Albspirit

Media/News/Publishing

E vërteta e ‘gjyqeve’ për dashurinë e Bujar Lakos. Si e sulmoi ish-e dashura

“Klithmë nga qielli, nga shpirti, gjithë ajri më merr frymën, ka ikur Bujo! Lajm i dhimbshëm, therës, që ne miqtë, si dhe familja, e kemi të papërballueshëm. Ikja e Bujos ishte apeli më i fuqishëm për respektin ndaj artit të ekranit shqiptar. Secili nga ne do të dëshironte të ikte në këtë mënyrë kaq thirrëse për të ndryshuar mendësinë ndaj vëmendjes dhe kushtimit të artit të ekranit si fytyrë e shoqërisë. Të lumtë Bujar Lako, me këtë ‘gjest’ sublim godite si asnjëherë më fuqishëm. Lamtumirë o njeriu i mesazheve të mëdha, si askush deri më sot!”.
Javën që shkoi, aktori Bujar Lako bëri 40 ditë që u nda nga jeta. E shoqja, Mira, dhe i biri, Bojken, u mblodhën edhe një herë për ta kujtuar me miqtë e të afërmit e tij. Disa nga miqtë e ngushtë të Lakos nuk ishin në Shqipëri kur u nda nga jeta.
Një prej tyre ishte edhe kolegu e miku i tij i vjetër, Mevlan Shanaj, i cili nuk e mbajti për vete dhembjen që e pushtoi kur mësoi lajmin e hidhur, por shkroi menjëherë radhët e mësipërme në “Facebook”. Të njëjtën gjë, bëri dhe bashkëshortja e tij, Natasha Lako. Megjithëqë Bujari vetë preferoi gjithnjë të qëndrojë i tërhequr nga media, sot ne po e njohim pak përtej roleve, pikërisht falë miqve të tij.
Nga kujtimet e tryezave të orëve të gjata, sheshxhirimet me kamerat e fikura, e deri në ditët e fundit kur kafeja që kishin lënë për të pirë të tre, bashkë me kolegun e mikun tjetër, Timo Flloko, nuk u realizua asnjëherë… Shanaj na tregon edhe për dashurinë e Bujar Lakos me Mirën, në kohën kur ishin ende studentë dhe kërkonin t’i ndanin. Edhe për shkak të kohës, historia e tyre u mësua nga të gjithë dhe në fund ia doli të ishte fitimtare.

Një nga punët e pakta të Bujar Lakos në vitet e fundit ka qenë te filmi juaj “Lule të kuqe, lule të zeza”. Të gjithë kolegët e Bujarit tregojnë për përzgjedhjen dhe vështirësinë, me të cilën i pranonte rolet. Si ka qenë në rastin tuaj?
Marrëdhënia jonë ka qenë mjaft e afërt. Ishte miqësi që kishte nisur para se të vinte në Shkollën e Aktorëve, me vonë Instituti i Lartë i Arteve. Nuk e kam pasur të vështirë ta merrja në film, edhe pse në përgjithësi ishte i vështirë për të pranuar. Në filmin “Lule të kuqe, lule të zeza”, as që pati hezitim për të ardhur në një rol dytësor. Sigurisht që shkëlqeu dhe ishte ky rol, të cilin Paskalevic i zgjodhi së bashku me Yllka Mujon.

Keni qenë edhe më parë në pozitat e regjisorit me të?
Po, përveç filmit që folëm më sipër, ka qenë edhe një rast tjetër. Nga bashkëpunimi me të në dy filma ruaj kujtime të një miku dhe jo ndryshe. Më kujtohet kur takoheshim për realizimin e figurës në filmin “I paharruari”, ne po thuajse e kishim përfunduar filmin pa filluar xhirimet. Përkushtimi në detaje ishte cilësi e veçantë e Bujos.
Përveç të tjerash, më kujtohet që në ato kohë Ndriçim Xhepa ishte në fillimet dhe Bujo më thotë: Merre Xhepën, të garantoj se do të mbetesh i kënaqur. Ashtu u bë dhe mbeta më shumë se i kënaqur nga cilësitë e Xhepës. Po ashtu, për Eva Alikaj. Sugjerimet e këtij miku jo vetëm i mora në konsiderate, por edhe sot ia di për nder. Gjatë xhirimeve me Sheri Mitën, një natë, në miqësi të afërt me Pali Kuken, më thonë se sot kemi përfunduar një shishe me “Metaxa”, ndaj e bëjmë pushim.
Më bëri përshtypje që më pas erdhi më mori me të mira, nuk donte të më linte të mërzitur. I them, ju kam inat që e keni pirë pa mua. Shumë herë së bashku ndiheshim bukur pas ndonjë shisheje vere. Ishte mik i ndjeshëm dhe shumë i ndjeshëm për gjërat njerëzore.

Nga pikëpamja profesionale në teatër, nuk bëri zhurmën që pati në film…
Bujar Lako, që gati u shndërrua në legjendë me ikjen e tij, sipas meje ishte forca e ekranit, të cilin ai e shfrytëzoi në mënyrë intuitave, shkëlqyeshëm. “Përkëdhelia” e aktorit të parë në ekran i dha shansin të shumëzonte në ngjitje hijen e tij dhe si çdo hije që sterrritet e bëri aktorin e ekranit më të lakmuarin për gati dy dekada.
Në teatër nuk pati “këtë hije”, pasi puna në teatër punohet në tavolinë të rrumbullakët, kështu që je në një plan shikimi edhe me kolegët. Ndërsa kamera e kishte përherë në plan të parë dhe në kësi rastesh, ai nuk të falte. Njeriu Bujar dhe aktori Lako zotëronin imponimin sa privat, aq edhe krijues. Bujo ishte artist në formë dhe përmbajtje. Kishte të dhëna fizike të shkëlqyera për një aktor, konstrukt harmonik, portret goditës dhe zërin e ngrohtë burrëror me shikim depërtues, gati-gati asgjësues.
Sqimatar si ai dhe kërkues deri në një për atë që bënte në krijimin e figurave artistike. Dinte shumë mirë procesin e tjetërsimit dhe gjente çastin e zhbirimit të partnerit. I lindur artist, qoftë edhe në mënyrën si ecte, apo edhe si hante. Artistin nuk e luajti ndonjëherë pasi nuk pati rast, por dha shembullin e artistit që mbetet i adhuruari i regjisorëve dhe i gjithë shikueseve, jo vetëm brenda kohës.
Epiteti i gjeneralit qe një rastësi e bukur për Bujar Lakon, pasi tre gjeneralë artistikë ( Gjeneral gramafoni, Mujo Bermema dhe gjenerali i ushtrisë së vdekur), i pari i Vath Koreshit me regjinë e përkryer të Viktor Gjikës, dy të tjerët shkruar nga Ismail Kadare me regji të Kujtim Çashkut dhe Pirro Milkanit, dhe i treti i Dhimitër Anagnostit) krijuan kryegjeneralin Bujar Lako.
Statura civile e këtij “ushtaraku” u duk se ishte krijuar fshehurazi në çdo hap të tijin. Larguar nga sheshet e xhirimeve pa spaletat, por me një ajër gjeneralësh në çdo mjedis ku shkelte, linte hije gjeneralësh. Me ikjen e tij, gjithë opinioni kishte krijuar ekranin gjigant, ku vetë dëshmitarët ishin bërë pjesë e kësaj figure jetësore të vetë artistit unikal, më të arriturën se të tria figurat artistike. Bujar Lako kishte ndërtuar në gjallje mitin e gjeneralit fitues.
Kështu, media nxitoi ta shpallte “Nderi i Kombit”, në një kohë që autoritet që ende nuk ishin kujtuar, patën rastin të korrigjonin veten e tyre. Largimi tinëzarisht i këtij “ushtaraku” të rreptë rikonfirmoi autoritetin e tij krijues të figurës së artistit në çdo çast të jetës. Dinjitoz në krijim, i rreptë në mosnënshtrim. Posedues i gjithë fuqisë krijuese në ekran.

Në kaq shumë vite, si ka qenë marrëdhënia juaj?
Ruaj kujtime miqësore me të që nisin nga vizitat e ndërsjella, kur i kishim fëmijët e vegjël nëpër shtëpitë e njëri-tjetrit. Çiltërsia e vizitave ka mbetur ende e pashlyer. Nuk kishte në këto raste shtirje apo të tjera hipokrizi, ne kishim mes nesh kënaqësitë e miqësisë së pastër dhe diskutimet pafund për kineastët tanë të preferuar zgjasnin e zgjasnin dhe shërbenin si shtysë për ëndrrën tonë.
Kishte një “hobi”, pastërtinë, në të gjitha drejtimet. Po ashtu, kur i binte në dorë ndonjë gjë e veçantë, në ato vite, e trajtonte si një relikte të çmuar dhe i jepte kënaqësi kjo gjë. Sigurisht do të lante duart pas çdo takimi, me këdo. Kishte një përqendrim në detaje kur shikonte një film. Truri i tij regjistronte gati në mënyrë kompjuterike të veçantat e filmit.
Ishte i vështirë në pëlqim të gjërave të zakonshme në art. Sfidues, në më të shumtën e rasteve. Kujtoj që vitin e fundit të shkollës së mesme e bëri në Përrenjas, pasi Politeknikumi “7 Nëntori” u transferua nga Tirana në Përrenjas. Studionte për gjeolog. (Në jetën e tij, në fëmijëri, deri sa u bë 18 vjeç, ka lëvizur sepse prindërit ishin mësues dhe i qarkullonin.)
Në një prag të vitit të ri donte të ishte në Tiranë dhe ishin nisur bashkë me një shok nga Përrenjasi deri në Elbasan në këmbë. Trup atleti, që e mbrojti me ushtrime fizike gjatë gjithë jetës.

Disa kohë më vonë kësaj që thoni, kur ishte student, u bë e famshme historia e tij e dashurisë me Mirën. Ata që kanë qenë me të, me ju, në atë kohë, tregojnë se nuk i lejonin të qëndronin me njëri-tjetrin për shkak të familjeve, çështje politike. Si ka qenë e vërteta?
Vetëm politika që nuk ka fare lidhje në atë histori. U bë vërtet shumë zhurmë atëherë, por nuk u penguan për shkaqe politike. Si shumëkush, Bujari kishte një histori tjetër atëkohë, mirëpo pastaj u njoh me Mirën dhe bëri zgjedhjen e tij.
Vajza reagoi e shkaktoi zhurmën që po dëgjohet ende edhe sot. Mirëpo gjithë kësaj historie i doli përpara vetë Mira, duke e mbrojtur deri në fund, kështu që dashuria e tyre vazhdoi. Prindërit e familjes së asnjërës palë, nuk kanë lidhje me këtë çështje.

Vera, tavolinat, kanë qenë të preferuarat e tij…
Po, janë të shumta tavolinat që kemi ndarë bashkë. Kujtoj rastin e fundit, po ktheheshim nga varrimi i Fatos Selës, u kthyem rrugës dhe përfunduam në lokal, aty poshtë Tufinës. Ishte një rast që dhimbja për një mik, të cilin e kishim lënë përgjithmonë nën dhe, na kishte bërë pafjalë, ashtu siç na bëri të gjithëve ikja e Bujar Lakos. /Pan/
bujar lako me bashkehsorten

Please follow and like us: