Çështja Flynn trondit Uashingtonin
Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se Presidenti Donald Trump e shkarkoi këshilltarin e tij të sigurisë kombëtare Michael Flynn për shkak se kishte humbur besimin tek ai dhe jo për ndonjë shqetësim ligjor.
Sekretari i shtypit Sean Spicer tha se “rënia e këtij besimi” lidhur me telefonatat e zotit Flynn me ambasadorin rus në SHBA, “arriti një masë kritike dhe një situatë që nuk mund të vazhdonte më”.
Shkarkimi i zotit Flynn me sa duket erdhi më tepër nga ideja se ai nuk i kishte treguar të vërtetën zëvendëspresidentit Mike Pence dhe zyrtarëve të tjerë, sesa nga përmbajtja e bisedimeve të tij me ambasadorin e Rusisë. Megjithatë, kjo çështje i ka shtuar pikëpyetjet rreth qëndrimeve miqësore të Presidentit Trump ndaj Rusisë.
Dorëheqja e zotit Flynn erdhi pas njoftimeve se Departamenti i Drejtësisë disa javë më parë kishte dhënë alarmin pranë Shtëpisë së Bardhë se kishte patur mospërputhje mes deklaratave publike të zyrtarëve të administratës Trump dhe informacioneve të agjencive të zbulimit rreth kontakteve të zotit Flynn me Rusinë. Zyrtarët e zbulimit i kishin marrë informacionet e tyre nga regjistrimet rutinë të komunikimeve me zyrtarët e huaj në Shtetet e Bashkuara
Zoti Spicer tha se zyra e avokatit të Shtëpisë së Bardhë kishte shqyrtuar situatën pasi u vu në dijeni nga Departamenti i Drejtësisë, dhe së bashku me presidentin, avokati konstatoi se fjala nuk ishte për një problem ligjor.
Sekretari i Shtypit nuk pranoi të komentojë nëse dikush në Shtëpinë e Bardhë kishte lexuar transkriptet e telefonatave mes zotit Flynn dhe ambasadorit.
NJË TJETËR GODITJE PËR ADMINISTRATËN
Largimi i zotit Flynn ishte një tjetër goditje për administratën, e cila tashmë ka pësuar një disfatë ligjore për çështjen e emigracionit.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë nuk kanë thënë se kur u njoftua Presidenti Trump për paralajmërimin e Departamentit të Drejtësisë, ose përse zoti Flynn ishte lejuar të qëndronte në postin e tij, ku kishte qasje të plotë në materialet e zbulimit.
Senatori republikan Lindsey Graham, kritik i vjetër i Rusisë, tha se Kongresi duhet të dijë se çfarë bisedoi zoti Flynn me ambasadorin rus dhe pse.
“Ideja nëse ai e bëri këtë me kokë të tij pa u udhëzuar nga dikush, është një pyetje që duhet bërë,” tha senatori Graham.
I pyetur nëse presidenti kishte dijeni se zoti Flynn mund të kishte në plan të diskutonte mbi sanksionet me ambasadorin rus, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer tha: “Jo, absolutisht jo.”
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan tha se Presidenti Trump veproi drejt duke i kërkuar zotit Flynn dorëheqjen.
Flynn ishte mbështetës besnik i zotit Trump gjatë gjithë fushatës, por lidhjet e tij me Rusinë shkaktuan shqetësim mes bashkëpunëtorëve të tjerë të lartë.
Gjenerali Keith Kellog është emëruar për të shërbyer si këshilltar në detyrë i sigurisë kombëtare.
Flynn fillimisht u tha këshilltarëve të zotit Trump se me ambasadorin rus nuk kishte diskutuar për sanksionet. Nënpresidenti Mike Pence, me sa duket nisur nga informacionet e marra nga Flynn, dha garanci publike për këshilltarin e sigurisë kombëtare.
Flynn më pas u tha zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë se ai mund të kishte diskutuar mbi sanksionet me ambasadorin, por nuk i kujtohej.
