Ku kanë humbur Lamja me Shkrelin?
Blendi Fevziu
E keni parë Artan Lamen? Ka kohë që nuk flet dhe nuk del në Tv. Nuk e kam fjalën për dalje paradë ku shpërndahen çertifikata legalizimi për ata që kanë qenë më të mirët në zaptimin e trojeve apo më të aftë për të shkelur ligjin. Dhe që tani legalizohen me bujë dhe live në Tv. Jo, e di që shfaqje të tilla nuk mungojnë edhe pse e vë re që aty nuk ndihet edhe aq komod. Kur pyes a e keni parë apo dëgjuar Artan Lamen, kam parasysh të folurën e Lames për shumë probleme të trashëgimisë kulturore, për ato që ai s’i ka shmangur kurrë. E ka thënë mendimin e tij dhe unë e di që s’ka pasur kurrë frikë ta mbrojë atë që mendon. E njoh që prej fund viteve ’80 dhe kam besuar që i tillë do të mbetej gjithmonë. Nëse komunizmi do kishte vazhduar me siguri do ishte në ndonjë burg tani sepse fliste mirë për arkitekturën fashiste dhe pëlqente uniformat e Mbretërisë. La folur edhe kur të tjerë kanë pasur frikë ta bëjnë këtë gjë. Edhe për stadiumin foli, por këtë herë ka heshtur. Nuk ka thënë asgjë për të mbrojtur apo qortuar një projekt që i ka përfshirë të gjithë. Atë të Velierës së Durrësit. Një projekt që ka rihapur debatin e zbulimeve arkeologjike në një qytet që nuk është i rëndësishëm vetëm për Shqipërinë, por për gjithë Mesdheun kur flitet për arkeologjinë.
E keni parë Artan Shkrelin? Ka kohë që nuk flet dhe nuk del në TV. As në këtë moment kur debati është ndezur dhe mbrojtësit e trashëgimisë po bërtasin dhe trokasin në çdo derë që mund të dëgjojë në këtë kohë. Edhe Shkreli ka folur shumë. Për vite ishte i pari që dilte në protesta dhe përballej në debate televizive për gjera shumë e shumë më pak të rëndësishme se sa kjo. E pra Shkreli ka folur gjithnjë. Edhe ai e ka thënë mendimin e tij. E ka thënë me zhurmë dhe e ka mbrojtur me forcë, por kësaj here ka heshtuar.
Çfarë po ndodh në Durrës dhe kush ka të drejtë në këtë debat që më shumë po duket i shurdhët se sa një debat i vërtetë publik? Një pjesë pretendojnë që projekti i Velierës po ngrihet mbi mbetjet arkeologjike më të rëndësishme të vendit, mbi muret antike mesjetarë dhe mes topave me të cilët Venecianët pretenduan të mbronin qytetin nga Turqit në mes të viteve 1400. Bashkia pretendon që themelet e gjetura aty janë të një ndërtese osmane të fundshekullit të XIX. E vështirë të arrish në një përfundim në atë zonë, ku historia, ngjarjet dhe gjurmët e epokave ngrihen mbi njëra tjetrën.
Po si shpjegohet që nuk ka asnjë përballje të vërtetë që të kuptohet realisht se çfarë po ndodh atje. Nuk është një shaka. Bëhet fjalë për qytetin më të rëndësishëm arkeologjik të vendit dhe një ndër më të rëndësishmit në Mesdhe. Bëhet fjalë për një qytet me histori thuajse 2500 vjeçare, ku protagonistët dhe ngjarjet miksohen mes tyre si thuajse askund tjetër. Bëhet fjalë për një qytet që ka pak a shumë të njëjtën rëndësi historike që ka Roma dhe Athina. Bëhet fjalë për një vend që pjesën më të rëndësishme të tij ka antikitetin dhe mesjetën. Në qytete të ngjashme, ruajtja e vlerave arkeologjike jo vetëm është e sanksionuar me ligj, por konsiderohet detyrë qytetare nga të gjithë. Më kujtohet që vite më parë, një qytet në një ishull të Greqisë, po kërkonte blerjen në tregun ndërkombëtar të një topi mesjetar si ai që ishte zhytyr në baltën e Durrësit i mbuluar prej vitesh. Dhe miqtë e mij gazetarë e përshkruanin këtë si një ndër gjërat më të rëndësishme që po ndodhte atë vit në qytetin e tyre ndër më të vjetrit e botës.
Nuk dua të shtoj që arkeologjia mbetet padyshim tërheqja kryesore për turizmin në vendet e mesdheut dhe krenaria më e madhe e këtyre vendeve.
Personalisht nuk jam kundër projektit të Velierës. Qytetet tona kanë më shumë se kushdo tjetër nevojë për monumente dhe struktura moderne. Por ky projekt mund të zbatohet edhe diku më tej, ose pa prekur mbetjet e rëndësishme arkeologjike. Fakti që me ndërtimet e viteve ’90 – ‘2000 jemi treguar kanibalë të arkeologjisë nuk përligj më shkatërrimet e sotme. Ndaj isha shumë kurioz të dëgjoja edhe Artan Lamen e Artan Shkrelin. Ardian Klosi nuk jeton më, as Andrea Stefani. Ca të tjerë që protestonin bashkë me ta me siguri do jenë rregulluar diku në shtet. Pak shpresë kam pasur tek ta, por tek këta të dy besoj ende se do kenë kurajon të flasin. Cilado qoftë fjala e tyre, ajo ka vlerë. Nuk kanë pasur frikë në të tjera kushte, çudi e madhe të kenë frikë apo të ndruhen sot…