Albspirit

Media/News/Publishing

SHBA, bllokohet nominimi i palestinezit për mision të OKB

Shtetet e Bashkuara e kanë bllokuar nominimin e ish-kryeministrit palestinez, Salam Fayyad, për ta udhëhequr misionin politik të Kombeve të Bashkuara në Libi, duke thënë se po vepronte kështu për ta mbështetur aleatin e vet, Izraelin. Ambasadorja e SHBA në OKB, Nikki Haley, tha mbrëmë se administrata Trump është “e zhgënjyer” duke parë se sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, i ka thënë Këshillit të Sigurimit se synon ta nominoj zotin Fayyad, i cili ishte kryeministër i Autoritetit Palestinez në periudhën 2007-2013, për përfaqësues të ardhshëm special të OKB-së në Libi. “Për një kohë të gjatë Kombet e Bashkuara në mënyrë jokorrekte anonin në favor të Autoritetit Palestinez, në dëm të aleatëve tanë në Izrael”, tha Nikki Haley. Palestinezët në Kombet e Bashkuara e kanë statusin e shtetit vëzhgues joanëtar, ndërsa pavarësia e tyre është njohur nga 137 prej 193 shteteve anëtare të OKB-së. Ambasadorja Haley tha se SHBA aktualisht nuk e njohin shtetësinë palestineze e as “nuk e mbështesin sinjalin”, që do ta dërgonte nominimi i zotit Fayyad. Diplomatët në Kombet e Bashkuara thonë se Salam Fayyad është tejet i respektuar për punën e tij në reformimin e Autoritetit Palestinez dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik, kështu që e kishte mbështetjen e 14 shteteve të tjera anëtare të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. SHBA ka shfrytëzuar të drejten e vetos për ta bllokuar nominimin.

Please follow and like us: