Kush ja mbyll gojën Artan Lames? Rama apo Gjush Dako i Durrësit?
Jemi mësuar ta shohim aktiv, mendjemprehtë dhe ndonjëherë edhe kundër rrymës Artan Lamen. Për çështje që lidhen me vlerat e trashëgimisë kulturore kombëtare, për një letër apo dokument me vlerë, për një flamur, për një shatrivan apo për një fasadë. Sigurisht shumë e kanë mbështetur Lamen dhe kanë besuar se ai, edhe përtej të majtës dhe të djathtës, do ta ruajë këtë frymën e një kali rrace apo të një qytetari të ditur që u hap sytë të paditurve me guxim dhe shpesh edhe me ulurima proteste.
Pasioni i tij, për të ruajtur vlerat e ndërtimeve historike dhe lufta për të cuar në mbijetesën e dëshpëruar dhe për të shpëtuar nga thonjtë dhe injoranca e idiotëve, ato pak gjëra që i kanë mbetur Shqipërisë, e ka vecuar nga të tjerët. Mirëpo tani Lame është mbyllur në një bunker egzistencial, si drejtor i madh, ku qarkullojnë interesa të mëdha te Aluizmi. Dhe me sa duket, nuk ka më sy për të parë dhe gojë për të folur dhe ka zgjedhur heshtjen dhe urtësinë, edhe ndaj masakrës arkeologjike te Torra veneziane në Durrës, ku po ngrihet “Veliera” e kapriciove të kryeministrit. Ka ndodhur edhe në Itali dhe Romë pikërisht, ku janë ndërpreë punimet apo janë devijuar ato, sepse gjatë gërmimeve janë bërë zbulime të rëndësishme. Ka patur sigurisht kosto, por është shpëtuar pasuria e përjetshme e qytetërimit antik.
Në Shqipëri ndodhi e njejta gjë, gjatë gërmimeve, u zbuluan mrekullira të fshehura nën tokë, disa arkeologë të ndrojtur nga frika e pushtetit megjithatë folën. Por kanë mbetur pa përkrahje, sepse kryeministri ka përplasur këmbët dhe e do me cdo kusht Velierën Elektorale! Që të habisë dhe te trullosë dursakët në Qershor. Po Tan Lame ku është? Kush ja mbyll gojën? Gjushi apo Rama? Apo rehatia e pushtetit? Sigurisht të gjitha bashkë. Por Lamen nuk e duron më njeri, që kur të mbarojë ciklin e drejtorllëkut të fuqishëm, të na dalë përsëri me ndonjë zbulim arkivash nga koleksioni i tij, ndërkohë që po hesht për disa krime të mëdha, në kurriz të perlave arkeologjike shqiptare. Krime në sy të të gjithëve dhe në heshtjen e plotë të ministres Kumbaro që drejton një ministri që nuk egziston.