Rrëfimet e një italiani: Nga bordelloja e Elbasanit, te netët në Tomor
Historia që tregon Ermanno botuar sot për herë të parë nga DITA është ajo e babait të tij Antonio dhe vitet që ai kaloi në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Është një lloj narracioni thuajse si ditar. Stili narrativ është i thjeshtë, por bindës.
Libri është një fotografi e luftës, e parë përmes syve të një kalorësi të thjeshtë që ilustron në mënyrë bindëse “ekspeditën” e padobishme italiane në Shqipëri.
Antonio Volterrani ishte pjesë e regjimentit të 13-të kalorësit “monferrato” gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Mes Vogheras, selisë së regjimentit dhe Shqipërisë, ai ka qëndruar larg shtëpisë për 43 muaj.
******
…Në mbrëmje, në kampin e Elbasanit orët ishin monotone dhe si pasojë koha dukej sikur kishte mbetur në vend. Të lodhur nga punët e rënda të ditës, ose nga kthimi nga një mision, mezi prisnim të shtriheshim. Në mbrëmje realisht nuk kishte asgjë për të bërë dhe argëtimet ishin pothuajse zero. Qyteti ishte një mirazh i ndaluar dhe ushtarët si ne, urreheshin nga pjesa më e madhe e qytetarëve. Të paktët kolegë që, kishin më shumë kohë se ne në kamp, sigurisht që nuk mund të kënaqnin kërkesat tona për diçka të re.
Megjithatë disa situata, prej kohësh na kishin bërë të dyshonim: shumë prej këtyre ushtarëve shpesh, pas rrëmujë të natës, zhdukeshin në mënyrë misterioze dhe nuk gjendeshin edhe pasi i kërkonim me ngulm. Me Ardenon, Osvaldon dhe të tjerët vendosëm të bënim sytë katër, sepse mëngjesin që pasonte zhdukjet misterioze, shokët në fjalë shfaqeshin më të qetë dhe të relaksuar.
Bordelloja e fshehtë e Elbasanit
Një mbrëmje, lashë strehimoren dhe shkova te shokët në çadrën e tyre. Si zakonisht po përgatiteshim për lojën me letra që na ishte bërë e mërzitshme, kur tetari i ekipit tonë erdhi me një frymë nga jashtë. “Djema, zbulova se ku kolegët tanë “pleq” kalojnë mbrëmjet”, tha ai duke qeshur. Fjala “pleq”, nuk i referohej moshës së ushtarëve, por kohëzgjatjes së shërbimit, veçanërisht kohëzgjatjes së qëndrimit të tyre në Shqipëri.
Tetari na tha se kishte marrë informacion nga një shok i besuar me të cilin ndante tendën. Thuhej se pranë kampit tonë, ndoshta më pak se një kilometër larg, pak para hyrjes në qytetin e Elbasanit, ushtria italiane kishte ngritur një bordello në një vilë të izoluar, pikërisht me qëllimin për të çliruar mendjen e ushtarëve të rinj nga vështirësitë që ishin të detyruar të përballeshin çdo ditë. Qershia mbi tortë ishte fakti se të gjitha zonjat në shtëpinë në fjalë ishin italiane.
Të them të drejtën aroma, e këtij lajmi që për ne ishte një e re absolute, ishte ndjerë me kohë. Në fakt çdo dy javë, të shtunën në mëngjes, ishte i ndaluar përdorimi i infermierisë së kampit, me justifikimin se përdorej për vizita të civilëve me origjinë italiane, që kishin të drejta të plota që të përdornin objektet ushtarake. Gjatë atyre mëngjeseve, ishin të shpeshta vizitat në infermieri të personazheve femra, të veshura mirë, por që nuk dyshoheshin se kryenin atë rol që na rrëfeu tetari ynë. Me të dëgjuar lajmin, ishte e lehtë të bënim lidhjen me shërbimet e zonjave me vizitat shëndetësore të së shtunës në mëngjes. Fluturuan bustinat jeshilo-gri dhe pakot e letrave u lanë në fatin e tyre në tavolinë kur vendosëm të shkonim të vizitonim bordellon. Megjithatë tetari, edhe ai duke dridhur nga padurimi, na këshilloi të prisnim nja dy net, në mënyrë që të mos krijonim dyndje në derën e “parkut të argëtimit”.
Ishte dhjetor i viti ’42 dhe e morëm në konsideratë propozimin për argëtim duke e parë si një dhuratë të papritur të fatit para Krishtlindjes. Pas gëzimit fillestar të shfrenuar, i infektuar edhe nga entuziazmi i shokëve dhe stimuluar nga abstinenca e zgjatur, mendimet shkuan në shtëpi, ku e dashura ime po priste kthimin e ushtarit të saj. Një ndjesi trishtimi më kaploi që e kisha tradhtuar, të paktën në mendime. Mbaj mend që i kam kaluar dy ditët që i paraprinin vizitës në “parkun zbavitës” duke luftuar mes dashurisë së sinqertë dhe të thellë që ndjeja për Xhorxhinën dhe nevojën, veçanërisht fizike, për të kënaqur instinktet e pakontrollueshme trupore dhe hormonet e ndrydhura të një 23- vjeçari. Nëse i shtohen dhe kufizimet e situatës aktuale, largësia nga shtëpia dhe mungesa totale e dashurisë, përtej miqësive të krijuara nga lufta, gjithçka bëhet dhe më keq.
I rezistuam më shumë se sa e kishim imagjinuar tundimit për t’iu bashkuar turmës së shokëve që vazhdimisht shijonin shërbimet e vajzave italiane. Pastaj, dreka “bujare” e Krishtlindjes së vitit ’42 mposhti përfundimisht drojën tonë.
Prej disa ditësh atmosfera ishte mjaft e qetë dhe nuk ishin planifikuar misione apo patrullime, me përjashtim të patrullave normale të përditshme rreth kampit dhe shërbimet roje rreth perimetrit të kampit. Komanda mori vendimin e duhur për t’iu rezervuar ushtarëve një trajtim të veçantë për këtë rast dhe urdhëroi kuzhinat e kampit që të organizonin diçka ndryshe nga e përditshmja, nga racionet monotone. Nuk na shërbyen as lazanja e as rosto keci, por një supë të shijshme me perime dhe një biftek viçi me patate (të them të vërtetën më shumë patate se mish). Ajo që u vlerësua më shumë, ishte një verë italiane, të cilën ndoshta toga e komandës e ruante për rastet e veçanta dhe duke pasur parasysh rastin, kishte vendosur t’ua shërbente ushtarëve.
Dreka dhe, mbi të gjitha, vera shpartalluan përfundimisht çdo fre që na mbante. Osvaldo dhe unë e bëmë duke kënduar gjithë rrugën e shkurtër që ndante kampin nga destinacioni ynë. Trokitëm në derën e madhe prej druri të shtëpisë dhe pas pak çastesh, një grua e moshuar dhe e shëndoshë me një paruke bionde dhe e trukuar rëndë, me cigaren e ndezur që i varej nga cepi i buzëve, hapi derën. Një erë pudre e përzier me aroma të tjera të ëmbla më ngacmuan hundën, aspak të mësuar me këto lloj aromërash. Zonja, pa thënë asnjë fjalë dhe me një qëndrim të ashpër, na e bëri me shenjë me një të lëvizur të kokës që të hynim.
Dhoma e madhe u hap para nesh, ndërsa unë i hidhja një sy të shpejtë ambientit të arreduar me pëlhura ngjyrë vjollcë. Në divanet e gjerë me stof me motive orientale, qëndronin të ulur disa ushtarë që prisnin turnin e tyre. Kjo gjë nuk më pëlqeu dhe më ngjalli një lloj neverie, por me insistimin e shokëve dhe batutave të tyre që vinin në dyshim aftësitë e mia dhe, mbi të gjitha, shijen time për çështje seksuale u qetësova. Zonja e vjetër, na akomodoi në një divan dhe na shërbeu një gotë sambuka* duke kërkuar në këmbim pagesën paradhënie të shërbimit, në lireta italiane.
Kaluam një orë duke qeshur, duke bërë shaka dhe duke fantazuar rreth asaj përvoje. Herë pas here vajzat, gjysmë-lakuriq dhe të trukuara tej mase, hynin në sallon duke tundur vithet, dhe zgjasnin duart provokuese për të ftuar klientin e radhës. Ishin të gjitha shumë të bukura, megjithatë një prej tyre, me siguri më e madhe se unë, më bëri përshtypje. Ishte e gjatë dhe ishte më e bukura: në zemrën time shpresoja të kaloja pikërisht me të kohën që kisha në dispozicion.
Kaçurrelat e zeza të stolisura me një trëndafil të kuq i shkonin fytyrës së saj të zbehtë, të imët, dhe të mprehtë në të cilën dalloheshin sytë e shndritshëm të zinj të trukuar rëndë me një rimel ngjyrë vjollcë. Hunda e vogël e drejtonte shikimin drejt gojës së vogël dhe buzëve të kuqe edhe pse të tej-lyera me të kuq. Qafa e gjatë të çonte drejt gjoksit dhe trupit me forma të mbështjellë nga një bust ngjyrë amaranthi që përfundonte me dantellë të zezë. Ndërsa kofshët e saj të gjata, dhe këmbët e vogla të zbathura lundronin në ambientin e ëmbël të dhomës së pritjes.
Ndoshta i tradhtuar nga emocioni, kisha përshtypjen se, sa herë që hynte në sallon para se t’i propozonte klientit të radhës, vështronte drejt meje sikur donte të thoshte: Më prit, pas pak do të jem tek ty”.
Erdhi radha ime. Kërkoja më sy zonjushën e bukur, por që nuk erdhi. Refuzova ftesën e gruas së parë që më ofroi shërbimet e saj duke shpresuar se do të kisha më shumë fat me tjetrën. Refuzova dhe dy propozime të tjera, duke shkaktuar protestat dhe inatin e zonjës së shtëpisë, kur më në fund, në fund të korridorit, u shfaq objektivi i dëshirës sime.
Vinte drejt meje duke më provokuar emocione që përshpejtuan çmendurisht ritmin e zemrës time. Më kapi prej dore dhe më çoi në dhomën e saj. Dera prej druri të errët të drejtonte në një dhomë me mure të lyera së fundmi me të bardhë dhe pak të mobiluar. Një krevat dopio i rregulluar mirë, dhe një komodinë ishin vërë përballë derës së përparme. Një dollap i vogël që mezi qëndronte në këmbë në të djathtë, pranë dritares së mbyllur, dhe një varëse për palltot pranë lavamanit, ishin mobiliet bazë të dhomës. Ndriçimi bëhej nga një llambadar i vogël me dru ulliri me tre llamba, i varur në mes të tavanit.
Çfarë ndodhi më pas është e lehtë për t’u kuptuar. Në këtë hapësirë të shkurtër kohe, pak nga vera e pak nga pjesa tjetër, harrova gjithçka që ekzistonte jashtë katër mureve të asaj dhome dhe përfitova nga vërshimet e asaj bukurie të rrallë që ndoshta ishte detyruar nga rrethanat për të bërë atë shërbim të pavlerësuar dhe antiedukativ, edhe pse të mirëpritur.
Besoj se kam kaluar gjysmë ore në dhomën e vajzës, por i shpenzuam minutat e fundit duke folur vetëm për ne, ndërsa ajo vazhdonte të më përkëdhelte butë fytyrën. Në fund, më kërkoi që të shkoja sërish për t’u njohur akoma më shumë dhe më përshëndeti me një ledhatim të fundit.
Kur dola nga dhoma u përballa me ankesat e zonjës me paruke bionde që i lëshonte kritikat nga cepi tjetër i buzës ku nuk mbante cigaren dhe të ushtarëve që prisnin në divan. Mesa duket kisha përfituar pak si tepër nga disponueshmëria e vajzës. Por nga ta dija unë se sa duhet të qëndrohet në dhomën e një bordelloje? Kisha qëndruar për aq kohë sa kisha dëshirë, vajza duket se kënaqej me shoqërinë time, përse duhet të nxitoja për të dalë?
Nuk ia thashë emrin tim, pavarësisht kërkesave të përsëritura të saj, dhe nuk kërkova as të sajin. As nuk mësova se ku përfundoi pas asaj pasditeje të vetme Krishtlindjeje. Shmangia dhe rrethinat e infermierisë, në ditët kur vajzat vinin në kamp për ekzaminimet e duhura mjekësore, duke shmangur kështu që sytë e saj të më tundonin ta provoja sërish.
Masivi i Tomorit
Ishim ende në luftë dhe kampi bazë i Regjimentit të 13-të të Kalorësve të “Monferrato”-s ishte ngritur në periferi të Elbasanit, jo shumë larg shpateve të Tomorit. Sa për të dhënë një ide, për të arritur bregdetin në këmbë, nga kampi ynë duheshin tre ose katër ditë. Skuadrilja ime ishte e autorizuar të furnizonte me ushqime italianët që gjendeshin në male dhe që e kishin të pamundur t’i merrnin. U nisëm nga kampi në një pasdite të ftohtë dimri, sapo kishte filluar të errej. Kam ende një fotografi tonën që e shkrepëm gjatë një ndalese: batanijet ushtarake na lejonin të pushonim pjesërisht. Në majat më të larta të Tomorit, kishte borë edhe në qershor.
Nevoja për të udhëtuar gjatë natës vinte për shkak se gjatë ditës rrezikonim të diktoheshim nga partizanët shqiptarë. Ndonjë snajper i fshehur në grykat shkëmbore nuk do të ngurronte, të na shënjestronte dhe duke qenë se mundësitë për t’u arratisur ishin zero, do të kishim përfunduar si minjtë.
Herën e parë që toga ime mori pjesë në një mision të tillë ishim të tmerruar, por frika arriti kulmin kur pamë se mbi kokat tona shiheshin tyta armësh. Ndërsa vazhdonim marshimin drejt zonave më të larta, një natë më vonë u kthyem nga kreshta ku kishim parë armët dhe zbuluam se bëhej fjalë për një inskenim të partizanëve shqiptarë për t’u dukur më të armatosur seç ishin në fakt. Format kërcënuese që na kishin frikësuar ishin tubacione çimento dhe asbesti që nga një larg të gënjenin si vegimi në shkretëtirë. Pas asaj kohe, çdo situatë e këtij lloji na shqetësonte gjithnjë e më pak.
Në një prej atyre netëve, ndërsa marshonim në errësirë të plotë, unë ruaja mushkën e ngarkuar me ushqim që më ishte besuar që në fillim. Ishim tejet të lodhur dhe të ngrirë nga i ftohti. Edhe pse ishim mësuar tashmë me misione të tilla, ishim të frikësuar nga errësira totale në të cilën ishim zhytur. Pranë kufirit me Greqinë, skuadroni me kuaj vazhdonte rrugën një në një mes shtigjeve të shumta. Hëna e zbehtë mezi na lejonte të shquanim majat e largëta të mbuluara nga dëbora dhe dukshmëria ishte reduktuar në mënyrë drastike në disa metra. Radha që ishte para meje u ndal dhe unë shfrytëzova rastin për të zbritur nga kali dhe të ulesha në një shkëmb të madh që gjendej në rrugën anës malit. Më ndoqën menjëherë ata që ishin bashkë me mua. Pata kohë për të mbyllur sytë dhe për të shtrirë gjymtyrët e mpira nga qëndrimi i parehatshëm e për shumë kohë në shalën e kalit, sa për t’u çlodhur për një moment, kur ndjeva një shkundje të fuqishme në supe. Pendohem për veprimin dhe shoh që ata që më ndiqnin po nervozoheshim. Kuajt para meje ishin zhdukur nga sytë, sikur të ishin gëlltitur nga errësira. Një zë, një klithmë. Asnjë përgjigje. Të rinj dhe pa përvojë u ndjemë të humbur, megjithatë, rifilluam marshimin me ritëm të shpejtë, aq sa na e lejonte mungesa e dritës dhe kafshët, duke shpresuar se do të gjenim rrugën sa më shpejtë të ishte e mundur.
Vazhduam për një gjysmë ore të gjatë, gjatë së cilës mendimet e errëta na kishin uzurpuar ne që ishim gjithçka tjetër veçse jo të qetë. Mendimi që kishim humbur dhe si pasojë rrezikonim të etiketoheshim si dezertorë, ishte ai më optimisti. Vrazhdësia e sipërfaqes rrugore, për më tepër, nuk na lejonte të përshpejtonim ritmin, duke u vonuar rrezikshmërisht përpjekjen për t’u qasur me pjesën tjetër të skuadrës. Thundrat e kuajve përplaseshin në gurët e zhveshur të shpatit të malit. Mushka herë pas here jepte shenja nervozizmi, duke ndaluar me kokëfortësi dhe ngadalësuar edhe më shumë ritmin. Herë pas herë lëshoja ndonjë të bërtitur në errësirë me shpresën, se do të merrja një përgjigje. Meraku se kisha shkaktuar humbjen e grupit tim më kishte kapluar stomakun dhe më turbullonte mendjen derisa kur, pas një kthese, pas klithmës së disatë të lëshuar në boshllëk, vjen një përgjigje e dobët, një fishkëllimë, që na ktheu qetësinë se ishim bashkuar me pjesën tjetër të skuadronit.
Në errësirë pothuajse të plotë, zbulova se të fundit në radhë kishin kuptuar menjëherë mungesën tonë megjithatë fjala kishte vonuar të shkonte tek kreu i karvanit në mënyrë që oficeri të ndalonte marshimin e duke përfituar kështu edhe për një pushim. Për aq sa mund të jetë çlodhës një ndalesë në malet e larta në mes të dimrit dhe në kohë lufte.
Pas disa orësh pas rifillimit të marshimit, rrugica e ngushtë zgjerohej në shtratin e një lumi modest, ndoshta Shkumbini ose disa degë të tij. Skuadroni vazhdoi të ecte mirë, kur, papritur, komanda e linjës, gjithmonë me metodën e zakonshme të fjalës gojë më gojë komunikoi një situatë të çuditshme që ishte krijuar, duke i këshilluar ushtarët të kërkonin mbrojtje derisa të qetësoheshin ujërat. Në atë pikë të rreshtit ku unë ndodhesha nuk erdhën lajmet e motivit se përse ishte i nevojshëm ky stacioni i ri i paplanifikuar. Por në të tilla raste nëse të thonë fshihu është mirë ta bësh sa më parë, pa e zgjatur. Kërkimi i një strofulle doli më i vështirë se sa pritej.
Shkurret e rralla që gjendeshin në shtratin e lumit u mbushën shpejt. Edhe kuajt ishin të heshtur, sikur të ishin të vetëdijshëm për rrezikun e situatës. Nuk u shqetësova për mushkën duke e braktisur në mëshirën e fatit. Në dritën e pamjaftueshme të hënës së zbehtë, veshët ishin vigjilent për të zbuluar edhe zhurmën më të vogël. Tensioni ishte i dukshëm. Zemra buçiste. Ritmi kardiak ishte harbuar aq sa e kisha të pamundur të masja pulsin.
Dalëngadalë ndërsa dëgjimi mësohej me zhurmat që na rrethonin, të tilla si rrjedha e lumit dhe tingujt e natyrës, perceptoheshin gjithnjë e më shumë ato që na shkëpusin nga normaliteti.
Zhurma e guralecëve që lëvizin mbi njëra-tjetrën, sikur nxiteshin nga hapat e këpucë të rënda, na frikësoi aq shumë saqë në një pikë madje ndala dhe frymëmarrjen. Për fat të keq nuk mund të detyroja kalin të mbante frymëmarrjen e rëndë, por ngushëllohesha me faktin që edhe ushtarët e tjerë ishin në gjendjen time. Zhurma ishte konstante, por duket se nuk po afrohej drejt nesh. Duke u mësuar me efektin e pazakontë akustik, u bëmë më të guximshëm dhe në heshtje disa prej nesh u afruan në burimin nga mendonim se vinte sinjali. Edhe unë u ngrita: lashtë për një çast kalin i cili në mënyrë spontane u ngrit në katër këmbë duke lëshuar një duhmë të butë nga hunda e lagësht, dhe iu bashkova me kujdes trupave. Zhurmat u bënë edhe më të qarta edhe pse ngatërroheshin me ato të këpucëve tona. Situata groteske që na u paraqit ishte e mjaftueshme për të na ç’tensionuar dhe t’ia jepnim gazit në atë mënyrë që këto lloj situatash shkaktojnë.
Duke bërë dritë me disa kandila benzine, pamë se si dy breshka po shijonin dashurinë me njëra-tjetrën duke krijuar dhe zhurmat që na kishin frikësuar aq shumë, aq sa e detyruan skuadronin të bënte një ndalesë të papritur. Zhurma nuk ishte asgjë më shumë se rezultati i dy përplasjes së dy zhguallëve me njëri-tjetrin, të shoqëruar me shtratin e gurëve që lëviznin nën këmbët e tyre. Nuk kisha parë kurrë breshka kaq të mëdha dhe duke pasur parasysh situatën u lumturova që zbulova diçka të tillë në atë çast. Situata groteske kishte arritur limitin e talljes, ndërsa ne ishim të shqetësuar në lidhje me zhurmat e çuditshme, breshkat po bënin në heshtje dashuri.
Kurrë nuk kuptova plotësisht nëse shkaku i vërtetë i ndalimit me forcë ishte situata e krijuar nga breshkat apo diçka më serioze u vu re nga kreu i togës. Fakti është se, në heshtje, ishim trembur me të vërtetë nga zhurma e pazakontë. Është e mundur që, ndërkohë, edhe kërcënimi i perceptuar nga komanda e togës të kishte kaluar, por askush nuk denjoi të na jepte një shpjegim në lidhje me këtë.
Në udhëtimin e kthimit, në fund të një prej ekskursioneve të shumta, kapëm një mostër të breshkave mitike dhe i ngarkuam mbi mushkë për ta marrë në kampin bazë të Elbasanit. Breshkat kishin një pamje të fuqishme dhe në një ditë mjaft të qetë, nga pikëpamja e manovrave ushtarake, kurioziteti na nxiti për të provuar aftësitë e tyre fizike. Nuk mbaj mend se cili prej nesh lidhi zhguallin e breshkës me një litar me parakolpin e “Fiat Topolino” të komandës: nuk do ta besoni. Breshka ishte në gjendje të tërhiqte lehtë makinën për disa metra, dhe kush e di se ku do të kishte çuar nëse nuk do ta lironim nga litarët.