Steinmeier, “kundërpesha” e Trump
I përshkruar nga Kancelarja Angela Merkel si një politikan i qendrës, Frank-Walter Steinmeier ka qenë një diplomat natyral në rolin e ministrit të jashtëm të Gjermanisë. Por a do të mundet përkushtimi i tij në proceset demokratike të ndalojë përhapjen e populizmit?
Ndryshe nga presidenti i sapozgjedhur i SHBA, Frank-Walter Steinmeier nuk do të shpërndajë në Twitter çdo mendim të tijin pasi të marrë detyrën kryesisht simbolike që ka presidenti në Gjermani.
Një social-demokrat i regjur, Steinmeier nuk ka patur ndonjëherë llogari në Twitter dhe nuk është lloji i politikanit që formulon politikat e tij në 140 karaktere.
“Do të doja që si president federal të bëja diçka si kundërpeshë e tendencës për të thjeshtëzuar çdo gjë”, tha 61-vjeçari pas zgjedhjes së tij të dielën.
Zgjedhja nga Konventa Federale e kushtetuar specifikisht, që përfshin anëtarë nga dhoma më e ulët, Bundestagu dhe përfaqësues nga 16 landet, është thjesht një formalitet. Ai pritet të marrë detyrën në 19 mars.
Steinmeier është përkrahur nga partitë kryesore dhe nga Kancelarja Merkel, liderja e konservatorëve të CDU.
Gjatë një turi përmes Gjermanisë, për të promovuar kandidaturën e tij, ish-ministri i jashtëm vuri theksin tek respekti i përbashkët, forcimi i demokracisë, zgjerimi i pikëpamjeve, toleranca dhe solidariteti, si idetë kryesore që do të udhëheqin presidencën e tij.
Kontrasti me Trump-in dhe populistët europianë, nga le Pen në Francë tek Viktor Orban në Hungari dhe Geert Wilders në Hollandë, ishte i qëllimtë.
“Zhurma që ata bëjnë nuk ka të bëjë asgjë me forcën që ata kërkojnë”, është shprehur Steinmeier.
Steinmeier mund të ndërrojë zyrat, por nuk do të ketë nevojë të ndërrojë stilin, i cili gjithmonë ka qenë i orientuar drejt unifikimit, një cilësi kyçe e nevojitur gjatë presidencës gjermane.
Shumë pak politikanë kanë fituar atë lloj respekti ndërpartiak. Ai gjithashtu është votuar rregullisht si politikani më popullor nga sondazhet në Gjermani.
Këto aspekte do të jenë të vlefshme në postin e tij të ri, të cilin ai do ta mbajë për pesë vjet, me mundësinë për të shërbyer në dy mandate.
Demokracia është qendra e botëkuptimit të Steinmeier-it. “Çfarë është ngjitësi që e mban shoqërinë sëbashku, duke kapërcyer të gjitha ndarjet? Kjo është pyetja thelbësore për demokracinë”, thotë ai.
“Do të doja të rrënjosja kurajo, pasi jam fortësisht i bindur se demokracia nuk do të tolerojë heqjen dorë”, thotë Steinmeier.
Pas shtatë vitesh si ministër i jashtëm, Steinmeier është larguar me keqardhje nga detyra, një ndjenjë që e ndajnë shumë veta në ministri, të cilët e konsideronin atë si kryediplomatin e përkryer.
Duke qenë se Ministria e Jashtme kujdeset për protokollin e presidentit kur udhëton jashtë vendit, Steinmeier u shpreh i lumtur se do të qëndrojë i lidhur me Ministrinë e Jashtme, nëse zgjidhet nga Konventa Federale.
Karrierën e nisi si këshilltar ligjor në landin e Sachsen-it, në vitin 1991. Më pas ai pati një sërë pozitash të larta, përfshirë këtu zëvendëskancelarin dhe shefin e stafin për kancelarin gjerman social demokrat, Gerhard Schroeder në vitin 1999.
Si një reformator, ai e ndihmoi udhëheqjen e Schroederit drejt shtetit të mirëqenies sociale.
Zgjedhjet e 2005-ës e sollën Merkelin në pushtet dhe si pjesë e koalicionit, Steinmeier u caktua si ministër i jashtëm.
Katër vite më vonë, ai kandidoi pa sukses ndaj Angela Merkel dhe u rikthye në stolat e opozitës si kryetar i grupit politik parlamentar. Në 2013-ën, Steinmeier u rikthye në detyrën e ministrit të jashtëm, si pjesë e koalicionit të tretë të Merkel.
I biri i një marangozi, Steinmeier studioi në Universitetin e Giessen-it për ligj dhe politikë. Ai është i martuar me Elke Buedenbender, gjykatëse dhe së bashku kanë një vajzë të rritur. Në 2010, ai iu largua disa javë nga politika për t’i dhuruar një veshkë gruas së tij.