Nuk qeverisemi nga “Nazëri” apo “Jaguar”, ti nuk je votuar për të stiluar uniformat e Kombëtares apo të Policisë!
Artur Bego
Kryeministri Edi Rama “i lau duart” sot me grabitjen e 3.2 milionë eurove të para pak ditëve në aksin Qafë Kashar – Rinas. Nëpërmjet një sulmi të “sinkronizuar” me ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, i cili nga ana tij sulmoi bankat dhe shoqëritë private të sigurimit fizik (SHPSF-të), kryeministri Edi Rama nga ana e tij sulmoi opozitën. Me kaq, sipas qeverisë shqiptare, grabitësit, Policia dhe Qeveria, janë të vetmit që nuk kanë faj dhe nuk ndjejnë asnjë përgjegjësi për këtë grabitje të radhës.
Në monologun e tij të përjavshëm, jo vetëm nga pozitat “e spikerit të komunizmit”, sikurse e ka cilësuar sot Ben Blushi, kryeministri Edi Rama duhet të shihte e të shohë më larg se intervali kohor 13:24 – 13:29 i datës 9 shkurt 2017.
Por për atë ngjarja fillon e mbaron në 5 minuta.
Ndërkohë, pas kësaj grabitje më të fundit, por edhe pas të tjerave të mëparshme, një bandë, apo edhe më shumë se një, vazhdojnë të “shijojnë lirinë” mes luksit të miliona eurove të grabitura. Identifikimi i tyre, për më tepër edhe arrestimi, nuk janë përgjegjësi e SHPSF-ve “Nazëri” apo “Jaguar”, dhe aq më tepër e bankave…, apo…, apo…, e opozitës.
E pra…!
Ti kryeministër, që nuk lë mundësi pa dalë, më se një herë për çdo aplikacion “policie” në celularët tanë…, apo edhe për prezantimin një herë në nëntë muaj të dizajnit të uniformave të Policisë, nuk je votuar për të stiluar “ngjyrat” kuq e zi të Kombëtares së Futbollit, apo ngjyrat blu të Policisë…, por je votuar për të qeverisur. Në qoftë se me qeverisje quan lënien “të livadhisin” të bandave që grabisin bankat, sulmet ndaj SHPSF-ve, sulmet ndaj bankave…, apo edhe sulmet ndaj opozitës, ky po që mund të quhet “humor kaps” i Rilindjes.