Albspirit

Media/News/Publishing

Humbja e Agollit, nostalgjia për diktaturën dhe rehabilitimi neokomunist i saj

Sulejman Gjana

Ceremonia e bujshme mortore e majtistëve, me pjesëmarrje qeveritare dhe e organizuar me komision shtetëror në ish-Pallatin e Kongreseve të PPSH, pasuar me fjalime patetike të lamtumirës përcjellëse nga ithtarët e Agollit, si dhe shpërthimet histerike në media kundër atyre pak zërave kritikë ndaj “veprës” së tij kryesisht dhe thellësisht ideologjike, më shtynë në reflektime dhe më detyruan të shkruaj këto radhë. Agolli nuk ka qenë dhe nuk mund të jetë “poet i popullit”, sikurse e etiketuan në të gjallë dhe pas vdekjes, sepse krijimtaria e tij i ka kontribuar diferencimit klasor dhe përçarjes ndërshqiptare.

Glorifikimi prej tij i të ashtuquajturës Luftë Nac-çlirimtare, ku ai si partizan 11-12-vjeçar kishte luftuar kundër “armiqve dhe tradhtarëve”, e bën atë poet dhe shkrimtar të popullit komunist, që përfaqëson një pakicë të popullit shqiptar dhe mbarë shqiptarisë, brenda dhe jashtë kufijve shtetërorë. Urrejtja patologjike dhe e pashuar e tij ndaj “reaksionarëve”, ia heq edhe qyrkun e “babaxhanit”, që ia veshën qysh për së gjalli për ta lartësuar dhe përjetësuar në kujtesën tonë kolektive, për qëllime ideologjike, duke e përdorur keqas të vetëpërdorurin që, për lavdi dhe përfitime personale u bë pjesë e pushteteve dhe popullin e pa dhe e trajtoi si tufë laramane, me dele të “bardha” e të “zeza”.

Agolli ka meritën se solli, përktheu dhe përshtati me saktësi zhdanovizmin dhe socrealizmin si “metodë krijuese” në letërsi dhe ishte një nga prekursorët e zbatimit… Nejse, kjo ishte zgjidhja dhe zgjedhja e tij, që nuk ka përse të na kompleksojë, sidomos kur ajo që ai me shokë bëri dhe u bë në kurriz të shqiptarëve nuk zhbëhet më. Por Agolli, edhe me vdekjen e tij, la pas rikonfirmimin e bindjes së pashembshme se, ndonëse kanë kaluar 26 vjet nga rrëzimi i diktaturës, Shqipëria ende gëlon nga nostalgjikët e saj ndaj enverizmit, enveristëve, hierarkëve të regjimit komunist dhe “ndihmësve të Partisë për edukimin komunist të masave”. Shkurt, dekomunistizimi i vendit ka mbetur një ëndërr në sirtar dhe Njeriu i Ri mbetet skeleti i paprekur i majtizmit neokomunist shqiptar. Dhe jo thjesht dhe vetëm si qëllim i pushtetmarrjes dhe pushtetmbajtjes, por si mendësi që nuk ka kurrfarë lidhjeje me socialdemokracinë e shpallur zyrtarisht në politikë dhe si shumicë elektorale.

Pranimi i kundërshtarit dhe i bindjeve të kundërta në pluralizëm është më se i natyrshëm, por të trishton nostalgjia për diktaturën dhe prelatët e saj, tashmë në trajtën e neokomunizmit të hapur e të zyrtarizuar, që shpjegon përse vendi lëngon ende në tranzicion dhe jemi kaq larg Europës ku duam të integrohe-mi. Që Agollit i kish mbetur ora tek Enveri, për të cilin u betua në vargje se do të shkruante gjithë jetën, për ne kundërshtarët politikë kombëtaristë nuk përbënte dhe nuk përbën asnjë problem. Ndaj nuk habiteshim kur “Patriarku” deklamonte me patos poetik se përbuzte “zhabat e majme në gjol” dhe kishte “miq skifterët që luftonin në çdo barrikadë, nga poli në pol”. Përkundrazi, ia dëgjonim me vëmendje ligjërimet ku llafoste e molloiste fjali të stërzgjatura, të zvargura në temporitëm, pa krye, elementë sintaksorë e strukturë. Fjali që nuk kishin asnjë lidhje me ndonjë “patriark”, por që na shtonin bindjen dhe respektin për dorën mjeshtërore të redaktorëve të tij në krijimet më të arrira, për të cilat Prof. Mark Marku, si njohës i mirë i letërsisë, deklaroi se përbënin vetëm 20% të krijimtarisë agolliane.

