Prokuroria thellon hetimet për Alfred Pezën, kërkesë Kuvendit
Prokuroria e Përgjithshme ka thelluar hetimet për deputetin socialist, Alfred Peza, i akuzuar për tre vepra penale, për evazion fiskal, deklarim i rremë i pasurisë dhe falsifikim dokumentesh. Hetimet për deputetin Peza nisën pasi bashkëshortja e tij ka blerë aksione në një bankë të nivelit të dytë, me afro 1 %, me vlerë 1.13 miliardë lekë të vjetra.
Prokuroria e Përgjithshme pasi ka marrë dëshminë e ish-deputetit ditën e premte të javës së kaluar, ka shtrirë hetimet duke kërkuar informacion edhe në institucione të tjera. Burime të gazetës kanë bërë me dije se Prokuroria e Përgjithshme i është drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, ku i kërkon informacion të detajuar mbi transfertat e këtij institucioni në adresë të deputetit Peza, për aktivitetin e tij si anëtar Parlamenti.
Po ashtu, është mësuar se organi i akuzës do të thellojë hetimet duke kërkuar informacion edhe në vendet ku ish-gazetari ka ushtruar profesionin. Vetë deputeti i Partisë Socialiste, pas dëshmisë 3-orësh në prokurori të premten e kaluar, tha se në krijimin e pasurisë së tij nuk ka asnjë elementë të jashtëligjshëm.
Ai refuzoi të japë shumë shpjegime për gazetarët mbi akuzat e ngritura dhe dëshminë që ka dhënë në Prokurorinë e Përgjithshme. Gjatë ditëve në vijim, organi i akuzës do të ketë informacione më të plota nga institucionet për të arritur në një konkluzion rreth ligjshmërisë së pasurisë së vënë nga deputeti socialist.