Albspirit

Media/News/Publishing

Një vepër poetike që flet për shqetësimet dhe enigmën e njeriut tonë…

 

Tefik Selimi

Helena Halilaj është poete nga Tirana. Është e lindur më 1988 në Kukës. Është krijuese dhe ka vlera të rëndësishme arti. Është e shumë profesioneve: producente, gazetare, skenariste filmash dokumentare etj. Po ashtu, është drejtoreshë e Shoqatës Heles (kulturë, rini, aktivitete sociale). Pos kësaj, është autore e disa veprave letrare, si: “Sytë e tu rrëfejnë”, “Valëzimet e shpirtit”, Biletë malli”, “Pasarelë manekinësh”, “Çaste të kithta” dhe vepra e saj e fundit poetike është: “Mos ma vetmo fjalën”. Jo vetëm kaq. Si poete, ajo është vlerësuar me çmime të shumta nga shoqata të ndryshme për shkrimet dhe poezitë e saj. I është dhënë çmimi “Yllka Domi” si dhe nga Festivali Ndërkombëtar i Poezisë në Gjakove, 2016. Është gjithashtu anëtare e Qendrës PEN Albania.
Andaj, duke lexuar përmbledhjen me shënime kritike të Razi Brahimit “Kur flasim për poezinë”, që është një vepër e rëndësishme për mendimin kritik mbi poezinë, më është dukur e udhës të përsëris mendimin e shqiptuar që në fillim të këtij teksti në fjalët kur shtohet: “Qenka vështirë të shkruash për poezinë kur je apo kur nuk je poet”. Pse jo? Secili poet e ka botën e tij të veçantë poetike. Poetët janë çudi e botës. Janë thermi e jetës, por ata shohin më tepër se të gjithë të tjerët. Sytë i kanë të mëdhenj dhe nga brenda, ata janë vullkan që nuk dinë të shuhen. Të tillë janë poetët. Ata krijon vargje për ta joshur lexuesin, por edhe për t’a “zhytur” lexuesin në thellësitë e të menduarit.
Por, poezia e Helena Halilajt është art me simbole dhe me metafora të forta arti. Ajo të shtyn thellë të mendosh për përsiatjen e poetes, e cila hyn në thellësi të jetës dhe reflekton. Ky “imazh” i saj poetik është një lloj “yrneku” që rrallë kush di ta “dizajnojë”. Por, secili nga poetët mëtojnë të mbeten në kulmet e artit poetik. Pse jo?
“Mos ma vetmo fjalën” është vepra e fundit poetike e Helena Halilajt, poete nga Kukësi. Ajo po hapëron guximshëm në artin poetik. Vepra e saj është një “tjetër” vepër arti, e cila në vete posedon vargje me thellësi mendimi e me një “shije” të fortë poetike. Vargjet e saja janë plot elegancë shprehjesh e ritmesh. Janë vargje që tingëllojnë jo aq lehtë, por edhe jo aq “këndshëm”, sepse ato burojnë nga një brendësi e rrallë poetike. Sikur në këto vargje vërejmë një reflektim “tjetër” , por të çiltër e të lëmuar në poezinë e saj artistike. Lirishte mund të shtohet se kjo poezi e saj është moderne, e kohës sot.
Kjo poezi është e “hollë” për nga këndimi, por edhe e thellë nga përmbajtja. Ajo (poetja) i këndon mallit të djegur e të zhuritur të jetës, por edhe të dashurisë së vetmuar, e cila është një lloj brenge e dalë nga jeta e përditshmërisë sonë. Tek poezia e parë e kësaj vepre me titull “Për një faj”, sikur hyn njeriu nga të gjitha rrugët që vijnë e nga shkojnë, ku poetja lutet me katër duar “për frymën e dashurisë/ me pi vdekshëm/ një faj vetmitar…/ që vjedh kënaqësinë e vargjeve” (f. 4). Kjo është art i jetës në vazhdimësi.
Vargjet e kësaj vepre janë një poetikë e rrallë arti. Këtu ka art që të lë të mendosh shumë. Kjo është “gjendje” vetmitare e krijueses, e cila shpërthen nga trishtimi të atyre mbrëmjeve të etshme e të paarritshme. Poezia “Dy heshtje”, poetja i këndon mikut që t’ia sjell erën e kujtimeve që zemrën e saj ia qojnë peshë, sepse ajo është “dritë në terrin tënd” ku i drejtohet miku: “fol miku im/ foli heshtjes/me sheshtje/ se dy heshtje morën vesh” (f. 5). Është poezi që shpreh zemrën e plasur për heshtjen, kur shton: “Prekma shpirtin/ si buzët puthja e parë/ të ndahet vetë koha/ në tokë dashurie/ ujë poezie/ që rriteshim njësoj!” (f. 6).
Pra, poetja ka ditur të depërtojë në thellësi të ngjarjeve. Këtu ka vetmi, por nuk ka tëhuajsim, as mllef, as ikje nga vetja. Është poezi e ndjenjave të shpërthyera çasti. Nëpër vargjet e kësaj vepre, autorja ngre zërin e pak të dilemave që ngrit tensione. Këtu ka artikulime të forta poetike për dashurinë njerëzore, për vetminë, zhgënjimin e njeriut tonë, por ka edhe momente pikëllimi e “rebelimi” të këndës artistike poetike.
Edhe Moikom Zeqo, në një shënim të tij, ka shtuar se, vargjet e Helena Halilajt janë të rëndomta apo të thjeshta, ndonëse ato tingëllojnë të kundërtën. “Në këto poezi ka zhgënjim, pikëllim, vargjet e veprës në fjalë duket sikur shkruhen në skaj të ndjeshmërisë, ato duket sikur të jenë të thjeshta, por nuk janë aspak të thjeshta. Helena si poete shqetësohet për enigmën e njeriut. Ajo e ka vetëdijen se bota është e vrazhdë, e padrejtë, plot ligësi, e pabesë, se vetëm dashuria mund dhe duhet ta njerëzojë botën”. Pse jo? Ajo (poetja), në poezinë “Po ta dija” reagon duke kënduar se, “s’do mbetesha skllav në duar e zakonit” apo sikur ta dije dje,”sot kam një litar pendimi që më mbërthen më fort!”(f. 8).
Prandaj, te poezia “Atdheu im” ajo ngre zërin e atdhe-dashurisë duke kënduar: “Atdheu im më jep gjinë e lirisë/ Liria ime, atdheu im! (f. 13). Helena Halilaj i këndon atdheut plot vargje ekzaltuese fjalësh, të cilat vargje të përkujtojnë poetin e mjerimit Migjenin, i cili, duke parë padrejtësi që bëheshin në atë kohë, ai ngrite zërin e protestës gjer në qiell për fitore. Ja në poezinë “Ah Migjen”, poetja e veprës në fjalë, Helena Halilaj, sikur bashkëbisedon me poetin për t’ia falur ndonjë varg, kur shton: “I dashur Migjen/ ç’më ngjitesh në palcë të dhimbjes/…falma një varg ta pimë një cigare bashkë/ Pse Zoti s’ta dha ty përjetësinë/ Pse s’ishim në nji gem”(f. 86). Pra, poezia e H. Halilajt është një lloj përkimi me poezinë e Migjenit, I. Kadaresë e me disa poetë të tjerë. P.sh., poezia “Kah të vish” të shkon mendja se ka një hijezim nga poezia e I. Kadaresë “Do të vish” etj.
Edhe Bardhyl Londo, shkrimtar, lidhur veprën poetike të H. Halilajt, ka shtuar këto fjalë se, “poezia e autores është si e gdhendur nga një dorë e sigurt, ndonëse përvoja e saj në këtë fushë është relavisht jo e madhe. Bota e Helenës është një botë që të imponohet dhe të detyron në mënyrë të pandjeshme të provosh po ato situata që ka përjetuar edhe autorja. Dhe, kjo është shenjë e një poezie të vërtetë”. Pse jo?
Poezia e cila të imponon që ta lexosh dy a tri herë dhe s’mund t’ia dalësh ta zbërthesh enigmën e njeriut tonë, i cili, edhe në mes vete, ka shqetësime jete e kohe. Në poezinë e Helena Halilajt ka edhe dilema njeriu e jete. Në poezinë “Ti s’dinë nga dilet prej meje”, autorja shton këto vargje: “Lërmë ta pi me fund dhimbjen tënde/ se jam e dehur dhe s’më mbyt/ ty të dehë/ unë mbytem orëve që bëhen thinja”(f. 40). Apo dilema tjetër tek poezia “Vetja ime-malli yt”, kur poetja shton: “Hije të ftohta më kapluan udhët/ që i shkela në ditët pa kohë/ hije me bishta më ndjekin në udhën që s’vjen” (f. 47).
Te vepra “Mos ma vetmo fjalën” të Helena Halilajt, poete, ka edhe elemente të dashurisë. Nuk ka poet që nuk ka shkruar për këtë motiv. Tek kjo poete, edhe motivi i dashurisë është prezentë. Poezia “Mbetemi të dashur”, poetja sikur i përshkruan momentet e takimeve të zjarrta. Ajo shton: “Ik mos e njih sundimin/ tradhtoje epshin/ Ik dhe eja mallëngjyeshëm/ mbetemi të dashur” (f. 70). Apo vargu i kësaj teme: “Ndërrohen dashurinë në buzët e fajit (f. 78). Pra, vepra e Helena Halilajt, poete nga Tirana, është një nga veprat e avancuar nga të tjerat, sepse, këtu ka stil e gjuhë më të matur, si në aspektin e shprehjes, po ashtu edhe në aspektin e përmbajtjes së saj. Prandaj, bota në veprën e kësaj autore “lexohet” si e pikëlluar, e shqetësuar, e vrazhdë, e padrejtë e me plot ligësi, e pabesë, ku autorja klith nga brenda se, “vetëm dashuria mund dhe duhet ta njerëzojë botën!”.

 

Please follow and like us: