Dalai Lama bllokon Milanin – Pekini “xhindoset” nga vizita, pengon shitjen e klubit
Shitja e klubit italian të futbollit, Milan, mbetet në pezull prej kohësh. Tashmë, duket se, operacioni që quhej i mbyllur ka marrë një kthesë të rrezikshme, dhe shkaktari është as më shumë e as më pak, se Dalai Lama.
Ky i fundit gjatë një turi në muajin Tetor të vitit të kaluar, vizitoi qytetin e Milanos. Simbolikisht, Kryetari i Bashkisë së Milanos i dha liderit shpirtëror të Tibetit çelësin e qytetin duke e shpallur edhe qytetar nderi.
Por, kjo vizitë duket se ka xhindosur Kinën. Pekini e cilëson Dalai Lamën si një separatist, dhe për këtë ka reaguar publikisht nëpërmjet ambasadës kineze në Romë.
“Vizita ka lënduar ndjenjat e popullit kinez, dhe do të ketë impakt negativ”, thuhet në deklaratën e ambasadës. Kjo gjë ka shkaktuar probleme për blerësit kinez të Milanit, thonë burime pranë palëve.
Autoritetet kineze po pengojnë grupin që ka arritur marrëveshjen me Silvio Berlusconin për të transferuar fonde nga kina në Itali. Marrëveshja për blerjen e klubit është arritur kohë më parë, për një vlerë prej 740 milionë eurosh.
Madje, pala italiane ka shkuar deri aty sa i ka kërkuar Pekinit të zhbllokojë transaksionin, pasi Berlusconi nuk ka qenë asnjëherë mbështetës i kryebashkiakut të Milanos.