Më pas u bë e qartë se Departamenti i Drejtësisë e kishte paralajmëruar administratën Trump për kontaktet e zotit Michael Flynn me Rusinë.
Një zyrtar i administratës tha se Shtëpia e Bardhë prej javësh kishte qenë në dijeni të paralajmërimit të Departamentit të Drejtësisë.
PRESIDENTI, NËNPRESIDENTI DHE ÇËSHTJA FLYNN
Çështja Flynn mori vëmendje edhe gjatë takimit të presidentit Trump me kryeministrin kanadaz, por ai dukshëm e kishte humbur kredibilitetin, gjë që u pa kur presidenti refuzoi t’i përgjigjet pyetjes së gazetarit nëse kishte besim tek zoti Flynn.
“A keni besim tek Michael Flynn zoti President?”, pyet gazetari.
Në letrën e tij të dorëheqjes zoti Flynn e bënte të qartë se largohej pasi kishte keqinformuar nën presidentin Mike Pence dhe zyrtarë të tjerë lidhur me përmbatjen e bisedave të zhvilluara dhjetorin e kaluar me ambasadorin rus.
“Pa dashje kam informuar nën presidentin e zgjedhur dhe të tjerë“, shkruan zoti Flynn, “me të dhëna jo të plota, në lidhje me telefonatat e mia me ambasadorin rus“.
Këtë informacion të pasaktë nën presidenti Pence e përsëriti gjatë një interviste në një television kombëtar para disa ditësh.
“Çfarë mund të konfirmoj, pasi kam biseduar me zotin Flynn për këtë, është se ato biseda që janë zhvilluar në kohën kur Shtetet e Bashkuara ndërmorën veprime për të dëbuar diplomatët rusë, nuk kanë të bëjnë me sanksionet”.
Por kjo rezultoi jo e vërtetë.
Departamenti i Drejtësisë u vu në dijeni të gënjeshtrës së zotit Flynn gjatë përgjimit rutinë të telefonit të ambasadorit rus dhe njoftoi për këtë javë më parë Shtëpinë e Bardhë.
Por vetëm të premten e kaluar zoti Flynn i kërkoi falje personalisht nënpresidentit.
Dorëheqja vjen në një kohë kritike për presidentin Trump, pas një testi me raketa balistike gjatë fundjavës nga Koreja e Veriut, tensionit në rritje me Iranin dhe një vizite kyç të mërkurën të kryeministrit izraelit Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë.
Për momentin, gjenerali në pension Keith Kellogg, që ka shërbyer si shef i stafit të zotit Flynn, do të mbajë detyrën e këshilltarit të përkohshëm të sigurisë.
Për zëvendësim të përhershëm po shqyrtohen kandidaturat e gjeneralit në pension David Petraeus dhe nën admiralit në pension Robert Harward dikur pjesë e forcave special “Seal”. Gjeneral Petraus pritej të vizitonte Shtëpinë e Bardhë të martën.
KOMENTON KREMLINI: DORËHEQJA NUK ËSHTË PUNA JONË
Një zëdhënës i Kremlinit tha se dorëheqja e këshilltarit të presidentit Trump për sigurinë kombëtare Michael Flynn, është çështje e brendshme e Shteteve të Bashkuara.
Në komentet e bëra sot paradite për gazetarët Dmitri Peskov tha se kjo “nuk është çështje e jona, është çështje e brendshme e SHBA”.
Ai kishte thënë më parë se Flynn dhe ambasadori rus në Uashington nuk kishin diskutuar mbi heqjen e sanksioneve në bisedat mes tyre. Peskov nuk pranoi të japë hollësi mbi komentet e bëra më parë.
Por disa ligjvënës rusë thanë se largimi i shpejtë i gjeneralit Flynn përbën një sulm ndaj përpjekjeve për të përmirësuar marrëdhëniet mes Moskës dhe Uashingtonit.