Kokëdhima: Veliaj-Tahiri ëndërrojnë të bëhen pasardhës të Ramës në PS
Ish-deputeti Koço Kokëdhima ka vazhduar me sulmet ndaj PS-së dhe kryetarit Rama. Së fundi ai ka zhvilluar një takim në qytetin e Elbasanit, prej ku hodhi akuza ndaj partisë së tij për mosmbajtjen e zgjedhjeve në Tiranë.
Sipas Kokëdhimës arsyeja duhet kërkuar tek rivaliteti Tahiri-Veliaj, të cilët e shohin veten si pasardhës të Ramës në krye të Partisë Socialiste të Shqipërisë.
“Në gjithë Shqipërinë në verën e vitit 2016 u bënë zgjedhjet e organeve vendore të Partisë Socialiste. U zgjodhën edhe kryetarët e partive në nivel bashkie. Në Tiranë nuk u bënë zgjedhjet. Partia Socialiste e Tiranës është më e shpartalluara në krahasim me gjendjen politike dhe organizative të partisë në të gjitha bashkitë e tjera të vendit. Saimir Tahiri është kryetar qysh në vitin 2011. Ai e ka mandatin 2 vjet. Që atëherë ai nuk është zgjedhur më. Saimiri nuk zgjidhet, ai rri kryetar vetvetiu. Është kryetar i përherhershëm”, tha Kokëdhima.
Sipas Kokëdhimës, Tahiri dhe Veliaj, janë dy “princat” e Rilindjes që e kanë marrë peng PS-në e Tiranës.