Shqipëria dyfishon prezencën ushtarake në Kosovë
Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli ka zhvilluar sot një takim me ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli. Në njoftimin për shtyp shpërndarë me këtë rast thuhet se ministrja ka deklaruar se “konsolidimi i shtetit të Kosovës dhe paprekshmëria e kufijve kushtetues është në fakt prioritet i axhendës sonë të përbashkët dhe ishte le të themi ajo çka në mënyrë eksplicite u bisedua midis nesh, dy delegacioneve”.
Kodheli ka folur për një vullnet të përvashkët në rast të krijimit të tensioneve nacionaliste false, kjo në emër të saj që ajo e quajti “ëndrrajtonë e madhe dhe e popujve, ajo e integrimit euro-atlantik në të gjithë rajonit që jetojmë.
“Ne vlerësojmë maksimalisht punën e jashtëzakonshme që personeli ushtarak i misionit më të gjatë NATO, KFOR bën në Kosovë. Prezenca e ushtarakëve shqiptarë në fakt atje do të dyfishohet, është një lajm që ne e kemi dhënë edhe më parë, dhe ne jemi në përfundim të procedurave ligjore për këtë shtesë personeli”, tha Kodheli.
Nga ana e tij Demolli ka nënvizuar angazhimin e Kosovës për transformimin e FSK-së i cili nga ana e tij ka hedhur dritë mbi disa aspekte të vizitës së sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s.
“Edhe në të ardhmen trupat e KFOR-it do të qëndrojnë dhe do t’i ofrojnë një siguri të plotë Republikës së Kosovës. Gjithashtu u theksua se pas përgjigjes që zoti Stoltenberg i ka kthyer kryeministrit të Republikës së Kosovës, zotit Mustafa, janë krijuar kushtet për një identifikim të bashkëpunimit ndërmjet NATO-s dhe FSK-së në programe të caktuara gjithsesi në programet kryesore ku do të ketë një fillim bashkëpunimi midis FSK-së dhe NATO-s do të jenë kërkim – shpëtimi, luftimi i krimit kibernetik, shkenca e paqes dhe sigurisë”, tha ai.