Sot, apologjetët e Dritëroit me të drejtë kanë frikë të botojnë të ashtuquajturin fjalim programatik “anti-punist” të tij në Kongresin e Dhjetë të PPSH, ku u pagëzua PS, dhe ku atë që i akuzoi se “Ju nuk rinovoheni”, Nexhmija dhe Ramizi që sodisnin nga lozha, sipas skenarit katovician, me gjithë histerinë e 99% të delegatëve dhe pavarësisht votës plot urrejtje për “tradhtarin bukëshkalë”, e zgjodhën në kryesi të PS dhe e mandatuan edhe 3 herë të tjera si deputet. Deputet që, megjithëse po përjetonte “patriarqinë e dytë”, atë neokomuniste, tashmë si “patriark” i partisë më të madhe politike në vend, në foltoren e parlamentit jo vetëm që nuk la asnjë gjurmë me mendime prej “Patriarku”, por i vuri vulën vetes me bejte për Jozefinën e të tjerë, duke zënë meritueshëm kryet e vendit në ligjërimin dhe letërsinë e bejtexhinjve (gjithmonë nëse do të respektojmë klasifikimet dhe kapitulimet e njohura të studiuesve të letërsisë shqipe).

Me përvojën e gjatë profesionale të piar-it (PR) dhe politikave të botimeve në Perëndim, e them me bindje të plotë se vepra e tij kurrë nuk do t’i kalonte kufijtë e vendit, nëse nuk do të botohej me shpenzimet e shtetit shqiptar konform politikave të eksportim-importimit të famës për interesa politiko-propagandistike të regjimit të kohës, pasi nuk do të gjendej asnjë botues që do të guxonte të hidhte paratë në erë. Dhe kjo sepse Agolli nuk ishte Gorki apo Majakovski, Solzhenicini apo Shollohovi. Nga pikëpamja e stilit, thellësisë së mendimit e mesazhit, niveli i veprës së tij në prozë as që i afrohet atij të Kadaresë, Sabri Godos, Jakov Xoxes dhe Vath Koreshit. Memo-Rrapua dhe Zyloja i tij, janë vite dritë poshtë nivelit të veprave madhore të Kadaresë, sikurse “Kronikë në gur” dhe “Pallati i ëndrrave”, apo atyre të gjinisë së romanit historik “Skënderbeu” dhe “Ali Pashë Tepelena” të Sabri Godos.

Po kështu, edhe në poezi, vepra e tij sfidohet keqas prej më shumë se 30 poetësh, qysh nga Naimi dhe të tjerë rilindës, e deri tek ata të sotëm. Dhe ky gjykim nuk është çështje shijesh, por vlerash estetike të gjithëpranuara nga shumë ekspertë dhe lexues të kultivuar. Ekspertët perëndimorë të letërsisë së krijuar në vendet ish-komuniste, akuzojnë “krijuesit” e socrealizmit lindor për plagjiaturë masive të krijimtarisë së mijëra poetëve rusë, vepra e të cilëve është botuar në Rusi qysh nga krijimtaria shumëshekullore e shkruar në gjuhën starosllaviane e deri në ditët e sotme. Ndofta këtu e kanë burimin edhe “gjetjet” prozaike e poetike të subjekteve dhe teknikave stilistike të poetëve tanë “sovjetikë”, të kamufluara me ngjashmërinë e jetës dhe frymëzimeve të “realitetit socialist”, krijime për të cilat Kadare në vitin 1989 akuzoi krijuesit shqiptarë në një mbledhje të Lidhjes, se “ngjajnë uniforme sikurse delet e qethura”, duke evidentuar kësisoj shterpësinë dhe njësh-kolorin e skematizmit socrealist.

Agollit nuk mund t’ia mohojmë meritën se në ditët që pasuan Plenumin IV të KQ ku u dha pretenca për krijuesit me shkarje ideologjike, solli “baltën e Devollit mbledhur arave për t’ia sjellë Lidhjes së Shkrimtarëve”, me të cilën baltosi dhe varrosi “armiqtë ideologjikë, dekadentë e devijatorë të socrealizmit dhe vijës së Partisë në letërsi…”. Ishin këto merita që çuan në shkurorëzimin e paraardhësit Shuteriqi, studiues ky tejet i njohur dhe cilësor në shumë fusha të letërsisë dhe Albanologjisë, me vepra dinjitoze që i mbeten e që i mungojnë Agollit që mori postin e Kryetarit të Lidhjes me kartabiankë… Janë këto merita të Agollit në mbledhje-masakrat maratonë të Lidhjes, ku jepte pretencën dhe vendimin që prangoste me “ekspertizë” poetët e mrekullueshëm Frederik Rreshpja e Sadri Ahmeti. Dritëroi ishte krenar dhe vetvetja kur në skenarin e filmit “I teti në bronz” shkroi fjalinë lapidare: “Po ta bënë benë këta të Partisë, të puth halla mu në ballë”.

Dhe vërtet, Partia e Dritëroit e themeluar nga Dushani dhe Miladini dhe me në krye Enverin, ua bëri benë mijëra shqiptarëve gjatë dhe pas LDB, duke filluar me mbi 200 ballistët e Devollit në vjeshtën e vitit 1943, e të cilëve u preu kokat dhe u çarti kufomat sipas Zakonikut të Stefan Dushanit serb dhe teknikave të Dushanit komunist, por Dritëroi nuk u pendua, përkundrazi, i talli në film. Agolli gjithashtu nuk ndjeu dhe shprehu keqardhje as kur Partia e Titos, Rankoviçit, Dushanit e Miladinit ua bëri benë 50 mijë kosovarëve pas LDB, duke kulmuar me Masakrën e Tivarit. Ndaj Dritëroi nuk shkroi ndonjë elegji për Masakrën e Tivarit, sikundër shkroi Sadri Ahmeti, por shkroi elegji kur vdiq Enveri i tij. Agolli nuk shkroi elegji as kur serbët masakruan shqiptarët e Kosovës në pranverën e përgjakshme të vitit 1981, madje heshti… Heshti kur ia bënë benë dhe i dërguan hallën ta puthë në ballë poetin Trifon Xhagjika, por nuk heshti dhe orientoi “ekspertët dhe ekspertizën” që çoi në pushkatimin e poetëve Vilson Blloshmi dhe Genc Leka.

Sikurse veproi edhe kur ekzekutuan poetin Havzi Nela në prag të rrëzimit të Perdes së Hekurt. Dhe ky është vetëm bilanci i pjesshëm i “veprës” së tij në krye të Lidhjes. Ndaj askush nuk e dëgjoi “Patriarkun” të shprehë ndonjëherë pendesë për “delet e zeza të grigjës që printe” si kryetar i Lidhjes, e që Partia e tij i dërgoi në thertoren e komunizmit. Përkundrazi, një video e hedhur në internet këto ditë dëshmon qartë pozicionimin e palëkundur të Agollit për Luftën e Klasave, Luftën Nac-çl, Revolucionin, Partinë dhe Socializmin, para dhe pas ‘90-ës. Mbase këto janë edhe arsyet e rrëmbimit në errësirë, me Polici dhe kamionë, të Arkivës së Lidhjes para disa vitesh, sapo kryetari i Fundit i saj, shkrimtari dhe përkthyesi i njohur Hysen Sinani deklaroi në konferencë shtypi se do të publikonte të vërtetat e fshehura të së kaluarës komuniste dhe të abuzimeve financiare të periudhës postkomuniste në Lidhje.

Kjo është edhe arsyeja përse Partia e “rinovuar” e Agollit dyllosi me maturim 25-vjeçar Arkivën e KQ dhe PPSH me një ligj të miratuar fshehurazi në vitin 2003, e ku pa dyshim janë arkivuar edhe kontributet dokumentare të tij në mbrojtje të socrealizmit dhe vijës së Partisë… Mjaft që imazhi i tij si “Patriark”, dje dhe sot, të mos preket, por t’i ngrihet edhe ndonjë shtatore nga shokët “Skulptorë të Popullit Komunist”, që ende jetojnë dhe krijojnë. Dritëroi zgjodhi hedonizmin dhe lavdinë, teksa gjobiti pushtetin e PPSH dhe atë të PS, aq sa e detyroi Nanon t’ia përmendë publikisht në një mbledhje të forumeve drejtuese të PS se ishte lodhur nga privilegjet e pafundme dhe tenderat që ai kërkonte, bashkë me dhëndrin, të cilët ai si kryeministër i paskësh “mbuluar me miliona që kurrë nuk mjaftuan dhe nuk i ngopën…”. ***** Pas Plenumit IV të KQ, Enveri vendosi t’u jepte skeptrin e censorit për literaturën dhe veprat dekadente njerëzve që konsideroheshin ndër më të besuarit. Natyrisht që në letërsi ia dha Agollit, asokohe deputet dhe anëtar i KQ, duke e emëruar Kryetar të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, kurse në Artet Figurative ku ishin dhënë gjithashtu goditje të rënda, detyra iu propozua skulptorit Odhise Paskali, tejet i kulturuar dhe poliglot.

Dhe kjo pavarësisht se Paskali ishte i njohur si antikonformist dhe njeri që u shmangej turmave të “krijuesve” dhe debateve marroqe nëpër klube e mbledhje të Lidhjes, duke bërë pothuajse jetë prej asketi. Por më e çuditshmja ishte se detyrën e censorit zyrtar të arteve pamore ia propozuan Paskalit, pavarësisht se e dinin mirë që ishte dhëndër i Gjonmarkajve. Arsyeja kryesore e vlerësimit të tij si kandidat i përzgjedhur ishte konsiderata e lartë e Hoxhës për të, sidomos pas realizimit prej tij të bustit të famshëm të Enverit, i vlerësuar si punim tejet cilësor edhe sot e kësaj dite nga artistë pamorë antikonformistë e antikomunistë. Por kur përfaqësuesi i lartë i Enverit ia propozoi Paskalit “detyrën” e censorit të arteve pamore, ku si përparësi i kërkoi censurimin e literaturës “dekadente”, nga “buronin ndikimet borgjezo-reaksionare e revizioniste…”, mori si përgjigje refuzimin e prerë, shoqëruar me vërejtjen shokuese: “Nuk ka dhe nuk mund të ketë literaturë dhe libra të këqij, sepse edhe ato që ju i quani të tillë të mësojnë se çka nuk duhet pranuar dhe se si nuk duhet bërë, dhe këtë duhet ta vendosin vetë krijuesit, me vullnet të lirë dhe jo me imponim…”.

Paskëtaj, detyrën e censorit, bashkë me skeptrin dhe vulën e censurës, ia dhanë piktorit Kujtim Buza, kunat i Klement dhe Florian Kolanecit, me ndihmës Thoma Thomain, dhëndër te familja Kapo- Kondi. Teksa sot dëgjojmë ngashërime të “talenteve” vjershaxhinj dhe poetucë të humbur pa nam e nishan nga letrat shqipe, që i paskërka përkrahur, promovuar dhe dërguar në shkollë Dritëroi, çuditërisht harrohet “harresa” e tij e plotë për të mëdhenjtë e nahijes së Agollit, sikurse Lasgushi e Kuteli… Fatkeqësia e madhe e të cilëve buronte nga shkaku se ishin jo vetëm të mëdhenj dhe të ndritur si krijues dhe intelektualë, por edhe sepse si atdhetarë të pashoq kishin shkruar se “Drini plak që buron nga Shën Naumi” ndante mes përmes Shqipërinë, apo “Poemi Kosovar”. Lasgushi mendjendritur një vit para se të shuhej, një “talenti” gegë që në prezantim iu mburr se ishte nga rrethi më verior, e që, sipas tij, ishte njëkohësisht edhe “kryet e Shqipërisë”, i tha me nervozizëm: “Kështu të kanë mësuar ty, se atje nga je ti janë ‘kryet e Shqipërisë’? Kryet e Shqipërisë janë Nishi, Lugina e Preshevës, Mitrovica dhe Metohija. Krahina nga je ti është plënci i Shqipërisë…, e cila këmbët i ka në Gjirin e Ambrakisë, në Artë dhe Prevezë…”.

