Albspirit

Media/News/Publishing

Tradhtinë nuk e fali as Krishti

Kimete Berisha*

Në Shqipëri janë krejt të pamëshirshëm kur vjen puna te zbulimi i historive personale për të vdekurit a për të gjallët, nuk mërziten ata, gazetarët atje nuk përtojnë t’ia nxjerrin ‘zorrët’ viktimës n’asfalt, dhe të tregojnë çdo imtësi personale për të, nuk i kursejnë as fëmijët, as prindërit e viktimave, askënd, ata s’lënë gjë pa bë kur vjen puna te interesi i tyre. S’kishe si të ‘shpëtosh’ pa e lexuar historinë e dy dashnorëve të martuar në Fier, të cilët përfunduan tragjikisht…burri e vrau dashnoren e pastaj e vrau edhe veten…punë për ta! Kaq.

Por, gazetarët shqiptarë nuk ngihen me kaq, sepse vet lexuesi nuk ngihet me kaq. Mbi të gjitha pyetjet se si ndodhi, pse ndodhi , etj. doli në pah edhe një herë prirja shqiptare që tradhtinë e burrit ta konsiderojë normale ndërsa tradhtinë e gruas ta konsiderojë absolutisht të papranueshme! Kështu, në varrimin e gruas së ‘pabesë’ nuk mori pjesë askush (veç varrtarëve), e në varrimin e burrit ‘tradhtar’ morën pjesë 1000 veta (përfshirë gruan e tradhtarit) Çka flet kjo për ne? Pse gruas nuk i falet pabesia ndaj burrit e burrit i falet! Edhe nëse pendohet, edhe nëse kërkon falje, edhe nëse gruaja digjet për së gjalli me pishman, kot, një herë e pabesë-përherë e pabesë!

Sepse, mundësia e gruas për të tradhtuar është më e madhe dhe më e rëndë sesa e burrit. Natyra ia ka mundësuar gruas të jetë ‘më tradhtare’ sesa burri. Edhe vetë gratë e gjykojnë tradhtinë e gruas më shumë se të burrit. Edhe unë mendoj si meshkujt…se tradhtia e gruas është më e rëndë sesa e burrit. Sepse, gruaja është nënë, e nënë të keqe nuk do të duhej të kishte. Tradhtia dhe pabesia janë shkalla më e lartë e shpirtit të robëruar. Njeriu i lirë nuk mund të jetë i pabesë.

Pabesia dhe tradhtia janë karakteristika të njerëzve primitivë, frikacakëve, të fukarenjëve, të njerëzve të varur, të mazohistëve që u pëlqen dhuna, që u pëlqen të ndjehen të nën ethe, të frikësuar dhe dramatik, si dhe të atyre që janë mbytur në terr. Dashuria është dritë, prandaj nuk realizohet në terr. Kur ua pashë veturën e vjetër e të pluhurosur, dhe e përfytyrova dhuratën e tyre për Shen Valentin…’bah’! Dashuria është e pastër, e ndershme, e lirë, hyjnore…bëhet në dritë të diellit… Dashuria u takon njerëzve të mirë…këto të tjerat që janë epsh e u thonë ‘dashuri’, të fshehtat dhe konsumueset si kjo, për to flet fundi i tyre! Ama, tradhtinë nuk e ka falë Dante, as Zoti, as Krishti, as Muhamedi, as Jul Cezari, as Nëna Terezë nuk e ka falë Judën, askush pra, askush nuk e ka falur tradhtinë, që të parët ta falim ne.

P.S. Tjetër gjë që Majlinda Bregu (në shkrimin e saj, që është shkrimi më i keq që e kam lexuar deri sot), e krahason dashnoren nga Fieri me Musine Kokalarin dhe (komplet gabim) me Malenën e filmit (Monika Belluçin). Monikën e filmit e urrejnë dhe e xhelozojnë gratë që nuk është ‘e thjeshtë dhe çorode’ sikur ato , ndërsa Musinja e shkretë vdiq në izolim, larg dashurisë…! Se si i ka lidhur këto tri vdekje mendja e saj, çudia e Zotit.

*Marrë në Facebook-un e  autores

Please follow and like us: