Albspirit

Media/News/Publishing

Shenjtërimi dhe banaliteti i datës 14 shkurt!

Syrja Kurti

Për të mos më keqkuptuar më lejoni që t’u them se nuk kam asgjë me shenjtorët. Mundohem t’ i respektoj ata me aq sa mundem në mënyrën time, të kujtdo feje dhe besimi qofshin.

Edhe atëherë kur bëmat e mrekullive të tyre nuk janë shumë të besueshme dhe mbërrijnë deri tek ne me shumë si legjenda se sa histori të vërteta.

Madje edhe kur shenjtorët e një dite janë më shumë se një, dhe njeriu i shkretë nuk di se kush është më i rëndësishmi e nuk di se si t’i vendosë në radhë unë prapë i respektoj të gjitha versionet dhe veprat e shenjtërive të tyre.

Edhe shenjtorët Valentinë të datës katërmbëdhjetë i respektoj të gjithë pa përjashtim, bashkë me historitë e tyre me martesa ushtarësh, me vajza gardianësh , me peshkopë e Papë, e me çdo histori tjetër që ka mbërritur deri tek ne.

Unë nuk kam asgjë as me Xhefri Kraucer-in i cili me poezinë që shkroi për nder të dikujt, gjeti këtë datë si më të përshtatshme për romantikën e munguar deri atëherë, dhe që Evropa e mesjetës e kishte shumë për zemër në kuadër të idilizimit të dashurive të kalorësve dhe damave të tyre.

Nuk kam asgjë as me disa të tjerë që e lidhin këtë datë me nisjen e çiftëzimit të disa llojeve zogjsh në Evropën veriore , me letra dashurish platonike të nisura për dikë në këtë datë, me konkurse të lashta poezish ku zgjidheshin partneret, e me ndonjë gjë tjetër që unë akoma nuk e di.

Në fakt të them të drejtën më vjen mire e kënaqem brenda vetes që të paktën askush nuk përmend macet, sepse me aq sa di dhe që të jem i sinqertë deri në fund, edhe ato sezonin e dashurisë e nisin rreth kësaj date.

Në fund të fundit duhej një datë , dhe nëse nuk ka një ngjarje ashtu siç duhet, ajo duhet shpikur për të lejuar që njerëzit të shfryjnë, ose me saktë të zbrazin ndjenjat e tyre ashtu siç mund të zbrazet një kazan me supë .E për ta derdhur kazanin, njerëzia ka vendosur këtë datë dhe në asnjë mënyrë nuk duhet bërë më parë ose me pas, por pikërisht më katërmbëdhjetë.Pavarësisht se kalendari gregorian në rastin më të keq të tij, ka edhe 364 ditë të tjera gjërat duhen bërë në këtë datë.

Për t’i treguar të tjerëve por dhe për t’i mbushur mendjen vetes se ne respektojmë Valentinin( ose Valentinët). Që ne dimë të duam dhe të dhurojmë dashuri dhe nëse nuk e bëjmë në ato treqindegjashtëdhjetëekatër ditët e tjera te vitit, i kemi gati justifikimet me arsye për të shfajësuar veten.

Pavarësisht se shumë nga tufat, buqetat, , shportat e luleve, nuk shkojnë atje ku duhet dhe shpesh përfundojnë jo në njeriun e duhur por i shkojnë thjesht se duhet bërë “sikur”, se duhet bërë “gjoja”, unë e respektoj Valentinin dhe festën e tij.Pavarësisht se shpeshherë duhet bërë sikur duam dhe na duan.

Madje kam disa ditë që i lutem Zotit që në datën 14 mos të ketë shi, që të gjitha familjet të cilat e kanë vendosur që para një muaji se atë ditë do të shkojnë nga liqeni duke marrë edhe bukë me vete, të festojnë të gëzuar dhe ti konsumojnë të gjitha pakot, qeset dhe çantat me të cilat janë ngarkuar.Kur familjet nuk janë në numër të konsiderueshëm anëtarësh, mua më vjen mirë kur bashkohen me kunetër e baxhanakë, me vjehërr e krushka.

Sepse edhe fotot për instagram, facebook e kudo tjetër ,dalin me bukur kur janë më shumë njerëz.Nuk ka rëndësi se ku janë, në lëndina me bar a në bregdet, në male e fusha, mjafton që në foto të dalin 30 vetë duke festuar Valentinin, me gota dhe bulçi të mbushura plot, me mishra e byreqe, me pjata, kazanë dhe sahanë.

Mua më pëlqen kur për këtë datë dalin e flasin edhe të ashtuquajturit Vipa të vërtetë dhe të pavërtetë.Sidomos ata që janë në lidhjen e shtatë dhe deklarojnë me solemnitet se kjo e kësaj radhe është lidhja e jetës .Më pëlqejnë shumë edhe ata që dashurinë e 365 ditëve e mbledhin ,e bëjnë koncetrat dhe e japin me shumicë në datë 14.Dhe të gjitha ditët e tjera të vitit i Iënë bosh, i lënë fushë fare, ku fryjnë vetëm erërat dhe ditët e tyre ngjajnë me ato tepsitë e mishit në fund të festës ku nuk ka mbetur asgjë, por asgjë fare ama.

Unë e respektoj Valentinin dhe pse shumë nga ata që kanë marrë dhe kanë dhënë puthje plot zjarr e lule, dhe pse shumë të tjerë që edhe kur janë në mes të tavolinave familjare të mbipopulluara, (ku qoftet përzihen me pelenat), porsa i jepet mundësia nisin ndonjë sms vjedhurazi për dikë që është diku tjetër.Unë e respektoj Valentinin edhe pse këta të fundit aty ku janë bëjnë “sikur”, e në rastin më të keq nuk do donin të ishin fare aty ku janë , dhe në rastin më të mirë, duan të jenë edhe aty por edhe diku tjetër.

Unë i dua Valentinët, e dua edhe datën 14, dua edhe mijërat e kartolinave që dërgohen në ballkonin e Zhuljetës, i dua çokollatat dhe të gjithë llojet e tjera të ëmbëlsirave që shpërndahen e jepen për t’a ëmbëlsuar më shumë këtë ditë . I dua edhe lulet e në veçanti mijërat e trëndafilëve të kuq që dhurohen këtë ditë.I dua të gjithë njerëzit që festojnë, madje edhe ata që bëjnë sikur.

Problemi i vetëm që unë kam është se me paaftësinë time nuk jam i zoti të ndaj se ku mbaron shenjtërimi dhe ku fillon banaliteti i ditës së katërmbëdhjetë të shkurtit.

Please follow and like us: