Shpenzimet e zyrtarëve në tre vitet e fundit të regjimit komunist
“Duke denoncuar e dënuar me forcë këto fenomene të dhimbshme të së djeshmes, populli shqiptar dhe shteti i sotëm demokratik japin një prove më tepër se e shkuara mori fund njëherë e përgjithmonë dhe ata nuk do të lejojnë që të shfaqen përsëri këto fenomene në të ardhmen”. Kjo është fjalia që mbyll raportin e ministrisë së Financave mbi privilegjet dhe abuzimet e pushtetit të mëparshëm, të prezantuar në seancën plenare të 21 korrikut të 1991. Sigurisht, nëse analizojmë sot atë se çfarë ka ndodhur në dy dekadat e fundit, nuk mund të thuhet se ky “angazhim” është mbajtur. Paraqitja në Kuvend e këtij raporti vjen si reflektim jo vetëm i situatës politike të kohës por edhe si rrjedhojë e kushteve të vështira ekonomike e varfërisë ekstreme në të cilën jetonte vendi në ato vite. Seanca drejtohej nga nënkryetari i atëhershëm i Kuvendit Lush Përpali dhe raporti prezantohej nga Genc Ruli, në atë kohë ministër i Financave i qeverisë së drejtuar nga Ylli Bufi. Nëse analizojmë procesverbalet e seancave plenare të kohës, nuk janë të pakta fjalimet e deputetëve që kërkojnë masa ekstreme ndaj shtetarëve të mëparshëm. Megjithatë, në atë vit, një prej vendimeve ishte ngritja e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar për Kontrollin e Veprimtarisë së Shërbimeve Qeveritare. Kontrolli i përfitimeve ligjore apo antiligjore të shtetarëve të mëparshëm erdhi pasi Këshilli i Ministrave nxori një vendim, në të cilin dënoi praktikën e privilegjeve, duke vendosur denoncimin dhe marrjen e personave përgjegjës para përgjegjësisë ligjore. Rezultatet e kontrollit shtetëror të ushtruar u përkasin vetëm 2-3 vjetëve të fundit të regjimit komunist.
Raporti i prezantuar në Kuvend
Këshilli i Ministrave, duke gjykuar mbi bazën e konkluzioneve të kontrollit të Komisionit të Kontrollit të Shtetit dhe Ministrisë së Financave ushtruar për veprimtarinë e tre vjetëve të fundit, arrin në përfundimin se ish udhëheqja partiake i kishte krijuar të gjitha mundësitë për t’u vetëprivilegjuar e përfituar, megjithëse dihej që më parë se shpërdorohej e abuzohej djersa dhe mundi i popullit, i cili nga ana tjetër mashtrohej nga një propagandë false e cinike për luftë kundër privilegjeve, luftë kundër luksit dhe luftë kundër pabarazisë. Për fat të keq kjo mundësi u realizua sistematikisht si nëpërmjet zbatimit të vendimit të sipërpërmendur të Byrosë Politike, ashtu edhe nëpërmjet tejkalimit dhe abuzimit të të drejtave që vetë ky vendim lejonte. Fillimisht po parashtrojmë masën e privilegjeve e të përfitimeve që lejoheshin sipas përmbajtjes se vetë vendimit të Byrosë Politike.
–Së pari, sigurohej e konsumohej ajka e produkteve ushqimore të prodhuara në vend e në disa raste edhe të importuara nga jashtë. Të 26 familjet e trajtuara janë furnizuar pa kufizim me shumëllojshmëri artikujsh ushqimorë të cilësisë së lartë. Për periudhën shtator 1989 – shtator 1990, kur u vu në zbatim sistemi i racionimit të produkteve ushqimore për tërë popullatën, të 26 familjet konsumonin mesatarisht çdo ditë produkte të ndryshme si: 62 kg mish e nënproduktet e tij, 13 litra vaj, 86 litra qumësht, 20 litra pije, verë e birrë, 56 kg fruta e perime etj. Me këto sasi ushqimesh, në kushtet e tallonit në Tiranë, do të garantohej furnizimi me mish i 450 familjeve, me vaj i 110 familjeve, me djathë i 190 familjeve dhe me vezë i 134 familjeve. Konsumin më të lartë gjatë kësaj periudhe njëvjeçare e ka pasur familja Hoxha, e cila është furnizuar me rreth 2 tonë mish, 7 kv sallam, 523 litra vaj, 3,1 kv gjalpë, 326 litra raki, pije e verë, 250 litra birrë, 5,8 tonë fruta dhe agrume, 1,5 kv lajthi, kikirikë e arra, 1,8 kv kafe etj., etj. Në vitin 1989 familjet janë furnizuar me artikuj ushqimorë për 1,8 milionë lekë. Nga këto, sipas rregullit të parashikuar në vendimin e Byrose Politike, është zbritur vlefta e ushqimeve të caktuara për personelin shërbyes të këtyre familjeve, si dhe për tri familjet kryesore: Hoxha, Alia e Çarçani zbriteshin edhe shpenzimet e pritjeve, përcjelljeve e të darkave që organizoheshin në shtëpitë e tyre, të cilat mbuloheshin nga shteti; të gjitha këto me një shumë prej 582 mijë lekësh. Si rezultat janë paguar nga familjet 1,2 milionë lekë, që për familje të veçanta përbëjnë shuma tepër të mëdha, tej mundësive, nga të ardhurat e ligjshme të tyre, po të kemi parasysh edhe shpenzimet e tjera të jetesës, si për qiranë, ujin, dritën, veshjen e të tjera me radhë. Familja Hoxha, nga 367 mijë lekë të konsumuara, ka paguar vetëm 72 mijë lekë. Familja Alia, nga 133 mijë lekë të konsumuara, ka paguar vetëm 25 mijë lekë. Familja Çarçani, nga 91 mijë lekë të konsumuara, ka paguar vetëm 57 mijë lekë.
–Së dyti, anëtarët e Byrosë Politike dhe disa anëtarë të Komitetit Qendror të Partisë shpenzonin çdo ditë ushqime falas me vlerë deri 3 lekë për person, si për vete, ashtu edhe për çdo pjesëtar tjetër në takime pune që ata organizonin. Vetëm për vitin 1990 janë shpenzuar në këtë mënyrë 200 mijë lekë. Është karakteristik fakti që janë ftuar me mijëra njerëz dhe se takime të tilla janë organizuar edhe në kinemanë apo sallën e pingpongut që ndodhej në Bllok, në mbledhje plenumesh të Komitetit Qendror, të Presidiumit, në aktive partie etj. Nga ana tjetër, pritje janë bërë edhe në stadium nga Kiço Mustaqi, Besnik Bekteshi, Hajredin Çeliku, Llambi Gegprifti, Pali Miska, apo gjatë gjuetisë, në vende të organizuara, nga Qirjako Mihali, Hekuran Isai, Llambi Gegprifti, Foto Çami, Pali Miska, RitaMarko etj., duke marrë me vete edhe shoqërues me rroga e dieta, personel nga vilat, si dhe duke shpenzuar karburant për makinat. Në zyrat e Komitetit Qendror, për çdo muaj, mesatarisht për 200 veta, harxhohej nga 3 lekë, ndërsa në seancat e plenumeve të vitit 1990 u shpenzuan në këtë mënyrë 20 mijë lekë. Pirro Kondi, me shtabin e partisë të Tiranës, për 30 veta në një muaj ka shpenzuar 1260 lekë.
–Së treti, kastës partiake dhe shtetërore i siguroheshin privilegje financiare për pushimet vjetore. Anëtarët dhe kandidatët e Byrosë Politike bashkë me bashkëshortët e tyre trajtoheshin me 12,5 lekë në ditë, me diferenca prej 3,2 lekësh nga kuota e kampeve të punonjësve të tjerë, ku përballohej nga shteti. Kështu që për çdo familje kjo shumë është 192 lekë në vit dhe për të gjitha familjet e trajtuara në tre vjetët e fundit është 11 424 lekë.
–Së katërti, shpenzimet për dritë, ujë, qira, ngrohje u janë përballuar kryesisht nga shteti. Kështu, sipas normave të vendimit të Byrose Politike, familjet duhet të paguanin vetëm 50 % të qirasë, të energjisë elektrike, si dhe 25 % të vleftës së lëndës djegëse, por gjithmonë jo më shumë se 250 lekë në muaj. Ndërsa ata që transferoheshin deri edhe në 3 muaj nuk paguanin fare. Si rezultat, në vitin 1989 deri në shkurt të vitit 1991 familjet paguan gjithsej 180 mijë lekë, ndërsa shteti ka paguar 840 mijë lekë ose 4,7 herë më shumë. Më tepër kanë harxhuar Besnik Bekteshi për 75 mijë lekë, Pali Miska për 61 mijë lekë, Lenka Quko për 57 mijë lekë, Nexhmije Hoxha për 51 mijë lekë, Pirro Kondi e Prokop Murra për 48 mijë lekë, Adil Çarçani, Hekuran Isai, Llambi Gegprifti, Spiro Koleka, Haxhi Lleshi e Vangjel Çërrava për 42 deri 47 mijë lekë, ndërsa 26 familjet e tjera 22 deri 40 mijë lekë.
–Së pesti, Drejtoria e Pritjes ka përballuar shpenzime të konsiderueshme telefonike me jashtë shtetit të familjes Alia, Hoxha, të Haxhi Lleshit e Spiro Kolekës. Për të tjerët shpenzimet telefonike janë përballuar nga Komiteti Qendror, dikasteret përkatëse dhe Këshilli i Ministrave. Për 19 numrat telefonikë të familjes së Nexhmije Hoxhës për 3 vjetët e fundit shuma arrin në 553 mijë lekë, për familjen Alia në 456 mijë lekë, në familjen e Spiro Kolekës 101 mijë lekë, në të Haxhi Lleshit 58 mijë lekë, të Llambi Gegpriftit 56 mijë lekë, të Rita Markos 46 mijë lekë, të Themije Thomait vetëm për vitin 1989 9 mijë lekë. Në total, pa përfshirë shpenzimet e mbuluara nga Komiteti Qendror dhe Këshilli i Ministrave, kapin shumën 1,3 milionë lekë, ose 186 mijë dollarë USA. Kështu, familja Hoxha vetëm për vitin 1989 ka biseduar 441 herë me Parisin, duke shpërdoruar në këtë mënyrë 195 mijë lekë, 210 herë me Vjenën, duke shpërdoruar 98 mijë lekë, 188 herë me Romën, 38 herë me Milanon e me radhë: me Ankaranë, Budapestin, Palermon, Berlinin, Stokholmin etj. Të tërheq vemendjen edhe fakti që janë bërë dhe deri dy-tre bisedime në ditë me të njëjtin vend, madje në disa raste bisedat kanë zgjatur mbi një orë. Familja Alia, po për vitin 1989, ka shpenzuar për biseda telefonike 251 mijë lekë, duke biseduar 481 herë me Parisin, me Romën, Vjenën, Gjenevën, Budapestin, Ankaranë, Torinon, Milanon e me radhë. Në shifra tepër të mëdha janë edhe shpenzimet telefonike të papaguara të familjeve të tjera. Meqë shpenzimet telefonike përballoheshin nga shteti, këto familje kanë abuzuar me ndërgjegje duke hyrë në lidhje për nevojat e tyre vetjake me të tëra qytetet kryesore të Europës. Prandaj të 1,3 milionë lekët konsiderohen shpërdorime dhe përfitime të padrejta të tyre.
–Së gjashti, Klinika Speciale ka qenë një institucion tjetër privilegjesh për kastën në pushtet. Që nga viti 1988 deri në 4-mujorin e vitit 1991 ka shpenzuar gjithsej 3,2 milionë lekë, nga të cilat 1,2 milionë lekë vetëm për ilaçe. Sipas vendimit të Byrosë Politike, personalitetet e favorizuara kanë marrë për vitet 1988-1990 ilaçe falas me vleftë 377 mijë lekë. Këto ilaçe janë blerë në farmacitë e Parisit e të Vjenës dhe ato kanë qenë vetëm për të favorizuarit e nuk janë trajtuar në farmacitë për popullin. Për më tepër, ato janë tërhequr për të favorizuar në kurriz të shtetit edhe miqtë apo të afërmit e rrethit të tyre. Familja Hoxha ka marrë ilaçe falas me vleftë 38 500 lekë, familja Çarçani 9 500 lekë, familja Toska 14 700 lekë, familjet Alia, Myftiu, Mihali e Spahiu nga 9 000 lekë, familja Marko 6 057 lekë, familja Bekteshi 5 035 lekë.
–Së shtati, objekt përfitimesh e shpërdorimesh ka qenë edhe Ministria e Shendetësisë. Me shpërdorimet e kryera në këtë sektor jeni njohur hollësisht nga raporti i mbajtur në Parlament nga komisioni përkatës.
–Së teti, në shërbim të familjeve të anëtarëve dhe kandidateve të Byrosë Politike, të Presidiumit të Kuvendit Popullor, të sekretarëve të Komitetit Qendror të Partisë dhe të disa personave të veçantë janë mbajtur dhe trajtuar me pagë e ushqime një numër i konsiderueshëm punonjësish. Për çdo familje të sipërpërmendur janë vënë në dispozicion 2-3 veta si personel shërbimi, kurse për familjen e Nexhmije Hoxhës 20 veta, për atë të Ramiz Alisë 12 veta. Për 3 vjetët e fundit paga e këtij personeli ka zënë 2,2 milionë lekë. Në veçanti, për familjen Hoxha paga e këtij personeli për vitet 1988-1990 arrin në 406 mijë lekë, për familjen Alia 260 mijë lekë, për familjen Çarçani 102 mijë lekë, për familjet Çeliku, Çuko, Myftiu, Bekteshi, Isai, Marko, Murra etj. nga 70-75 mijë lekë. Përveç sa më sipër, shumë punonjës të Drejtorisë së Pritjes, për natyrë të veçantë shërbimi, kanë përfituar deri në 25 % shtesë page, që për 3 vjetët e fundit kjo shumë arrin në 257 mijë lekë. Personeli që shërbente brenda familjeve përfitonte përveç pagës e kësaj shtese dhe ushqime në natyrë me vleftë 7 lekë në ditë për secilin. Për 3 vjetët e fundit shuma e llogaritur për këtë ushqim që jepej ishte 584 mijë lekë. Kjo kuotë i zbritej vleftës së ushqimeve të faturuara familjeve të ndryshme. Nga verifikimet e bëra në disa familje, personeli ka deklaruar se ata nuk kanë konsumuar faktikisht kuotën e caktuar, ndonëse shuma është zbritur nga vlefta e faturave të ushqimeve të familjeve të privilegjuara.
–Së nënti, koli apo pako të ardhura nga ambasadat e vendeve të ndryshme të botës në adresë të Drejtorisë së Pritjes ose edhe me iniciale të tjera. Vetëm nga pikat doganore të Rinasit, të Tiranës e të Durrësit për vitet 1989-1990 në adresë të Drejtorisë së Pritjes kanë ardhur 1 323 koli me inicialin “Drejtoria e Pritjes”, 294 koli me adresë “x- 31” dhe “Drejtoria e Shtypit”, ndërsa 335 të tjera në adresë të familjeve të veçanta. Këto nuk kontrolloheshin nga dogana, pasi i tillë ishte edhe udhëzimi sekret. Këtu nuk llogariten qindra apo mijëra pako të ardhura e të dala nga drejtime e pika doganore të ndryshme, të paregjistruara e pa kontroll doganor. Në këto rrethana nuk gjendet se sa kanë qenë, çfarë është futur dhe çfarë ka dalë nëpërmjet këtyre kolive. Përveç atyre që kanë ardhur në adresë të Drejtorisë së Pritjes, nuk kanë munguar edhe pakot për familje të veçanta, sigurisht pa tagël dhe kontroll doganor. Kështu për vitet 1989-1990 familjes së Nexhmije Hoxhës i kanë ardhur 294 koli, familjes së Lumturi Rexhës 18 koli, Simon Stefanit 32 koli, Qirjako Mihalit 25, Haxhi Lleshit 101 koli, Lenka Çukos e Spiro Kolekës nga 24 koli, Besnik Bekteshit 47, Shefqet Peçit 9 dhe të tjerëve nga 6 apo më tepër. Ndoshta këto koli kanë qenë taksat që këto familje mblidhnin nga rrjeti i të afërmve apo i miqve të caktuar nëpër ambasada apo kudo në botë prej tyre.
–Së dhjeti, në Presidiumin e Kuvendit Popullor dhe në disa dikastere janë shpenzuar shuma të konsiderueshme për shtypshkrime e kancelari, veçanërisht për filma me ngjyra dhe fotografi për udhëheqjen dhe familjet e tyre. Kështu për vitet 1986- 1990 Rita Marko ka përdorur 2 371 lekë për filma me ngjyra, ndërsa shpenzimet e larjes e të stampimit i bënte në Komitetin Qendror të Partisë apo në ATSH. Çdo vit shpenzoheshin rreth 30 mijë lekë materiale për fotografi, me shënimin e thjeshtë “udhëheqja”. Me vendime të veçanta për sferën joprodhuese shkurtoheshin vit pas viti shpenzimet administrative për pajisje zyrash dhe investime, ndërsa në Ministrinë e Bujqësisë në vitin 1988 Pali Miska ka shpenzuar 300 mijë lekë, në Ministrinë e Transporteve Hajredin Çeliku ka shpenzuar 145 mijë lekë dhe në Komitetin Ekzekutiv të Tiranës Llambi Gegprifti ka shpenzuar 127 mijë lekë për prishje, adaptime dhe veshje luksoze të zyrave të tyre.
–Së njëmbëdhjeti, Parku i Delegacioneve për vitet 1988-1990 u ka vënë në dispozicion një numri të madh personalitetesh partiake e shtetërore, si dhe pesë pensionistëve: Lleshi, Peçi, Koleka, Peristeri dhe Toska autovetura dhe shoferë. Shpenzimet e bëra me këtë rast në favor të tyre përjashtoheshin nga pagesa, sipas udhëzimit të përbashkët të Ministrisë së Transporteve dhe asaj të Financave të datës 13.3.1972. Në qoftë se këto shërbime do t’u ishin faturuar përfituesve, parku do të realizonte 1,8 milionë lekë të ardhura. Theksojmë se 70 % e shpenzimeve të bëra u përket vetëm 5 pensionistëve. Instituti i Studimeve M-L i ka shkaktuar shtetit dëm ekonomik të rëndësishëm. Prodhimi dhe tregtimi i librave politikë, veçanërisht i literaturës me autor Enver Hoxhën është bërë me tirazh tepër të madh, që për vite me radhë ka krijuar stoqe, duke shpërdoruar punën, lëndën e parë, energjinë elektrike, kapacitetet prodhuese dhe vlera të tjera materiale, të ardhura nga importi. Me urdhër të këtij instituti, gjatë 3 vjetëve të fundit plani i titujve me autor Enver Hoxhën është tejkaluar 24 %, ndërsa titujve të tjerë: artistik, shkencor, historik etj. është realizuar në masën 90 për qind. Gjatë kësaj periudhe për literaturën e tij u harxhua 60 % e sasisë së letrës, e gjitha import dhe e cilësisë së lartë, me vleftë 4,1 milionë lekë, megjithëse përbënte vetëm 16 % të titujve të botuar në shtypshkronjë. Në vitet 1984-1990 për literaturën politike me autor Enver Hoxhën u kryen 35,9 milionë lekë shpenzime prodhimi dhe qarkulllmi, ku 28,5 milionë u përballuan nga të ardhurat e shtypshkronjës “8 Nëntori” dhe 7,4 milionë lekë nga Buxheti i Shtetit për humbjet e shkaktuara nga diferenca midis çmimeve dhe kostos së plotë. Në Ndërmarrjen e Shpërndarjes së Librit aktualisht ka 10 milionë lekë libra stoqe të krijuara prej vitesh. Më shumë se 70 % e tyre u përkasin veprave, broshurave, albumeve e librave të tjerë politikë të Enver Hoxhës, të Stalinit etj. \
Vetëm librat me autor Enver Hoxhën zënë 4,6 milionë lekë, kur vetëm albumi kushtuar atij është 371 mijë lekë. Krahas këtyre, literaturë politike sot ka edhe në libraritë e rretheve, që mendohet të jenë rreth 30 milionë lekë. Nga mosvënia në qarkullim dhe në kushte të përshtatshme të ruajtjes, Ndërmarrja e Shpërndarjes së Librit ka nxjerrë jashtë përdorimit 0,5 milionë lekë literaturë politike. Aktiviteti i eksportimit të librave, zhvilluar kryesisht mbi bazën e literaturës së Enver Hoxhës dhe të Partisë së Punës, është një factor tjetër negativ me efekte të ndjeshme në dëmin ekonomik të shkaktuar shtetit. Të ardhurat nga ky aktivitet për vitet 1986-1990 nuk përballojnë 3,1 milionë lekë shpenzime faktike të bëra për to, si paga, transporti, interesa bankarë, duke krijuar një humbje neto prej 0,6 milionë lekësh. Vetëm efekti i mbylljes së një mijë personave të huaj që merreshin me tregtimin e këtyre librave, si rezultat i mosrealizimit të pagesës së mëvonshme, është 682 lekë, ndërsa interesat bankarë për kreditë e vëna në dispozicion për mallrat stoqe të eksportit vetëm për 5 vjet arrin në 750 mijë lekë. Disproporcioni midis importit dhe eksportit të literaturës ka bërë që kjo veprimtari të rezultojë me një humbje prej 3,7 milionë lekësh valutë. Importimi i literaturës së huaj është bërë edhe për abonime personale, që në përgjithësi janë likuiduar prej tyre, por ka edhe raste që shtetit i është shkaktuar dëm ekonomik. Nexhmije Hoxha abonimet e vitit 1986, 1987, 1988, 1989 për 3 064 lekë nuk i ka paguar ende, ndërsa ato të vitit 1990 për 2 196 lekë janë likuiduar padrejtësisht nga Këshilli i Përgjithshëm i Frontit Demokratik të Shqipërisë. Muho Asllani në vitet 1987, 1988, 1989 është abonuar në revistën “Francë-futboll”, por likuidimi i shumës prej 2 612 lekësh është bërë padrejtësisht nga Komiteti i Partisë i Rrethit Durrës dhe Shkodër. Lenka Çuko, ashtu si Nexhmije Hoxha, ishte abonuar në literature jo të profilit të punës së saj. Për vitet 1989-1990 këto abonime kapin vleftën 1 684 lekë, shumë e cila nuk është paguar ende prej saj. Ndërmarrja e Shpërndarjes së Librit ishte kredituar nga banka me 20 milionë lekë kryesisht për literaturën stok pranë saj. Sigurisht që Instituti i Studimeve M-L, me zellin e tij tepër të madh, është shkaktari kryesor i dëmit ekonomik shkaktuar shtetit prej 15 milionë lekësh, nga të cilat 7,4 milionë lekë janë financim buxhetor, 7 milionë lekë stoqet e evidencuara dhe 0,6 milionë lekë interesat bankarë për këtë literaturë stok. Privilegje, përfitime dhe shpërdorime mbi masën e lejuar, qoftë edhe nga vendimi i paligjshëm i Byrosë Politike.
Së pari, jetohej në vila luksoze dhe të pajisura tej normativave të parashikuara në vetë vendimin e Byrosë Politike. Në përdorim të familjeve, të 82 vilat e banimit dhe të pushimit i kanë kushtuar shtetit 88 milionë lekë dhe pajisjet e brendshme 28 milionë lekë. Vetëm familja Hoxha ka pasur në dispozicion 2 vila banimi dhe 4 vila pushimi, me vleftë 26 milionë lekë dhe me pajisje me vleftë 10 milionë lekë. Ndërsa të tjerët nga një vilë për banim dhe nga një vilë për pushim, megjithëse vendimi nuk përcakton që të ketë vila pushimi personale. Vilat personale të Haki Toskës, Spiro Kolekës, Vito Kapos, Manush Myftiu, Lenka Çukos, Rita Markos, Hekuran Isait, Pali Miskës, Simon Stefanit, Hajredin Çelikut, Besnik Bekteshit etj., kushtojnë 1,2 milionë lekë, me sipërfaqe banimi të bollshme e që në kushtet tona në secilën prej tyre mund të strehoheshin 7 deri 8 familje. Për plotësimin e nevojave për banesa nuk ka pasur ndonjë kriter të veçantë, por në praktikë ishudhëheqësit kanë gjykuar e kërkuar vetë për shtesat në sipërfaqet e banimit. Praktikisht kërkesat e ishudhëheqësve për sipërfaqe banimi dhe fondi për investime për to janë paraqitur nëpërmjet Drejtorisë së Pritjes, Kryeministrit ose zëvendësit të tij, të cilët e kanë bërë pa hezitim miratimin e tyre. Nga të dhënat e periudhës 1980-1990 del se janë bërë shtesa në 17 banesa, janë rikonstrukturuar 3 banesa dhe janë ndërtuar 3 vila të reja pushimi në Durrës, të gjitha këto të pamotivuara, për nevojat e familjeve, duke shpenzuar për këtë qëllim mbi 8 milionë lekë. Kështu për banesën e Foto Çamit, megjithëse kishte nevojë vetëm për rikonstruksion çatie, në vitin 1988 u shpenzuan 657 mijë lekë, pasi iu shtuan 3 dhoma e 3 banjo, duke e çuar numrin e tyre në 11 dhoma dhe 5 banjo, kur përbërja familjare ishte vetëm 4 veta. Për banesën e Manush Myftiut, megjithëse kishte nevojë vetëm për rikonstruksionin e çatisë dhe veshjen e disa mjediseve dhe anekseve, në vitin 1988 u shpenzuan 400 mijë lekë, pasi u shtuan 4 dhoma dhe 3 banjo, duke e çuar numrin e tyre në 12 dhoma e 6 banjo, kur përbërja familjare ishte vetëm 6 veta. Në banesën e Lenka Çukos, në vitin 1986, kur filluan punimet për riparimin e çatisë, me kërkesën e saj u ndërhy edhe në strukturat e tjera ekzistuese të ndërtesës, si dhe u shtuan 4 dhoma e 2 banjo, duke e çuar numrin e tyre në 15 dhoma e 5 banjo. Në banesën e Besnik Bekteshit, megjithëse kishte 10 dhoma, në vitin 1986 shpenzohen 312 mijë lekë, duke shtuar edhe 3 dhoma të tjera dhe 3 banjo, kur përbërja familjare ishte vetëm 6 veta. Në banesën e Simon Stefanit, në vitin 1988 shpenzohen 626 mijë lekë për të shtuar 4 dhoma, megjithëse kishte 8 dhoma dhe përbërja familjare ishte vetëm 8 veta. Edhe në vilat e plazhit të Durrësit që shërbenin për pushime janë bërë shtesa të pamotivuara për nevojat e familjes. Kështu vilës së Pali Miskës me 4 dhoma, në vitin 1986 i shtohen 5 dhoma dhe 4 banjo, duke shpenzuar 400 mijë lekë. Vilës së Hekuran Isait me 7 dhoma, në vitin 1987 i shtohen 3 dhoma e 2 banjo. Vilës së Qirjako Mihalit me 5 dhoma, në vitin 1988 i shtohen 2 dhoma dhe 4 banjo të tjera. Vlen të theksohet se në vendimin e Byrosë Politike nr.39 nuk është përcaktuar që ishudhëheqësit të kenë vila personale për pushime. Në këtë akt thuhet shprehimisht: “Për kohën e pushimit këtyre (udhëheqësve) t’u sigurohen banesa sipas kërkesës në qendrat e caktuara për pushime”.
