Vettingu, mes dënimit të Nanos dhe refuzimit të një vize amerikane
Sot gazeta “Tema” publikon një intervistë me Fatos Dervishin, ish-zv.prokuror i Përgjithshëm gjatë viteve 1994-1998. Dervishi është i njohur për opinionin pasi ai ishte pjesë e hetimit të Fatos Nano, i cili u arrestua në korrik të vitit 1993 nën akuzën e korrupsionit. Po kështu z. Dervishi ka qenë pjesë e akuzës për çështjen “Arsidi” dhe atë të minoritarëve për të ikur drejt SHBA-së në vitin 1998. Z. Dervishi bën me dije në këtë intervistë se ai synon të jetë pjesë e Prokurorisë Speciale, apo Byrosë Kombëtare të Hetimit, që do të godasin korrupsionin.
Aftësitë e Dervishit dhe vullneti i tij për të dhënë një kontribut në këtë drejtim nuk ka pse të vihen në dyshim. Fakti që ai ka përfaqësuar shtetin në çështje delikate jep një provë për këtë.
“Dëshira ime më e madhe që të kontribuoj në Sistemin e Prokurorisë, të cilin unë e njoh shumë më mirë sidomos në Prokurorinë Speciale (SPAK) ose në Byronë Kombëtare të hetimit. Do ishte shumë më mirë një kontribut i imi këtu, bazuar dhe në përvojën e gjatë që kam. Por tani që po flasim jemi shumë larg. Pasi hapi i parë shumë i rëndësishëm dhe shumë i domosdoshëm është që të bëhet “Vetting”-u për të gjithë trupën e gjyqtarëve dhe prokurorëve që do të zgjidhen në organet e implementimit të reformës në drejtësi. Eshtë me një rëndësi të veçantë ky proces dhe po themi që të bëhet përcaktimi i saktë se kush e meriton të qëndrojë në sistemin e drejtësisë, përmes një auto-Vetting-u dhe kalimi në një “filtër” shumë të hollë të të gjithë gjyqtarëve, prokurorëve dhe njerëzve të interesuar për të punuar dhe kontribuar në sistemin e drejtësisë. Filtër që do të bëhet nën monitorimin e rreptë të partnerëve tanë ndërkombëtarë, veçanërisht SHBA dhe BE”, thotë ai.
http://www.gazetatema.net/web/2017/02/11/intervista-ish-zv-kryeprokurori…
Në parantezë një histori e rrëfyer nga një ish-zyrtar shumë i lartë i PS-së në vitet ’90 që jep një ide për këtë diskutim.
Me ardhjen në pushtet të socialistëve në vitin 1997, Fatos Nano kërkonte që personat që kishin marrë pjesë në dënimin e tij të largoheshin, të dilnin nga sistemi. Një prej tyre ishte edhe Dervishi të cilit iu komunikua privatisht kërkesa për largim. Ai refuzoi duke u mbrojtur me ligjin. Çështja u bë disi delikate pasi socialistët vinin në pushtet për të qeverisur ndryshe nga Berisha. Në çdo rast u arrit një pikë presioni ku Dervishi duhet të largohej dhe u gjet një mënyrë për këtë. Zyrtari i lartë socialist i kohës thotë se në ikje e sipër ish-zv.prokurori iu shpreh se po ta linin atë në detyrën ku ishte ai e arrestonte Sali Berishën.
“Por ju socialistët nuk keni këllqe dhe as dëshirë për ta bërë një gjë të tillë”, iu drejtua z.prokurori të majtit të sapo kërcyer në pushtet.
Koha i dha të drejtë, njësoj sikundër kjo histori, qoftë e stisur, apo zbukuruar, na tregon se goditja e korrupsionit në nivele të larta është në finale akt që katalizohet nga politika. Sidomos në vende si Shqipëria. Në këtë kuadër, afrimi i Dervishit në SPAK apo BKH, (e drejtë e tij padyshim)nëse kandidatura e tij miratohet, është një sinjal që përcillet për një apo dy persona të politikës të cilëve njësoj si Nano duket se u ka ardhur radha, apo janë në listën e arrestimit. Pasi kjo është edhe beteja që zhvillohet aktualisht e që rrezikon ta konvertojë reformën në drejtësi në një goditje të përqendruar për të kënaqur axhendën antikorrupsion me dy viktima politike.
Pyetja që shtrohet këtu është një dhe vetëm një dhe lidhet me fekalizimin e moralit politik në PS: A duhet që një ish-zyrtar si Dervishi të jetë pjesë e strukturave të hetimit? Ligji mundet ta lejojë, ai mundet edhe të jetë profesionist shumë i mirë, s’ka pse të vihet në dyshim. Por është PS-ja dhe Amnesty International që e ka cilësuar dënimin e Fatos Nanos si politik që implikon pozitën e tij.
Ai mundet të ishte pjesë e sistemit, të vazhdonte karrierën. Por të vendosësh si kriter vettingu një vizë amerikane dhe të vlerësosh me parametra të përmbysur një kandidat që është akuzuar për proces të montuar, kjo e përligj tërësisht atë frikën e përhapur se reforma është një gjueti shtrigash. Kjo mund të pranohet për Edi Ramën dhe ambsadën e SHBA-së, dihet pse. Por nuk mund të shihet kaq normalisht nga ata socialistë që po thinjen aty brenda, meqenëse kemi qenë dëshmitarë kur bënë kauzë pse morën ndonjë shkop gome bythëve nga policia e Sali Berishës dhe Agim Shehut, apo pse lideri i tyre u dënua padrejtësisht. Çfarë mund të thuhet për ata që tregohen kaq cinik me historinë e tyre?
Asgjë, veçse të tallen e të përbuzen në proporcion me moralin e kopesë politike ku aderojnë.
Nga ana tjetër, një vërejtje edhe për ata që pa dashje ose qëllimisht shohin te qasje të tilla një mbrojtje të Sali Berishës pas të cilit janë kapur e kanë ndërtuar karrierën. ResPublica e ka kritikuar Sali Berishën jo pak, përpara dhe pas ndërrimit të botuesit. Këtë edhe nëse nuk e pranon kush e njeh me siguri si fakt vetë Berisha. Por sot nuk po flasim për individin Sali Berisha, por për sistemin e ri të drejtësisë. Kapja e këtij sistemi nga një klan i ri nuk është aspak e barazvlefshme me arrestimin e Sali Berishës që po përgatitet si gjah për turmën dhe karrem për votuesit.
As nuk është motiv justifikues. Të njëjtët që justifikohen me këtë, janë po ata që arrijnë të bëjnë biznes pa iu dridhur syri me ata që deri dje akuzoheshin si biznesemenë të Familjes.