Mira Kazhani: Tiranapost.al, një dritë online
Lajmet që tërheqin klikimet masive, ndalohen me ligj, ashtu si edhe lajmet copy-paste nga faqe të tjera. Redaksia e krijuar me gazetarë me përvojë disavjeçare në media dhe emra të njohur e të dashur nga publiku që vijnë me blogje interesante, funksionon si një familje. Këto dhe detaje të tjera, Mira Kazhani i zbulon në këtë intervistë. Se çfarë të reje do të sjellë në tregun online, mjaftohet të thotë se do ia lërë kohës, por me siguri shprehet se synon që Tiranapost.al të jetë një dritë online
I pari ligj në kushtetutën e vogël të tiranapost.al, thotë qartë se aty, është e ndaluar të postohen lajme që tërheqin klikime të masës. Kështu rrëfen Mira Kazhani, themeluesja e medies së re online. Por nëse janë të ndaluara lajmet që tërheqin klikime- e për këto të fundit zhvillohen betejat më të mëdha në realitetin virtual të redaksive – çfarë do të sjellë Tiranapost.al në hapësirën e vet, mes oqeanit të informacioneve, që tërheq rreth vetes çdo ditë e më shumë lundërtarë?
Kazhani, thotë se kjo faqe mëton të jetë një dritë online, për të ndriçuar lexuesit te lajmet origjinale, pas të cilave qëndrojnë gazetarë të vërtetë, që nuk druhen të firmosin autorësinë e artikujve me emrat e tyre.
Jo lajme copy-paste nga portale të tjera, as ato me përmbajtje të lartë erotike apo thuajse pornografike , që i gjen edhe në website jo domosdoshmërisht për publik mbi tetëmbëdhjetë vjeç.
Kazhani e di që tregu i mediave online nuk është fort i lehtë, por ishte bindja prej disa kohësh se e ardhmja e gazetarisë është online.
“Unë nuk dua që tiranapost.al të jetë një portal më shumë, dua të jetë një dritë online. Të shkruajmë shkurt sidomos dhe ta nisim lajmin pa bërë meditime. Më tmerrojnë tekstet që duhet t’i studiosh për t’i kuptuar. Shkruaj thjesht o gazetar kudo që ndodhesh!” –thotë Kazhani, e cila megjithëse ia njeh të metat gazetarisë online, të ofron atë liri që nuk e gjen në redaksitë tradicionale, në të cilat Kazhani ka pasur vitet e saj të përvojës. E gjithnjë në kërkim të asaj lirie, thotë se nuk është druajtur t’ia nisë nga zeroja. As kësaj here, kur i la ambiciet e televizionit për të themeluar Tiranapost.al, të ardhmen e së cilës mjaftohet duke thënë se koha do e tregojë…
Doja të dija sa kohë kishe që e mendoje një website dhe si e përgatite terrenin dhe kushtet që ta sillje në jetë?
Nuk e kisha menduar deri në shtator të vitit që lamë pas, aq seriozisht. Edhe pse thosha që onlineështë e ardhmja isha ende besnike e gazetarisë tradicionale e sidomos televizionit.
Hapja e një faqeje online ishte ambicia jote profesionale duke parë se trendi i ri i gazetarisë tashmë është online, janë portalet ato që do e shkruajnë të ardhmen? Apo erdhi edhe si pragmatizëm sepse kostot janë më të minimizuara në platformat online?
Hapja erdhi si pasojë e një sërë shenjash të fatit. Isha para dy zgjedhjesh; të prisja të më ndriste ylli në Top Channel, pasi drejtuesit e rinj vazhdimisht më thoshin se kishin plane ambicioze për mua, ose të mos prisja për të bërë gazetaren, sepse gazetar nuk të bëjnë vetëm studiot e mëdha, as logot e tilla, por punët e mira. Le që ku ka më gjë të madhe në këto kohë. Sot të gjithë janëonline. Ende njerëzit që takoj, të njohur e të panjohur më identifikojnë me intervistat e Dosjes Hajdari, shkrimet e mia herë pas here në media online, rubrikën ‘Lunch’, Big Brother sigurisht por ajo që më ka tronditur është se nuk kujtohen që kam qenë në një emision të përditshëm sezonin e kaluar. Kështu mora vendimin final dhe nisa të mendoj për Tiranapost.al, e painteresuar për t’ju përmbajtur me fanatizëm një pune në televizion. Aq më tepër që media që kam krijuar nuk e përjashton praninë time televizive.
E mendon Televizionin në të ardhmen për ndonjë projekt?
Për momentin jo. Nuk kam kohë për asgjë. Tiranapost.al është si një bebe që më duket sikur e mbaj me gji. Jam aty gjatë gjithë kohës. Kam një projekt që ka lidhje me letërsinë dhe kur të kem përmbushur disa gjëra që i kam lënë pas dore për vanitete të panevojshme mund të mendoj. Qëndrimet kategorike dhe përjashtuese nuk janë të tipit tim.
Si e mblodhe stafin, si u krijuan rubrikat? Çfarë synon të pasqyrojë Tirana Post dhe ç’do të sjellë origjinale apo unike në krahasim me simotrat? Ku do ta ketë fokusin kryesor? Ashtu siç ti ke deklaruar edhe në editorialin tënd të parë se nuk do të jetë një portal më shumë…
Koha do e tregojë se çfarë do jetë Tiranapost.al. Nuk jap dot premtime dhe nuk është një treg i lehtë online sidomos me “kushtetutën e vogël” të tiranapost.al, ku lajmet që tërheqin klikime të masës janë të ndaluara me ligj. Sfida e madhe është për të marrë klikime përmes gazetarisë dhe jo vidh nga të tjerët, posto b…e ç’të të kapë syri, meqë klikohen. Po sigurisht edhe ese letrare apo studime akademike nuk do bëjmë. Unë nuk dua që tiranapost.al të jetë një portal më shumë, dua të jetë një dritë online. Të shkruajmë shkurt sidomos dhe ta nisim lajmin pa bërë meditime. Më tmerrojnë tekstet që duhet t’i studiosh për t’i kuptuar . Shkruaj thjesht o gazetar kudo që ndodhesh! S’e di tani, se i kam thënë tek editoriali i parë dhe nuk dua të bie në përsëritje. Të shohim si do ecë…
Sa e vështirë ishte të ngrije edhe kapacitetet financiare për një redaksi online? Duhet thënë që pamjet në sfond të redaksisë, hedhin poshtë atë stereotipin e redaksive të vogla me një apo dy njerëz që postojnë lajme apo edhe thjesht kopjojnë nga portale të tjera apo përkthejnë. Dukej një redaksi e mirëfilltë, me kushte optimale pune…
Dikush e vinte në dyshim që unë do merrja një hap kaq të madh për një redaksi kioskë? Deri tani asgjë nuk ka qenë e vështirë. E vështirë është vetëm të jesh i thjeshtë për t’u kuptuar dhe lexuar. Mundi më i madh sot është të gjesh gazetarë të mirë, sepse ngaqë janë shtuar si kërpudhat pas shiut portalet dhe me to edhe jo pak amatorizëm, aq sa kam frikë se lexuesit mendojnë që kjo gjëja që shohin online quhet gazetari. Sa keq më vjen!
Tani që je në drejtim të një redaksie, veç punës organizative a do të vazhdosh të shkruash vetë? Të kesh një rubrikë të posaçme, si e famshmja “Lunch” p.sh. që ke pasur për disa kohë.
E shikon që edhe ti më pyet për Lunch-in e famshëm?! Po, po do të jetë sigurisht , por me ide të reja. Po lexoj disa profile njerëzish të mëdhenj dhe them me vete “s’ka si puna e dorës!”
Si funksionon redaksia online e “Tirana Post” ? A ka ruajtur tipare të një newsroom-i të medieve tradicionale? Gazetës apo TV, p.sh.?
Në radhë të parë funksionon si një familje. Për sa kohë jemi kështu, kam shpresa. Kur nis zmadhimi aty vijnë hallet.
Kush janë emrat e njohur apo të dashur që do të kontribuojnë në Tirana Post?
Të gjithë ata që klikohen për profesionalizëm dhe që kanë aftësinë t’iu gjejnë lexuesve nervin. Iva Tiço për shembull ua ka gjetur dhe e duan shumë blogun e saj. Anjeza me blogun për ushqimin po preferohet. Matilda Terpollari, edhe pse jo shumë e njohur, por një gazetare e shkëlqyer dhe e dashur për Tiranapost.al
Si ndihesh kur je vetë në drejtim të një medieje, por nga ana tjetër e njeh realitetin e gazetarëve sepse je vetë një e tillë? A të bën kjo më të përgjegjshme në raport me ta?
Më bën më të kuptueshme, por edhe më kërkuese.
Tirana Post do të jetë në garë për lajmin e parë, apo do i ofrojë publikut një këndvështrim, një sintezë, analiza apo dekriptime të realitetit jo vetëm lokal, por edhe global?
Dua të hedhim sadopak dritë. Kaq për momentin!