Në fakt në plazhin e Durrësit të gjithë ishudhëheqësit kanë pasur vila që përdoreshin vetëm prej tyre. Edhe udhëheqesve të rinj u janë ndërtuar vila të reja, siç është rasti i Llambi Gegpriftit, i cili edhe pse deri në vitin 1987 kishte në dispozicion një vilë, ndërton një vilë të re. Vila janë ndërtuar edhe për Pirro Kondin dhe Vangjel Çërravën. Vetëm në mjediset e banimit të familjes Hoxha, në pallatin kryesor të saj, ka 7,2 milionë lekë pajisje, ndër të cilat 262 kolltukë, kanape e divane, me një vleftë prej 430 mijë lekësh, 47 dollapë, me një vlerë prej 71 mijë lekësh, 556 ambazhurë, llampadarë e ndriçues, me vleftë 314 lekë, 28 frigoriferë me vleftë 133 mijë lekë, 29 televizorë e videokaseta me vleftë 178 mijë lekë, 19 magnetofonë e radio-magnetofonë me vleftë 73 mijë lekë, 65 biblioteka, dollape e dhoma gjumi me vleftë 448 mijë lekë, 200 qilima leshi me vleftë 233 mijë lekë, 3 747 metra katrorë sixhade e tapet me vleftë 900 mijë lekë e me radhë aparatura ngrohjeje, ftohjeje, pastrimi, kondicionerë, aparate fotografike dhe aparate të tjera me vlefta të konsiderueshme. Edhe vilat e familjeve të tjera ishin të mbingarkuara me pajisje, megjithëse edhe vetë vendimi i Byrosë Politike i vitit 1976 lejonte që shteti të përballojë shpenzime për pajisje, mobilje dhe orendi, si dhe për mirëmbajtjen e tyre vetëm për dhomat e punës, dhomat e pritjes dhe për dhomat e bukës, për një vleftë deri në 250 mijë lekë, pra jo për mjediset e tjera të fëmijëve, nipërve e kështu me radhë. Nga 25 milionë lekë që është vlefta e pajisjeve në vilat personale të banimit e të pushimit, sipas vendimit të mësipërm, u takojneë familjeve vetëm 6,5 milionë lekë ose vetëm një e katërta e asaj që është shpenzuar, pjesa tjetër prej 18,5 milionë lekësh janë shpenzime të tepërta për luks dhe të shpërdoruara për privilegje të tyre. Edhe po ta marrim si të mirëqenë këtë vendim të Byrosë Politike, amortizimi i pajisjeve mbi normat e lejuara për to përbën një dëm ekonomik dhe shpërdorim.
Nga amortizimi i tyre, i llogaritur për 3 vjetët e fundit, që zë shumën për 2,7 milionë lekë, në ngarkim të familjes Hoxha janë 1,4 milionë lekë, të familjes Alia 372 mijë lekë, të familjes Çarçani 105 mijë lekë, të familjes Isai 102 mijë lekë e kështu me radhë. Ka përfunduar inventarizimi fizik i pajisjeve të familjeve të përmendura. Me dorëzimin e vilave të banimit, disa persona i zhveshën e i dëmtuan ato duke marrë pjesët e instaluara. Kështu vlefta e demit nga familja Toska është 11 mijë lekë, nga familja Myftiu 5 300 lekë, nga familja Mihali 4 300 lekë, nga familja Murra 1 300 lekë. Gjithashtu rezultuan edhe 90 mijë lekë mungesa në pajisjet për përdorim në banesa, të cilat u zhdëmtuan ashtu si dhe dëmtimet e mësipërme. Krahas kësaj, me komision të posaçëm, u rivlerësuan pajisjet që u mbajtën nga vetë familjet dhe u arkëtuan prej tyre shumat përkatëse për 750 mijë lekë. Pjesa tjetër u grumbullua. Së treti, Drejtoria e Pritjes ka bërë shpërblime për raste fatkeqësish familjare më shumë sesa lejohet me vendimet përkatëse e që veprojnë njëlloj dhe për gjithë qytetarët e tjerë. Kështu në vend të 500 lekëve u janë dhënë: Foto Çamit 7 500 lekë, Llambi Gegpriftit 4 250 lekë dhe Besnik Bekteshit 900 lekë. Së katërti, për tri familjet kryesore janë shtruar privatisht në shtëpitë e tyre dreka e darka, pritje e përcjellje të vazhdueshme për miq e për shokë, që në vitet 1988-1990 i kanë kushtuar shtetit 435 mijë lekë. Konkretisht familja e Nexhmije Hoxhës ka shpenzuar 223 mijë lekë duke pritur e përcjellë 5 630 veta, pra më shumë se ç’ka qenë numri i njerëzve të pritur nga Presidenti dhe nga Kryeministri. Së pesti, janë bërë shpenzime të konsiderueshme në valutë për veshje luksoze dhe kozmetikë. Edhe pse nuk ka ndonjë vendim të veçantë për t’u trajtuar udhëheqja partiake dhe shtetërore, si dhe familjet e tyre me veshje apo kozmetikë importi, si dhe me veshje speciale të porositur në vend, çdo vit janë vënë në dispozicion shuma të mëdha në valutë dhe në lekë.
Me urdhër të ish-titullarëve të Ministrisë së Tregtisë së Jashtme, Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Bankës së Shtetit nëpërmjet Industrial-Impeksit për vitet 1988-1990 u janë dhënë ambasadave në Romë, në Vjenë dhe në Paris 457 mijë dollarë për blerje privatisht me dollarë në dorë në dyqanet speciale dhe të modës mallra, si veshmbathje, kozmetikë, pajisje gjuetie, elektroshtëpiake apo ushqimore. Theksojmë se fondet e dhëna nga Drejtoria e Pritjes dhe të përdorura nga Industrial-Impeksi nëpërmjet edhe ambasadave kanë qenë jashtë kontrollit. Në disa raste mallrat jashtë shtetit janë blerë nga vetë përdoruesit dhe pagesa e vleftës së tyre është bërë me vonesë nga një deri në tre vjet. Kështu familja Hoxha në vitin 1988 ka marrë 3 300 dollarë dhe pagesa e vleftës së mallrave të blera me to është bërë në qershor të vitit 1991. Po kështu ka vepruar familja Çarçani për 1 500 dollarë dhe e Qirjako Mihalit për 1 000 dollarë. Në këto ambasada nuk justifikohën sot 91 mijë dollarë. Kjo diferencë dhe të tjera mund të argumentohen nëse janë shpërdorime, abuzime apo shpenzime të padokumentuara vetëm pasi të kryhet kontrolli në vend. Blerja e veshjeve dhe e artikujve të kozmetikës është bërë me çmime të larta në valutë, ndërsa vlerësimi për pagesë nga ana e perfituesve është bërë me lekë vendi dhe me çmime tepër të ulëta.
Ka perfituar më shumë nga diferenca midis valutës së harxhuar dhe çmimit të paguar familja Alia për 174 mijë lekë, familja Hoxha për 84 mijë lekë, Pirro Kondi për 13 700 lekë, Adil Çarçani për 25 200 lekë, Qirjako Mihali për 5 500 lekë, Llambi Gegprifti për 3 300 lekë. Së gjashti, Drejtoria e Pritjes ka trajtuar me dhurata me vlera të konsiderueshme, krahas delegacioneve të ndryshme qeveritare e partiake, edhe miqtë personalë dhe të ftuar të këtyre familjeve. Po kështu u janë dhënë dhurata personale miqve të tyre jashtë shtetit dhe personaliteteve të larta partiake e shtetërore. Shuma e dhuratave të dhëna për vitet 1987 -qershor 1991 arrin në 301 mijë lekë, nga të cilat delegacioneve shtetërore u janë dhënë dhurata me vleftë 160 mijë lekë, ndërsa miqve private 141 mijë lekë. Për mjekimet që janë bërë në Francë, u janë bërë dhurata personale mjekëve të huaj. Nga familja Hoxha janë bërë 26 mijë lekë dhurata, nga familja Alia 24 mijë lekë, nga familja Çarçani 52 mijë lekë, nga familja Myftiu 15 mijë lekë, nga familja Çërrava 2 600 lekë, nga familja Mihali 2 400 lekë, nga familja Marko 4 400 lekë dhe nga familja Çami 2 600 lekë. Shumat e mësipërme përbëjnë shpërdorime. Të nderuar deputetë, këto ishin në përgjithësi disa nga të dhënat dhe nga konkluzionet e kontrollit të ushtruar deri tani. Materiale më të plota janë dorëzuar në hetuesi me rastin e denoncimit të personave përgjegjës nga ana e Ministrisë së Financave dhe e Komisionit të Kontrollit të Shtetit. Qeveria mbetet në besimin se organet e hetuesisë e të gjykatës do ta hetojnë çështjen deri në fund dhe pa hezitim dhe do të gjykojnë drejt e me vendosmëri si në përcaktimin e përgjegjësisë ligjore të këtyre personave, ashtu edhe të masës së shpërdorimit dhe shumave të përfituara padrejtësisht, duke caktuar dhe masën e dëmit që duhet të shpërblehet prej tyre.
(Pjesë nga raporti i prezantuar nga Genc Ruli, Ministër i Financave në seancën plenare të 27 korrikut të 1991).