Akuzat ndaj Dritëroit, Mark Marku: I talentuar, por në shërbim të propagandës komuniste
Debatit të ditëve të fundit të hapur pas vdekjes së Dritëro Agolli, sa i takon të kaluarës komuniste të shkrimtarit të madh i është bashkuar edhe shefi i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në fakultetin ‘Histori-Filologji’, Mark Marku.
I ftuar në emisionin ‘Kjo javë’ në “News24” , Marku e cilësoi shkrimtarin Agollit thjesht si ‘të talentuar’, ndërsa shtoi se ai ishte në shërbim të propagandës së realizmit socialist. Sakaq, Marku nuk i ka kursyer as deklaratat e forta në drejtim të shkrimtarit, duke thënë se nuk ishte problemi fakti se cilës parti i përkiste, por tek roli që ka pasur në një regjim që Shefi i Departamentit e quajti kriminal.
“Koha për debat është në çdo moment, por duhen respektuar disa norma se është momenti i vdekjes dhe ne shqiptarët kemi një kod vdekjeje që respektojmë. Kur bëhet fjalë për një shkrimtar të rëndësishëm të letërsisë shqiptare si në rastin e Agollit duket thënë se është një shkrimtar i regjimit të Hoxhës”, – argumentoi Marku.
Sipas tij “kjo hap debat, pasi vlerësimi i klasës politike për shkrimtarin që e cilësojnë si ‘Patriarku i letërsisë shqipe”, “Kolosi”, etj’, hapin diskutimet. Ndaj duhet ta përcaktojmë, fjala vjen si “Patriarku i letërsisë shqipe në regjimin komunist”. Pjesa më e madhe e poezisë së tij është skematike dhe kriter për vlerësimin është koha. A do guxonte sot të shkruante dikush romane si të Dritëro Agollit? Jo. Metoda e realizimit socialist është konsideruar e vdekur, e dëmshme”.
Marku shtoi se “veprat e shkruara sipas asaj metode janë mishërimi më i plotë i realizimit socialist. Ai është shkrimtar i talentuar, por e ka vënë vetën në shërbim të propagandës komuniste. Brenda metodës së realizimit socialist ka pasur shkrimtarë që kanë shkruar kundër metodës dhe kanë përfunduar në burg. Është shkrimtari tipik i realizimit socialist. Po të shihni veprën e Ernest Koliqit nuk ka asgjë gjurmë të ndikimit me fashizmin. Çështja e përkatësisë politike ka qenë çështje zgjedhjeje, secili ka të drejtën të zgjedhë. Problemi i tij nuk ishte kjo, por se ka qenë një nga figurat më të larta të regjimit, që ka qenë një regjim, kriminal që ka terrorizuar popullsinë, ka vrarë me mijëra njerëz. Përgjegjësia është e rolit që ka pasur në një regjim kriminal”, – tha Marku.