Lasgushi, Kuteli që u dënua dhe u burgos me akuzën kryesore si “antijugosllav”, krahas Fishtës, Vinçenc Prendushit, Camajt, Arshi Pipës dhe Bilal Xhaferrit, kurrë nuk u përmendën, as para dhe as pas ‘90-ës, nga “amneziku” i KQ, i “Kuvendit Popullor” dhe “Lidhjes…”, në asnjërën nga takimet ku si dollibash, me raki, vodkë e shlivovicë, promovonte dhe lëvdonte “talentet” në çdo cep të Shqipërisë dhe jashtë saj. Ndërkohë që për të impresionuar ata që e rrethonin, nuk linte rast pa përmendur e cituar Ivo Andriq-in, Danillo Kish-in dhe Vaso Popën, për të cilët mburrej se i lexonte në origjinal (natyrisht, në familjen e tij sllavofone, ngaqë edhe kunatën e porsadiplomuar që e mbante në shtëpi e kish emëruar përkthyese të serbishtes në ATSH-në e fillimviteve ‘80).

Ruso-Jugo-nostalgjia dhe të qenët sllavofon e sllavofil, e bënin Agollin të ndihej krenar në Kosovë e Serbi, ku shpeshherë pati rastin të udhëtonte si i emëruari dhe i shpalluri nga regjimi “patriark” i letrave shqipe dhe kryetar i Lidhjes që edhe emrin e shqipëruar e kish marrë nga “Lidhja Komuniste” dhe nga organizatat homologe të Shkrimtarëve dhe Artistëve të Jugosllavisë dhe Serbisë. Ky formim e shtyu Agollin që në vitin 1987, në takimin midis shkrimtarëve të Jugosllavisë dhe atyre të Shqipërisë të mbajtur në Serbi, me dollinë me gotë shlivovice në dorë, t’u deklaronte krerëve serbë të SANU (Akademia e Shkencave dhe Arteve të Serbisë), se “Në mëngjeset e ditëve të verës, nga Maja e Tomorrit shihet qartë Shkodra e rrethuar nga fshatrat sllavë…”.

Dhe këtë deklaratë të shoqëruar me ftesë zyrtare, Agolli po ua bënte krerëve serbë të SANU bash disa muaj pasi këta kishin hartuar dhe firmosur memorandumin famëkeq me të cilin i kërkonin Millosheviçit futjen e tankeve në Kosovë, shtypjen e shqiptarëve me zinxhirët e tyre nëpër rrugë dhe shfarosjen e gjithë të tjerëve me mitralozë. Të nesërmen Agolli e mori shpërblimin nga shtypi i shkruar serb, që pasqyroi me gazmend kronikën e takimit dhe deklaratën e plotë të tij, shoqëruar me lëvdata për mirëkuptimin dhe respektin e ndërsjellë midis shkrimtarëve të Shqipërisë dhe atyre të Serbisë, që, sipas gazetave serbe, kontrastonte thellë me qëndrimet jodashamirëse dhe antiserbe të kahershme e të manifestuara edhe në atë takim nga shkrimtarët kosovarë… Jugonostagjikët, titistët dhe hoxhistët e Kosovës dhe Shqipërisë patën rastin të ngashërehen për “Patriarkun” dhe t’i këndojnë hosanara, por harrojnë se balta së cilës i këndoi tret të ndjerin, po kurrsesi bëmat e tij, që do të mbesin në jetë të jetëve.

Please follow and like us: