Alfred Golloshi: Eja me Trenin e Paqes
Letër një mikut tim serb
I dashur D. A.!
Përshëndetje miku im! Mos u habit se po të shkruaj në këtë formë, por të më besosh se nuk mund t’i rezistoja dot tundimit. Sepse këndej kufirit ne kemi ca palo politikanë dhe ju andej kufirit keni ca palo politikanë gjithashtu, që si gjithmonë duan të na i lënë ‘patatet e tyre të nxehta’ në duart e qytetarëve të thjeshtë. Kjo është qesharake!
Miku im, po le t’ja fillojmë me ato kujtime të bukura te viteve që kaluam së bashku në shkollë. Atje larg, ne atë vend të Evropës Qëndrore, të kujtohet qe ne mblidheshim gjithë zhurmë, kur hanim së bashku dhe pinim kafe. Kishim kohë të flisnim hapur dhe miqësisht. Tek ty, për herë të parë, ne gjetëm një person, një serb më sakt, që ne shqiptarëve na pranonte ashtu siç ishim. Më kujtohet kur ti, miku im, e merrje tim bir në krah, e mbaje në qaf dhe luaje me të. Ne nuk pamë as një shenjë urrejtje dhe as paragjykime në sytë e tu. Ai, im bir, çamarroku i vogël do të kërkonte që ti ta transportje me karrocën që pastroje rrugët nga dëbora. Eh, çfarë kohe për të mos u harruar, jo unë nuk mundem, përgjithmonë!
Unë e di që kjo miqësia e jonë nuk do të prishet kurrë dhe nuk ka asgjë që ta mposhtë, as koha, as titujt gazetash idiote, as ca deklarata të nxehta politikanësh dritëshkurtër, tipik ballkani! Larg qoftë! Sepse i shpërfill dhe nuk i marr për bazë patatet e nxehta te politikanëve tanë dhe kokave të nxehta që ndjellin lufte dhe shohin të keqen tek i afërmi. Oh, ne, unë dhe ti e dashurojmë paqen dhe jemi lindur për paqe. A nuk është kjo e vertetë, sepse ne i kemi bëre realitet tashmë. Dejan, në kontrast me ata lloj politikanësh apo të tjerë që ju keni, unë e di që ti kurrë nuk do të marrësh pushkët dhe do të vish këtu dhe të më dëmtosh mua dhe fëmijët e mi, fëmijët tanë dhe shtëpitë tona. E si mund ta mendoj, që ti do të mund të drejtosh pushkën tënde tim biri, që dikur e mbaje në qafë dhe hargaliseshit të dy! As unë, kurrësesi nuk do të merrja armët apo t’i hipja nje tanku dhe të vij tek shtëpia juaj, me qëllim që të dëmtojë ty dhe familjen tënde të mrekullueshme. Jo, jo kurrë, sepse unë jam një paqebërës.
Unë dua të siguroj, miku im, se këtu afër dhe larg meje ka shumë njerëz që si unë mendojnë dhe duan paqen dhe lirinë. Po e di dhe këtë, që ka shumë që i demonizojnë serbët dhe i shohin si armiq, si njerëzit që u kanë sjell vetëm të këqia. Ai djali jetim që kohë mëparë në Tiranë qëlloi autobusin me futbollist serb më erdhi një të djelë në kishë. Pasi pimë një kafe, më rrëfeu se e qëlloi autobusin serb me gurë sepse ishte i lënduar. Ata djemtë e këqij në stadimin e Beogradit thërrisnin “Vrisni Shqipëtarët.” Por djali jetim është gati të kërkoj falje per gurin që hodhi. Mbajë vesh një gjë, se ai dhe unë jemi të lënduar! Oh, miku im kanë ndodhur luftëra dhe beteja mes popullit tim dhe popullit tuaj, dhe ne këndej jemi plot me kujtime të dhimbshme. Sigurisht, edhe ju jeni shumë të lënduar dhe të plagosur në shpirt. Nuk ka se si, sepse lufta është e keqe dhe urrejta askujt nuk i bëri mirë. Prandaj miku im, unë dhe ti nuk mund të jemi dakort, as që bëhet fjalë që të pajtohemi me patatet luftënxitëse të politikanëve tanë, kushdo qofshin këta kryeministra apo presidentë.
Ndërsa po të shkruaj dhe hedh këto mendime, jamë i ndërgjegjshëm se mund të më quajnë tradhëtar. Por për hir të vërtetës, që nuk mund të rri pa e thënë, unë me miq dhe me shokë ju kemi hapur zemrat shqiptarëve të Kosovës në vitet 1998-99. Më kujtohen ato muaj, kur i mirëprisnim, i strehonim dhe i ushqenim. Punonim kaq shumë gjithë ditën dhe vonë në darkë shkonim të dëgjonim historitë e tyre të luftës. Shpesh qanim me ta, i rrethonim me krah dhe i përqafonim. Oh, çfarë realiteti i dhimbshëm! Po ju them se në dasmën tonë që e bëmë në Maj 1999 ftuam me dhjetra njerëz të Kosovës, sepse donim që të ndanim gezonim tonë se bashku me ta. Brenda nesh është një zemër e madhe shqipëtare që don. Unë dhe të tjerë si unë jam miku i madh mijërave të shqiptarëve të Kosovës. Tingellon sarkazëm që ‘qytetar nderi të Kosoves’ u bën ca paloço politikanë të veckël pa asnje meritë, dhe jo ata dhjetra heronjë shqiptarë që sakrifikuan dhe mbajtën me buke, ujë e zemër. Sepse këta janë shqiptarë të vërtetë, janë shkëmbi dhe tabani i këtij vendi, njerëz vërtet të paqes, të veprimit dhe të dashurisë, që në këmbim nuk kërkojnë as show dhe as medalje.
Miku im, ne jemi zemërthyer për të shkuarën që kemi lënë pas, plagë të thella në shpirt na kanë mbetur. Dhe kur dëgjojmë klithma për luftënxitje, çfarë pamjesh makabre na vijnë dhe ndjenja të hidhta na përshkojnë! Ah, miku im sa do të doja që në atë dron me atë hartë, që ashtu vjedhurazi fluturoi mbi stadiumin e Beogradit, të ishin bashkë flamujt tanë, Shqipëtar dhe Serb. Mbase do tu mbyllej goja atyre djemve të këqij qe thërrisnin “Vriti Shqipëtarët!” Me siguri do tju bënte atyre dhe të gjithëve më mirë, do të shkruhej historia ndryshe…
A e di çfarë? Ju lutem dërgoni një tren tjetër! Në të le të shkruhet me shkronja shumë të mëdha që ta shohin të gjithë: Ky është Treni i Paqes! Ky do të shkojë gjithmonë në Jug dhe do të kthehet ne Paqe në Veri! Do të ishte gjeniale dhe do të na pëlqente sa më s’ka, sikur ne faqet anësore të shkruhej: Ju sjellim paqen! Ne duam paqe, ne do të jetojmë në paqe!
E di që kokënxehtit, qytetarë apo politiknë qofshin, nuk do të hipin në këtë tren të paqes sepse ai i ka len mbrapa. Është e qartë se ata kalërojnë mbi egërsira luftërash. Mbusheni atë tren me njerëz të paqes dhe njerëz te fisshëm që duan paqe dhe miqësi. Ne jemi shumë, ne duhet të flasim me zë të lart, mbi ca politikanë mendjeprishur që kërkojnë që ne te luftojmë. Po përse, përse? Ju lutem, tregoni që jeni shumë dhe jeni ndryshe, një rracë ndryshe për paqe! A nuk kemi të drejtë të ëndërrojmë për ditë më të bukura nga ato që kemi kaluar? A nuk duhet të takohen si miq dhe fqinj të mirë fëmijet tanë? Ata e meritojnë një të ardhme më të mirë plot dritë dhe shpresë. Sot, le të hapim rrugën e së ardhmes Beograd-Prishtinë-Shkup-Tiranë dhe t’a pagëzojmë me emrin “Rruga e Paqes”.
Sa të bukura janë këmbët e atyre që sjellin paqe! –këto flalë të Biblës me tingëllojnë ëmbël. Eja miku im, unë do të tregoj bukuritë e vendit tim në jug dhe në veri. Do të tregoja bukuritë e Rivierës, brigjet e Sarandës dhe Vlorës, ku flladi të përkdhel ballin dhe ty të jap mirëserdhjen e njeriut të paqes. Këtu, besa, ka vend gjithmonë për miq. Dëshiroj të të shëtis rrugëve të gjera dhe të zhurmshme të Tiranës sepse po kërkon të marr trenin e Evropës. Të shëtisja rrugëve të Korcës dhe Shkodrës të ndihesh mik dhe i pranuar. Të shijosh bukën e sofrave tona se janë të hapura gjithmonë për mikun. Dhe ti në kthim të me presësh se një ditë se do të vijë të shëtis i lirshëm rrugëve të Beogradit. Dua te jem i lirshëm dhe jo i merakosur se do të më shajnë dhe gjuajnë me gurë për të vetmen arsye se jam shqiptar. Për këtë jam më shumë se i bindur se e ardhmja ju takon Njerëzve të Paqes. Të tillët u shumofshin këtu dhe larg!
Prandaj, ftesa është e hapur, Ejani me Trenin e Paqes (dhe nëse nuk ka, merrni një autobus).