fuqizuam në çdo bashki. Bëmë amendim të ligjit të mëparshëm, por fakti ngelet kokëfortë  : Doktrina e policive bashkiake ngelet e trashëguar nga epoka që e kemi quajtur “rrumpallë”.

Opinioni publik e kujton me freski vitet kur Policia e Shtetit filloi me vrull të godiste dhe të ndëshkonte individë të shumtë që prisnin pyjet në mënyrë vërtet kriminale. Aq sa u bë, duhet përshëndetur megjithse policia kishte edhe detyra të tjera për të bërë dhe këtë detyrë sipas ligjit duhet ta ushtronte një forcë tjetër policore dhe me të njëjtin status si policia e shtetit. Këto aksione së bashku dhe me disa të tjera filluan të krijonin idenë e implementimit të doktrinës së famshme ” një shtet, një polici”.

Por nuk pati asnjë nismë ligjore. Slogani ” një shtet, një polici” duhej zbërthyer fillimisht në nisma ligjore.

Ligjit 9385, datë 04.05.2005 “Për pyjet dhe shërbimin pyjor”  ka pësuar shumë amendime sidomos me ligjin 48/2016, datë 05.05.2016. Por ky ligj ka pësuar ndryshime edhe me ligjin 36/2013, datë 14.02.2013  ku në nenin 12 të tij thuhet shprehimisht:

1. Policia Pyjore është organ i specializuar i shërbimit pyjor, me funksione kontrolluese. Struktura e Policisë Pyjore, gjatë kryerjes së shërbimit, përfiton status të njëjtë me atë të Policisë së Shtetit.

Sipas këtij neni duhet që policia pyjore të funksionojë me të njëjtin status si Policia e Shtetit dhe jo të përdoret Policia e Shtetit për të bllokuar prerjet e paligjshme të pyjeve. Në këtë rast duket se pësëri nuk jemi as brenda nismës “një shtet, një polici”. as  të kemi vënë në jetë atë që thotë ligji i mësipërm. Ajo që duket qartë ëdhtë fakti se nuk i kemi dhënë gjithë mjetet, rekrutimin e duhur, trajnimin e duhur policisë pyjore, njëlloj si policia e shtetit  që ajo të jetë në gjendje të kryejë detyrën e saj.

Neni i mësipërm është ende në fuqi dhe është hartuar në kohën “rrumpallë”.

Lista e policive që nuk u materialzuan në sloganin “një shtet, një polici” është akoma më e gjatë duke futur këtu sidomos atë pjesë të ushtrisë që luan rol policor ( Roja Bregdetare) . Pak rëndësi ka numërimi i tyre.

Ajo që bie qartë në sy si drita e diellit janë  premtimet jo të pakta në fushën më se të rëndësishme të sigurisë publike të lëna rrugëve. Mos mbajtja e tyre tregon njëherazi shumë probleme. Më saktë  tre supozime dhe një konkluzion:

Ose hartuesit e programit kanë qënë të saktë dhe të qartë në atë që parashikuan, por nuk dinin realitetin në terren i cili krejt natyrshëm do të bënte rezistencë. ( Duke e parë pozitivisht problemin)

Ose ndodhemi përballë një qëndrimi tërësisht të papërgjegjshëm për të qëne serioz ndaj publikut të cilit iu bënë premtime, por gjithshka ngeli rrugëve dhe nuk u realizua në emër të ekulibrave dhe etjes për pushtet brenda grupimeve politike të qeverisjes apo ndërmjet titullarëve të rëndësishëm bashkiakë dhe atyre të sigurisë publike.

Ose administrata e lartë e fushës ka qënë e pa aftë të materializojë programin e udhëheqejs së saj politike ( Në e pastë lexuar programin) .

Shkurt nuk na paskan qënë “rrumpallë” paraardhësit.

Please follow and like us: