Albspirit

Media/News/Publishing

‘Hakmarrja për Drejtësi’, mes mitit dhe organizatës kriminale…

Mbi 20 vjet pas vrasjes së ish-drejtorit të burgjeve Bujar Kaloshi dhe bombës tek supermarketi i Vefa-s, lirohen nga të gjitha akuzat të akuzuarit; 10 anëtarët e bandës së ashtuquajtur “Hakmarrja për Drejtësi”. Ata kanë shumë vite në arrati dhe me vendimin e sotëm të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda mund të vijnë lirisht në Shqipëri.

Vendimi u dha pas një kalvari të gjatë gjyqesh, ku anëtarët e organizatës u dënuan në mungesë nga “burg përjetë” deri në “22 vite burgim”. Emrat e djemve të ish-ministrit të Brendshëm, Aredin Shytit janë përmendur gjithnjë si krerët e kësaj organizate.

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka thënë disa here se “Hakmarrja për Drejtësi” ka qenë organizata kriminale më e madhe në vend në vitet 1992-1996.  Ata arritën të largohen nga vendi gjatë trazirave të ’97-ës dhe kanë marrë azil politik në vendet e Europës dhe nuk kanë vuajtur asnjë dite dënim nga burgu që u ishte dhënë në Shqipëri, por gjithnjë kanë kërkuar pafajësinë deri në ditën e sotme kur e arritën atë. Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda vendosi sot të shpallë të pafajshme “Hakmarrjen për drejtësi”.

Dënimi

Në vitin 2008, pas 12 vitesh hetime, Gjykata vendosi ti dënojë për 17 akuza që nga organizatë terroriste, vrasje, grabitje, rrëmbim, etj.  Kështu me burgim te perjetshëm u dënua Orik Shyti, Altin Arapi dhe Gentian Caka. Me 24 vjet burg u dënua Nikolin Novruzaj, 25  Roland Shyti, 22 vjet Leart Shyti dhe Kreshnik Spahiu, me 21 vjet burg Pasho Novruzaj e Dritan Hate dhe me 8 vite burgim Gezim Gjoni. Vendimi i Apelit u la në fuqi edhe nga Gjykata e Lartë.

Dy djemtë e ish-ministrit, Orik dhe Leart Shyti kanë mohuar gjithnjë akuzat, duke akuzuar Berishën se po i përndjek politikisht. Ata nuk janë ekstraduar asnjëherë në Shqipëri pasi kanë marrë azil në Zvicër dhe Belgjikë që në vitin 2004.

Në 2011, Gjykata Kushtetuese kthen mbrapsht për rishqyrtim dosjen penale ndaj dhjetë personave të akuzuar si anëtarë të “Hakmarrja për Drejtësi”, pasi sipas saj nuk ishte zhvilluar një proces i rregullt gjyqësor.

Nga shqyrtimi gjyqësor që i është bërë dosjes penale, Gjykata Kushtetuese  ka gjetur mangësi dhe shkelje që kanë cenuar rëndë procesin. Sipas Kushtetueses, shkeljet janë konsumuar në të tria shkallët e Gjyqësorit, nga Shkalla e Parë me shqyrtimin dhe administrimin e provave, nga Apeli me lënien e dënimeve në fuqi dhe nga Gjykata e Lartë me mosshqyrtimin e shkeljeve që ishin bërë në dosje.

Në fazën e hetimeve nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ata ishin akuzuar për krime të kryera pas vitit 1992, ku përfshiheshin 8 vrasje, 17 plagosje dhe 13 vjedhje e grabitje me armë. Sipas Prokurorisë, nga vjedhjet e grabitjet e kryera, të akuzuarit kanë përfituar më se 500 mijë dollarë dhe rreth 30 milionë lekë të rinj.

Akuzat politike

Akuzat e ish-Kryeministri Berisha kanë qenë të përsëritura për organizatën “Hakmarrje për Drejtësi”. Edhe një vit më parë (2016) Berisha deklaroi në Kuvend se pas laboratorit të kokainës të zbuluar në Elbasan fshihet “Hakmarrja për Drejtësi” e cila ka kërcënuar kryeministrin Rama në lidhje me operacionin e zbulimit.

Vëllezërit Orik dhe Leart Shyti, të cilët janë quajtur krerët e grupit “Hakmarrja për Drejtësi”, kanë lëshuar  deklaratë ultimative në drejtim të ish-kryeministrit Berisha.

Ata shprehen se Berisha është përpjekur nëpërmjet emrit të “Hakmarrjes për Drejtësi”, të zgjidhë problemet e tij politike, që nga tetori i vitit 1996, e deri në ditët e sotme. Sipas tyre, kryeministri e përdor emrin e kësaj organizate sa herë që e shikon veten ngusht.

Sipas tyre, “Hakmarrja për Drejtësi” është krijuar nga Sali Berisha në tetor të vitit 1996. Ishte kohë e vështirë për pushtetin e tij dhe nuk mënoi të sajonte një organizatë kriminale. Brenda 40 ditëve arrestoi rreth 120 persona, si anëtarë të saj”, thuhet më tej në deklaratën e vëllezërve Orik dhe Leart Shyti. Sipas tyre, Berisha përgatiti provat për të vërtetuar alibitë e tij rreth ‘Hakmarrjes’.

Historia

Historia e organizatës së quajtur “Hakmarrja për Drejtësi” filloi pasditen e datës 12-tetor të vitit 1996, kur Televizioni Shqiptar (TVSH) transmetoi lajmin se “në një apartament në qendër të Tiranës ishte zbuluar një arsenal i madh armësh”. Lajm i cili shoqërohej me sekuenca filmike, që tregonin një arsenal armësh të llojeve të ndryshme, por, nuk thuhej asgjë për adresën ku ndodhej ky apartament dhe kujt i përkisnin.

Tre ditë më pas, mediat e asaj kohe njoftuan se “vrasja e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, akuzë kjo e cila më pas iu adresua anëtarëve të “Hakmarrjes për Drejtësië”, ishte urdhëruar nga burgu i Bënçës.  Në atë kohë në burgun e Bënçës ndodheshin duke vuajtur ditët e burgut, ish-kryeministri Fatos Nano dhe ish-Ministri i Brendshëm në vitin 1991, Aredin Shyti. Këtu filloi edhe dalja në skenë i emrave të parë të të akuzuarve si pjesëtarë të kësaj organizate.

Por, më 12 dhe 13-mars të vitit 1997, burgjet u hapën dhe të arrestuarit e dyshuar si pjesëtarë të ashtuquajturës organizata kriminale “Hakmarrja për Drejtësi” u larguan për mos t’u kthyer më në Shqipëri.  /Opinion.al

Please follow and like us: