Albspirit

Media/News/Publishing

Britania, partneri ynë strategjik

Thaçi: Jemi të interesuar të kemi më shumë investime britanike në Kosovë.

 

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur një delegacion të Parlamentit Britanik të kryesuar nga deputeti Martin Vickers.

Presidenti Thaçi i ka falënderuar ata për mbështetjen që Britania e Madhe i ka dhënë Kosovës në të gjitha periudhat, sidomos në atë të çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës.

“Britania e Madhe është një partner strategjik i Kosovës. Roli juaj në çlirimin dhe pavarësinë Kosovës ka qenë jetik dhe përcaktues. Jemi shumë mirënjohës për mbështetjen tuaj si deputetë, si qeveri dhe si popull”, është shprehur presidenti Thaçi.

Ai ka thënë se marrëdhëniet e mira bilaterale duhet të zgjerohen edhe në ekonomi, arsim, kulturë dhe sport.

“Jemi të interesuar të kemi më shumë investime britanike në Kosovë. Pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Investime Strategjike, presim dinamikë të re në investimet britanike në Kosovë”, ka theksuar presidenti Thaçi.

Deputetët britanikë përgëzuan presidentin Thaçi për iniciativën që ka ndërmarrë për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin, duke ofruar mbështetjen dhe ndihmën e tyre për këtë komision.

Udhëheqësi i delegacionit britanik, Martin Vickers, theksoi se Britania e Madhe mbetet e përkushtuar për të vazhduar mbështetjen për Kosovën.

 

Please follow and like us: