A do të jetë bota më e sigurt në 2017?
Jemi në vitin 2017. A do të jetë ai më i trazuar apo më i sigurt se viti 2016?
Gjatë vitit që lamë pas, në botën tonë ndodhën shumë ngjarje, si “mjellma të zeza”, ndër to zgjedhja e D. Trumpit si president i ShBA-së, shkëputja e Britanisë nga BE-ja, grushti i dështuar ushtarak i shtetit në Turqi etj. A do të vazhdojnë të ndikojnë këto ngjarje në botën tonë edhe gjatë vitit 2017?
1.
Zgjedhjet e përgjithshme në Francë në vitin 2017 pritet të ngjallin një interesim të madh në opinionin publik ndërkombëtar. Nëse Fronti Kombëtar i ekstremit të djathtë do të fitojë dhe Marine Le Pen do të marrë postin e presidentit, Franca do të ndjekë një rrugë të ngjashme me shkëputjen e Britanisë nga BE-ja. Harta politike e Evropës do të ndryshojë dhe BE-ja do të ndodhet përpara rrezikut të madh të populizmit.
Në vitin 2017, pasiguria nr.1 në politikën ndërkombëtare do të jetë nëse presidenti amerikan Trump do të ndjekë një vijë krejt të ndryshme nga ajo e parardhësit Obama. ShBA-ja ka luajtur rolin e “mbrojtësit të rendit botëror”, por ardhja në fuqi e Trumpit pritet të na sjellë ndryshime, që shtojnë pasigurinë në botë.
2.
Pretendimet e Trumpit do të mbeten vetëm deklarata apo të shkaktojnë një revolucion? Po gjendja në Europë, Azi-Paqësor dhe Lindjen e Mesme a do të ndikohet? Në Evropë, ekziston ideja se marrëdhëniet midis Rusisë dhe ShBA-së do të përmirësohen. Por a do të jenë me përparësi absolute për presidentin Trump marrëdhëniet me Rusinë? Cilat do të jenë përparësitë për presidentin e ardhshëm amerikan, konsolidimi i NATO-s e forcimi i marrëdhënieve me aleatët evropianë, apo afrimi me Rusinë? Vendimi i Trumpit do të ndikojë mbi situatën e përgjithshme të Evropës. Në Azi-Paqësor, një çeshtje kyçe është marrëdhënia me Kinën. Marrëdhëniet midis ShBA-së dhe Kinës janë shumë të ndërlikuara dhe gjithëpërfshirëse, që kufizojnë edhe politikën e të dy vendeve. Nëse Trumpi do të ngulë këmbë në kundërshtimin e këtij kufizimi real, në Paqësorin Perëndimor “ka mundësi të ndodhë çdo gjë”. Në Lindjen e Mesme, Siria është një çeshtje e bartur dhe e vështirë për tu zgjidhur në vitin 2017. Pritet me ankth nëse Trumpi do të anulojë marrëveshjen me Iranin dhe të rikthejë për diskutim problemin bërthamor të Iranit. Një tjetër pasiguri vërehet në Turqi. Shtrohet pyetja nëse ky vend do të ndjekë rrugën me ngjyrim të theksuar fetar të presidentit Erdogan, e cila në të kaluarën shkaktoi shumë konflikte?
3.
Nga këndvështrimi i shpërthimit të luftës ose mosmarrëveshjeve ushtarake, Paqësori Perëndimor është një zonë me shumë rreziqe. Gadishulli Korean ze vendin e parë përsa i përket rrezikshmërisë. Nuk përjashtohet mundësia që Trumpi të mbajë një qëndrim të ashpër ndaj Phenianit. Ngushtica e Tajvanit është një tjetër pikë e nxehtë. Nëse autoritetet tajvaneze të kryesuara nga Tsai Ing-wen do të shfaqin prirje të dukshme për pavarësinë e Tajvanit, ka mundësi të ndodhin mosmarrëveshje apo kundërvënie ushtarake në këtë ngushticë. Situata në Detin e Kinës Jugore është përgjithësisht në zbutje e sipër. E vetmja mundësi për kundërvënie ushtarake atje është midis Kinës dhe ShBA-së. Por një situatë e tillë do të ishte me rrezik të madh, madje për mbarë botën. Fërkimet ushtarake midis Kinës dhe Japonisë në Detin e Kinës Lindore paraqesin një mundësi të vogël konfliktimi.
4.
Për Kinën, situatat e papritura nga jashtë janë më të mëdha se nga brenda. Me potencialin e madh kompleks, Kina nuk i trembet asnjë sfide nga jashtë. Në një mjedis të jashtëm paqësor, Kina do të ndjekë kursin e natyrshërm, duke mbajtur një qëndrim të butë ndaj të butëve dhe të fortë përballë të fortëve. Vëmendja më e madhe e Kinës do të fokusohet në politikën e brendshme, ku vendin e parë e ze Kongresi i 19-të i Partisë Komuniste të Kinës dhe së dyti stabilizimi i ekonomisë. Suksesi në këto dy objektiva do t’i sjellë Kinës më shumë iniciativë, por do t’i japë botës më shumë besim. Zhvillimi me sukses i Kongresit të 19-të të PK të Kinës dhe stabilizimi i ekonomisë do të ushtrojnë ndikim vendimtar në solidaritetin e shoqërisë kineze, niveli i të cilit do të vendosë karakterin e shumë problemeve e kontradiktave në Kinë. Kina është një vend i madh dhe si i tillë nuk bazohet vetëm në shpejtësinë e zhvillimit, por në solidaritetin e shoqërisë, e cila vendos ritmin e ecjes përpara, në mënyrë të qëndrueshme dhe afatgjatë. (Wang Lei)