Albspirit

Media/News/Publishing

Artur Zheji: Një qeveri që ka humbur kontrollin, duhet të dorëhiqet

Jetojmë në kulmin e pasigurisë dhe të gënjeshtrës publike. Grabitja më e fundit me armë në dorë dhe me maska, ishte si edhe të tjerat në Rinas apo rrugëve, mjeshtërore, me bashkëpunim të thellë mes segmenteve të shtetit dhe bandave.

Çoroditja dhe humbja e kontrollit është një emblemë e kësaj periudhe që po jetojnë sot shqiptarët nën këtë qeverisje. E turbullt dhe e dështake sa më s’ka.
Kush e ka fajin për këtë: Opozita? Apo shqiptarët? Apo kohët moderne që jetojmë?

Dështimet janë të panumërta dhe pordhët justifikuese po ashtu! Të ripërsëritura, të lodhshme dhe tanimë krejt pa fantazi.
Shëndetësia dështim! Shërbimi i urgjencës, mjerim! Shefat e qeverisë dhe bizneset e lidhura me to, kurojnë puçrat dhe veglat e riprodhimit në Vjenë, hallexhinjtë presin me orë dhe me dhimbje një serum…
Lekët e shqiptarëve të pasigurta!
Minatorët vdesin në galeri dhe askush nuk i shpëton dhe lajmet zhduken!
Polarizimi është i frikshëm, ca bëjnë banjo me shampanjë 300 euro shishja dhe ca të tjerë skanë ujë, as për të larë të pasmet!
Prostitucioni është tashmë një rrugë e dëshpëruar për qindra vajza shqiptare, që të studiojnë, të vishen dhe të ëndërojnë për një jetë ndryshe, nga skëtera e varfërisë ekstreme, nga ku edhe vijnë shumica.
Ndërkohë, gazetarët flasin për projektet miliarda dollarëshe për porte jahtesh dhe grabitje spektakolare të pasurisë publike!
Arkeologët çmenden kur shohin se cfarë po bëhet në Durrës, me miopinë e Gjushit të Ramës, që u ve kazmën thesareve arkeologjike të nëntokës së Shqipërisë, ndërsa Ministrja e Kulturës, hesht dhe bën gati ndonjë hartim për të kënduar në vdekjen e dikujt të njohur që pritet të vdesë.
Morali zero. Spekullimi dhe grabitja në shkallën më të lartë. Përgjegjshmëria e institucioneve zero.
Prokuroria e Përgjithshme e paralizuar, nga presioni absurd i ndërkombëtarëve, që me fiksimin e Vettingut, nuk shohin, nuk nënvizojnë publikisht dhe nuk denoncojnë botërisht këtë rënie të shtetit në Shqipëri, vertikalisht dhe me një shpejtësi maramendëse.

Rama, kryeministri pa pupla gjeli tashmë, mbahet vështirësisht në këmbë duke u mbështetur të miqtë e zinj të klaneve, të cilët janë përherë e më të kushtueshëm dhe kërkojnë më shumë para nga koncesionet e shtetit, për ti dhënë lëngun jetik të mbijetesës politike.
Dorëhiqu kryeministër dhe mos e tërhiq në greminë mbas vetes, këtë Shqipëri, që nuk mundesh ta qeverisësh dot më, sepse ke çdo gjë jashtë kontrollit normal institucional, përveç yzmetit të përsosur që u bën klaneve të fuqishme para mbledhëse dhe parashplarëse!
Sepse shumë shpejt, bandat e uritura të çakenjve që vetë ke ushqyer në mjaft raste, do ta hanë edhe dorën edhe krahun me të cilin i ushqeve dhe i rrite si mishngrënës dhe tenderangrënës dita ditës.
Se çfarë do të mbjellësh, atë do të korrësh sir!
Dhe kështu o miop që vetpëlqehesh pa kufi pasqyrave të rreme, në qelqet pa sy, të syzeve të servilëve, më ka zënë frika edhe për ty! Sinqerisht!
Se mos marrim vesh shumë shpejt, që bandat dhe maskat ua kanë vënë syrin edhe kasafortave të tua, me “sekrete të mëdha shtetërore” dhe ndoshta mbushur dhe me shumë gjëra të tjera…

Please follow and like us: