Kalinihta Vangjellaqi (Natën e mirë Vangjel)
Kristo Goçi
Viti 1992 shënohet si viti i themelimit të PBDNJ. Kjo parti lindi si instrument politik i minoritetit etnik grek për t’u përfaqësuar në Parlamentin shqiptar, pasi organizata politike “Omonia”, sipas një ligji të miratuar enkas, nuk mund ta merrte përsëri këtë rol. Në periudhën 1992-2002, PBDNJ luajti një rol të rëndësishëm në spektrin e politikës shqiptare. Kryetari Vasil Melo, burri i mençur, i matur e i urtë, pavarësisht nga përplasjet e rrezikshme të dy krahëve kryesorë të ravijëzuar qartë të politikës së atëhershme, arriti të krijojë një profil të pavarur të partisë që ai drejtonte. Në vitin 2002, Vasil Melo sëmuret rëndë dhe pas dy muajsh ndahet nga jeta. Institucioni i kryetarit në një parti politike është më i rëndësishmi. Në momentet e përzgjedhjes së tij faktorët vendimmarrës politikë, i kushtojnë vëmendjen maksimale faktit se kush nga kandidatët e mundshëm gëzon cilësitë më të mira të udhëheqësit të ardhshëm të kompeticionit që siguron bashkimin dhe do të çojë partinë në fitore. Në vitin 2002, PBDNJ ishte 10-vjeçare dhe në krye të saj kishte të paktën tre kandidatura plotësisht të përshtatshme për udhëheqjen e partisë, njerëz të sprovuar me përvojë të gjatë në jetën politike, shoqërore e parlamentare. Por ndodhi ….ajo që s’duhej të ndodhte….
Gabimi ynë i parë
Në vend që të mbështeteshim tek një nga anëtarët relativisht të vjetër e të besueshëm si udhëheqës i ri i partisë, shkuam e morëm (ose erdhën e na thanë), domethënë importuam dhe adaptuam nga jashtë radhëve të Partisë, kryetarin e “Omonia”-s si kryetarin e ri të PBDNJ-së. Kjo më kujton veprimet arbitrare autoritariste të regjimit komunist, kur komandohej “zgjedhja” e sekretarëve të organizatave të PPSH, që në emër të direktivave nga lart do të ishin tutorët tanë në të ardhmen.
Gabimi ynë i dytë
Ne nuk u thelluam në CV-në e të importuarit. Eshtë esenciale të studiosh historinë e ngjitjes së një personi që kërkon të jetë në të ashtuquajturën “elitë”. Ne e dinim shumë mirë që në zgjedhjet e fundit të “Omonia”-s ishin larguar demonstrativisht të gjithë kandidatët për kryetar të kësaj organizate, pasi kryetari ekzistues kishte manipuluar zgjedhjet nëpër fshatra (ky fakt ekziston i dokumentuar në shtypin e asaj kohe). Grekët kanë qenë krijuesit e demokracisë, por origjina greke e ish-kryetarit të “Omonia”-s nuk e ndihmoi atë të vepronte si demokrat, por si një pjesë e drejtuesve shqiptarë (jo të gjithë) që kishin bërë modë, nëpërkëmbjen e parimit demokratik të zgjedhjeve të lira e të ndershme që është themeli i Demokracisë Evropiane-Perëndimore.
Gabimi ynë i tretë
Ne nuk u treguam substancialë për vlerësimin minimal të figurës së ish-kryetarit të “Omonia”-s kur ai në dy zgjedhje të njëpasnjëshme politike, si kandidat i porositur në zonën e Dropullit, në shtëpinë e tij, mundej thellësisht nga një tjetër intelektual minoritar i PS-së, që gëzon akoma edhe sot e kësaj dite respektin e popullit të Dropullit. Në të kundërtën në morëm të mundurin nga njerëzit tanë për të komanduar njerëzit tanë në autoduele të humbura. Ndërkohë që populli nuk e votonte, ne e morëm me ceremoni, e bëmë shef dhe nga shef dy herë deputet qyl në krye të listës së PBDNJ-së.
Si rezultat i këtyre gabimeve patëm pasoja të këqija, nga të cilat zor se mund të shpëtojmë. Sapo erdhi kryetari i ri në vitin 2002, mbylli gazetën “Demokracia”, organi i vetëm publicistik i PBDNJ-së! Këshilli i përgjithshëm u formatua mbas dy muaj “numërimi” të votave. Dëshmitë e emrave të ndryshuar ekzistojnë edhe sot. Filloi izolimi i njerëzve të fortë duke afruar jo rrallë, të urtë, të aftë për t’u servilosur. Mbledhjet e kryesisë bëheshin pa protokoll, e thjesht për të testuar kush më do e kush s’më do. Kryetari i partisë, sipas statutit, zgjidhej vetëm dy herë. Në mënyrë që ai të përjetësonte sundimin, ndryshoi statutin duke e ligjëruar që, …kryetari mund të jetë gjithmonë i njëjti person, mjafton që ta duam ne. Grupin e atyre që quhen “ne” e udhëheqin nja dy djem 40 e ca vjeçarë, që në fillim ishin kundër tij, ishin “të fortë”, por që ditën që ai u “zgjodh” kryetar, si me sustë ata u bënë “të urtë”. Këta të urtët janë të tillë vetëm me atë, se me të tjerët bëhen të fortë, pasi ai u jep mjaft energji. Madje dhe ai merr mjaft energji nga ata, e shprehur në forma të ndryshme. Dhe kjo gjë atij i pëlqen shumë.
Mbledhjet e KPD-së u quajtën të panevojshme dhe në tre vjetët e fundit nuk është realizuar asnjë e tillë. E ç’na duhet kjo punë? Të dëgjojmë fjalët llogarikërkuese të ndonjë të forti që mund të na ketë shpëtuar pa e larguar akoma? Shkarkimi shembullor i dy deputetëve nga detyrat partiake, meqë nuk zbatuan urdhrin të votonin dikë që përdhosi moralin e demokracisë në emër të pseudopatriotizmit, ishte me të vërtetë një paradigmë e veprimit arbitrar të drejtuesit autarkik të papranueshëm për parimet e Demokracisë Perëndimore.
Në tre kongrese të njëpasnjëshme nuk ka patur një komision revizionimi për të deklaruar kontrollin e llogarisë e partisë. Si janë shpenzuar paratë, me çfarë urdhër pagese dhe me anë të kujt vendimi të marrë në mbledhjen e iks forumi.
Në kongresin e fundit, ku natyrisht do të ishte kandidat për kryetar vetëm ai, ish-kryetari i “Omonia”-s, njësoj si atëherë në Jug, që të jemi të sigurt në numërimin e votave, sepse na duhen mbi 50% e delegatëve të porositur, të çelnikosim komisionin e numërimit të votave duke i vendosur vetëm minoritarë grekë, por kujdes, ata duhet të jenë grekë “të urtë”. Dhe numërimi ishte me të vërtetë mallëngjyes, në 500 votues vetëm “14” kundër…
Në sajë të anarkisë, liberalizmit ekstrem dhe indiferencës totale ndaj shumicës, PBDNJ ka humbur pothuajse plotësisht vlerat pozitive për të cilat u krijua. Ai në fillim na zhgënjeu, tani vetëm na revolton kur, pa ndjenjën e përgjegjësisë po le të ndryshket gjithçka që ndërtuam me merak për vite të tërë.
Në zgjedhjet e vitit 2005, me sistemin zgjedhor të përfolur të Dushkut, me dy deputetë nga lista proporcionale (sa të volitshme e patën ca që u bënë deputetë pa u “vrarë” me koston e gjetheve të Dushkut), PBDNJ mori Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Pa pyetur asnjë anëtar të Kryesisë së Përgjithshme, ai (kryetari), përcakton për ministër mikun e tij më të ngushtë që nuk ishte titullar në PBDNJ, por atëherë ishte “i urtë”, pra besnik i tij. Por ndodhi që ministri i ri e mori punën seriozisht, ngrysej e gdhihej në zyrë, me qetësinë që e ka karakterizuar gjithmonë, zbatoi deri në detaje të gjitha kërkesat e reformave të Qeverisë Berisha, madje fitoi edhe respektin jo vetëm të Kryeministrit, por të gjithë Kabinetit qeveritar. Dalëngadalë simpatia filloi të shtrihej në bazë, e cila i dhuroi mjaft fansa. Ministri i ri nuk ishte më i ri, por me një barrë eksperience dhe sukseset e rritën akoma më shumë figurën e tij popullore e karizmatike. Befas, kjo rritje personaliteti ra për keq në sy të atij. Thonë që mbas dashurisë vjen xhelozia. Grekët e vjetër e shtojnë më shumë dozën e ndryshimit, kur thonë se dashuria lind dhimbjen,… prandaj me urdhër të Berishës të shkarkohet ministri ynë, se nuk e ka bërë mirë reformën e Qeverisë!. Dhe po s’e hoqe ti, unë të prish gjithë Qeverinë! Terapia e vetme e shpëtimit të PBDNJ-së mbetet dorëheqja e kryetarit dhe Kongresi i jashtëzakonshëm, pasi jemi vetëm disa muaj para zgjedhjeve.
Mos i jep këshilla atij që nuk i kërkon! Është e pamundur t’i tërheqësh vëmendjen për ecuri të gabuar dikujt që i duket sikur Bota rrotullohet vetëm rreth tij. Mos i bëj tjetrit atë që s’do të ta bëjnë ty. Me mënyrën time të mirëkuptuar, unë do ta “zbusja” pak thënien e fundit, duke njohur dobësinë e dikujt prej inatçiu të hidhur që gjithmonë buzëqesh, por gjuhën e mban të kafshuar, …shkëputu nga institucioni i mërisë e i hakmarrjes brenda llojit!. Të duket vetja sikur je në Olimp, por në fakt ndodhesh tek Ura e Lumit për në Valare. Çapitu pak nga pak e ngjitu të takosh ish-miqtë e tu të thjeshtë, që s’janë as në Olimp, as tek Ura e Lumit, por diku nga Qafa e Pazarit. Po s’munde ta bësh këtë, më mirë largohu fare për ca kohë, se na bën mirë të gjithëve!
Kalinihta Vangjellaqi (Natën e mirë Vangjel).