Albspirit

Media/News/Publishing

Shqipëria me keq se në kohën e Bonit dhe Klajdit

Mentor Kikia
Bonnie Parker dhe Clyde Barrow, që kanë hyrë në histori si Boni dhe Klajdi, kanë qenë çifti më i famshëm në vitet ’30 të shekullit të kaluar në Shtetet e Bashkuara, pasi ishin grabitësit më të zotë të bankave. Atëkohë, kur vendi ishte përfshirë nga depresioni i madh ekonomik, krimi njohu një lulëzim të paparë dhe grabitja e bankave ishte një “sport” i preferuar i bandave kriminale. Dhjetra filma artistikë e dokumentarë i janë kushtuar kësaj kohe, kur krimi bënte ligjin rrugëve, e vecanërisht historisë së çiftit Boni e Klajdi. Histori që mori fund në 23 maj 1934, kur policia i vrau ndërsa u kishte zënë pritë.

Historia e çiftit të grabitësve të famshëm amerikanë mund ti ngjasojë serialit të grabitjeve që po bëhen në Tiranë, vetëm se janë më shumë se 80 vjet diferencë kohore. Grabitja e fundit e eskortës së një shoqërie private sigurie, me rreth 2 milion Euro, është një rast që meriton të ndalen të gjithë strukturat që përgjigjen për sigurinë në vend. Madje meriton më shumë vëmendje sesa mosarrestimi i Balilit. Kjo për fraktin se grabitja ishte një aksion publik, i zhvilluar në mënyrë të organizuar e perfekte, në një prej rrugëve më të rëndësishme në vend, madje edhe nën filmimet e celularëve të shumë njerëzve. Meriton vëmendje jo thjeshtë për shkak të dëmit, por sepse është aksioni i radhës, që realizohet në të njëjtin vend, përmes të njëjtit skenar dhe padyshim nga e njëjta dorë. Eshtë e njëjta kronologji, banda bllokon rrugën, u drejton armët rojeve, merr paratë, djeg makinat dhe gjurmët zhduken në të njëjtën zonë. Ndrësa policia shkon merr makinat e djegura, që janë gjithmonë të vjedhura, dhe mbledh gëzhojat, ku nuk ka asnjëherë gëzhoja nga armët e rojeve.

Duhet të theksohet se suksesi i bandës nuk është thjeshtë tek aftësia e anëtarëve të saj për të realizuar të tilla aksione, që nuk fillojnë në rrugë, por fillojnë që në bankë, pasi banda ka siguruar më parë informacionin mbi paratë dhe itinerarin e lëvizjes së tyre. Suksesi i grabitësve varet shumë dhe nga paftësia e organeve të policisë dhe prokurorisë për të zbuluar grupin kriminal, i cili është edhe me keq se Boni dhe Klajdi, të cilët njiheshin publikisht, por nuk kapeshin dot nga policia. Banditët e Rinasit nuk janë identifikuar fare se kush janë. Por më shumë se kaq, suksesi i tyre varet nga paaftësia e rojave private të sigurisë për të reaguar në të tilla situata. Dhe për këtë arsye, kjo situatë nuk është rastësi. Ajo është pasojë e një vazhdimësie neglizhence dhe të shkeljes së rëndë të parametrave të sigurisë në të gjitha institucionet publike e private. Qëkurse siguria e këtyre institucioneve iu hoq policisë së rendit, lindi dhe lulëzoi biznesi i policisë private. Te keqpaguar e të patrajnuar, kjo armatë sigurie u mbush me njërez që kishin dalë të pappunë nga sektorë të ndryshëm, shpesh në moshë, dhe që me profesionin roje kishin parasysh një njeri që duhet të flerë natën në një aneks të magazinës së ndërmarjes, sa për të qenë prezent.

Dalëngadalë kjo sipërmarrje mori në dorë edhe institucionet bankare. Të paaftë, lehtësisht të korruptueshëm, të patrajnuar e pa mjetet e duhura, këta roje kanë gjithëçka që u duhet grabitësve. Por me gjithë serinë e grabitjeve, ajo që është po kaq e rëndë është fakti se në burg kanë përfunduar vetëm rojet, ndërsa autoritetet nuk kanë ndërhyrë për të ndryshuar asgjë në procedura, apo kritetret e licensimit të kompanive private që marrin për sipër sigurinë në banka.

Kur theksova më lart se në këtë histori duhet të ndalen institucionet, pse jo edhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare, kisha parasysh pasojën e madhe të akteve të tilla kriminale. Jo thjeshtë dëmi financiar që pëson një bankë private, por impakti tek njerëzit dhe biznesi në tërësi, për shkak të demonstrimit publik që banda bën, e cila duket si një skenë filmi aksion.

Ndaj nuk mjafton as heqja e licencës së kompanisë, pasi në të njëjtat kushte janë të gjitha, dhe as arrestimi i rojeve. Duhet të shikohet legjislacioni dhe proceduara e licensimit. E mendoni dot sa i sigurtë është një institucion që ruhet nga njerëz që rregullojnë turnet mes tyre dhe bëjnë 24 orë punë e tre ditë pushim? A mundet një njeri të punojë 24 orë, pavarësisht se çfarë institucioni ruan? Në regjimin komunist, në dhomën e rojës kishte edhe një krevat, pasi vreshtin e ruante frika. Por ka kohë që frika nuk ka më frikë dhe vreshtin duhet ta ruajë një roje i vërtetë.

Please follow and like us: