Albspirit

Media/News/Publishing

A është Procesi i Berlinit rruga e duhur drejt BE?

Lavdrim Lita

Në vitin e përkujtimit të 100 vjetorit të nisjes së Luftës së Parë Botërore, Angela Merkel ftoi në Berlin kryeministrat e Ballkanit Perëndimor me një objektiv të qartë: në mungesë të kohezionit të BE, Gjermania do të merrte sipërmarrjen e procesit të integrimit të rajonit duke i shkundur këto vende nga plogështia politike dhe ekonomike.

Dy shtyllat e sipërmarrjes gjermane janë bashkëpunimi rajonal dhe një vëmendje e veçantë ndaj ekonomisë. E ndërsa bashkëpunimi rajonal ka parë dy hapa përpara dhe një hap prapa në marrëdhëniet disapalëshe (tensionet e herëpashershme mes Kosovës dhe Serbisë), nyja ekonomike është parë si laku që mbyt qytetarët e shteteve të Evropës Juglindore.

Tre vite më pas kemi pasur plot tre samite (Berlin, Vjenë dhe Paris) dhe i fundit do të jetë ne Trieste të Italisë në 12 korrik, por është e vështirë të japësh një gjykim sesa vlen realisht procesi i Berlinit për vendet e rajonit. Ekonomitë dhe nëndegët e saj, si konkurrenca, eksporti, reforma të tregut dhe investime të huaja janë lënë sërish në një cep në disa vende të rajonit dhe shumë pak përparim real është realizuar për të harmonizuar standartet e dyfishta dhe fragmentizimin e territorit.

Megjithatë motivi i pathënë i procesit të Berlinit është që vendet me status kandidat dhe aspirantë kandidat për në BE do të duhet të kalojnë në një fazë të ndërmjetme partneriteti BE – Ballkani Perëndimor derisa të kalojë kriza ekonomike dhe institucionale e BE-së. Zgjerimi i BE me vende të tjera është një temë toksike në diskurin publik në shumë kryeqytete europiane, sidomos në prag të zgjedhjeve në Francë, Gjermani, Holandë dhe Itali.

Po ashtu e pathënë nga intelektualët publikë shqiptarë është fakti që Shqipëria gjendet e huaj dhe e sforcuar në dimensionin e saj Ballkanik, duke qenë se ka pasur dhe ka një vokacion historik mesdhetar të lidhur me histori-gjeografi dhe dashuri-urrejtje me Greqinë, Italinë dhe Francën.

Të gjithë të interesuarit në këto samite euro-ballkanike tashmë kanë kuptuar se vetë vendet e rajonit nuk janë në gjendje të prodhojnë një rritje ekonomike ndaj nevojitet investime nga vendet e BE-së që të krijohen vende pune dhe kësisoj ekonomi reale. Sipas një studimi të Universitetit të Nisës në Francë, nevojitet një investim kompleksiv prej 110 miliardë eurosh deri në 2020 për të vënë në punë ekonominë e 25 milionë banorëve të Ballkanit.

Përmes këtyre shifrave mund të thuhet se hyrja e këtyre vendeve të Evropës Juglindore në Bashkimin Evropian nuk do të jetë kurrë si vende të varfra dhe me probleme etnike e politike që kanë nevojë për kredi e energji të mëdha nga institucionet monetare e politike të Unionit.

Ekonomitë e vendeve, si Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja janë të pabarabarta mes tyre ndonëse bashkohen në faktin që janë në pikë të hallit, pavarësisht se prodhimi i brendshëm bruto (GDP) i disa vendeve ka kapur nivelet e parakrizës së 2009-2010. Por çekuilibri i bilancit tregtar, papunësia e lartë, rritja e borxhit publik (në Serbi e Shqipëri) apo kuota e ulët e eksporteve dhe shërbimeve pa ndikim në prodhimin e brendshëm bruto sinjalizon një dobësi strukturore të këtyre ekonomive.

Elitat politike-ekonomike-mediatike që përfaqësojnë 25 milionë banorë të vendeve si Shqipëria, Bosnja-Hercegovina, Maqedonia, Mali i Zi, Kosova e Serbia kanë dështuar ti japin një zgjidhje të qëndrueshme problemeve strukturore që godet në themel mirëqenien dhe lumturinë e popujve të rajonit. Procesi i Berlinit është përdor si një mekanizëm për të kamufluar dështimin sistematik dhe për ti dhënë një vello legjitimiteti të qeverisjes së tyre.

#ZëriIntegrimit

Please follow and like us: