GJURMIMI I BIBLIOTEKËS SË KONICËS
Agron Alibali, LL.M. [1]/*
Ne Foto: Studiuesi Agron Alibali duke i dhuruar dr. Gjon Bucaj per Biblioteken e Vatres, librin e tij”Dritehijet e nje Diplomati”, fitues i cmimit”Konica” ne konkursin”2016- Viti i Faik Konices”/Biblioteka e Faik Konicës (BFK) është ndër vlerat e çmuara të trashëgimisë kombëtare që ende konsiderohet e humbur. Megjithatë, falë përpjekjeve të kohëve të fundit, janë zbuluar një sasi e konsiderueshme librash, të cilët iu besuan me 16 nëntor 2016 Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë (BKSH). Ndryshe nga biblioteka të tjera të pasura private të personaliteteve shqiptare, që për arsye të ndryshme kanë humbur, biblioteka e Faik Konicës paraqet vlerë të veçantë edhe për faktin se është ndërtuar dhe pasuruar jashtë kufinjve të Shqipërisë.
- Përbërja – Nga të dhënat e deritanishme mund të themi se BFK ishte ndër bibliotekat më të pasura private të ndonjë personaliteti shqiptar brenda dhe jashtë shtetit. Ajo, madje mbahej si një ndër më të çmuarat edhe nga personalitete amerikane që e njihnin Konicën personalisht, dhe që e kishin vizituar atë.[2]
Konica mbahej si bibliofil i mirëfilltë, që e dashuronte librin. Ai u miqësua me librin qysh në moshë të njomë, dhe filloi të ndërtojë bibliotekën e tij kur ishte me studime në Francë dhe mandej si botues dhe redaktor përgjegjës i revistës “Albania”. Lëvizjet e shumta në dy kontinente, Lufta Botërore, ngulja përfundimtare në Amerikë, duhet ta kenë vështirësuar përpjekjen e Konicës për ruajtjen, pasurimin dhe bartjen e bibliotekës së tij. Megjithatë, pikërisht këto itinerare të pashtershme, ku ai u zgjeroi më tej rrethin e dijes, njohurive dhe të njohurve, si dhe të interesave të tij të larmishme, e shtojnë edhe më shumë vlerën e librave, që u bënë shoqëruesit e shokët më të mirë të tij.
Përbërja lëndore e BFK-së përfshin libra në gjuhë të ndryshme, në fushën e letërsisë, historisë, gjuhësisë, filozofisë, diplomacisë, jurisprudencës etj. Librat janë shumë të çmuar. Si shembull përmendim se, në pjesën e gjetur kohët e fundit është edhe një libër i autorit arbëror Nikollë Leonik Tomeut, i vitit 1532.
Sa i takon përbërjes sasiore të BFK-së, të dhënat janë deri diku të papajtueshme. Peter Tyko dhe Vasil Pani, përfaqësues të Vatrës që numëruan të parët librat e BFK-së në Uashington pas vdekjes së Konicës në fund të vitit 1942 patën deklaruar se sasia ishte përmbi 3000 blenj.[3] Pas sjelljes së tyre nga kryeqyteti amerikan dhe vendosjes në Kishën Ortodokse Shqiptare të Shën Gjergjit në South Boston në vitin 1954, numri i raportuar në Dielli jepet si 1929 libra.[4] Deri me 11 shkurt 2017 janë gjetur 280 libra të BFK-s. BKSH-së i janë kthyer 279. Mbeten ende pa u gjetur dhe kthyer edhe 1649 libra të tjerë…
- 2. Çështja e lënies trashëgim tek BKSH – Dëshira e Konicës që biblioteka e tij e pasur t’i besohej pas vdekjes BKSH-së është e vërtetuar plotësisht dhe në mënyrë të pakontestueshme. Kjo provohet nga dëshmitë e Charlotte Graham, sekretare e Konicës deri kur ai vdiq,[5] dhe u konformua më tej nga Fan S. Noli. Për ruajtjen e saj dhe përmbushjen e dëshirës së Konicës kontribuan dhjetra antarë të Vatrës nga e gjithë Amerika, emrat e të cilëve u botuan në një numër të posaçëm të Diellit në vitin 1943.[6] Kontribut të veçantë dha “shoku i tij i armëve”, Fan S. Noli. Për arsye objektive amaneti i Konicës mbeti i panjëmendësuar për një kohë shumë të gjatë. Pesha e pamëshirshme e kohës, ndryshimi i brezave brenda komunitetit shqiptaro-amerikan, si dhe faktorë të tjerë sollën si pasojë humbjen e gjurmëve të kësaj pasurie me vlera të jashtëzakonshme. Gjetjet e fundit, dhe aktet përkatëse të kthimit dhe besimit të librave tek BKSH konfirmojnë më tej amanetin e Konicës dhe mishërojnë realizimin praktik të tij.
- Si dhe ku u gjet pjesa e njohur e BFK-së: Hollësirat për gjetjet historike të BFK-së jepen në librin “Faik Konica – dritëhijet e një diplomati”.[7] Këtu mund të përmendim se gjetjet janë si më poshtë:
- Libri i parë: Storia e Letteratura del Popolo Albanese, nga Gaetano Petrotta – u gjend në zyrat dhe bibliotekën e Vatrës në NYC në vitin 2004;
- Tre libra të tjerë u gjendën tek sendet e Sarah Panarity-t në rrethet e Bostonit në vitin 2006;
- 272 libra të tjerë u gjetën në pranverën e vitit 2016, të ruajtura me përkushtim nën kujdestarinë e familjes së ish-Kryetarit të Vatrës dhe udhëheqësit legjendar të komunitetit shqiptaro-amerikan, z. Andon Athanas.
- Sikurse përmendëm, nga 1929 libra të ruajtur fillimisht në Kishën e Shën Gjergjit në mesin e viteve 1950 sot janë gjetur gjithsejt 280 blenj.[8] Përveç librit të fundit, të gjetur në zyrat e Vatrës me 11 shkurt 2017 me rastin e aktivitetit për 100 vjetorin e Musine Kokalatrit, të gjithë librat e gjetur deri tani tashmë janë kthyer në BKSH, duke vënë në jetë amanetin e Faik Konicës. Autori gjen rastin të vlerësojë kontributin e veçantë dhe të pazëvendësueshëm të BKSH-së në përmbushjen me sukses të këtij projekti madhor e me përmasa historlke për kulturën kombëtare mbarëshqiptare.
- Ku mund të ndodhet pjesa tjetër e BFK-së, e përbërë prej 1649 librash?: Nga gjetjet e deritanishme mund të arrihet në përfundimin se BFK ka qenë në masë dërrmuese në rrethet e Bostonit deri të paktën mesin e viteve 1990. Po ashtu, me probabilitet të lartë mund të konkludohet që librat të kenë qenë në ruajtje, përdorim apo administrim të këtyre tre palëve:
- Kisha e Shën Gjergjit – kjo vërtetohet nga fakti që librat u vendosën fillimisht në mjediset e kësaj kishe kur u tranportuan nga Uashingtoni, si dhe nga fakti tjetër që, pikërisht në Kishën e Shën Gjergjit u ndodh edhe shtampa e famshme EX LIBRIS F.K, me të cilën Konica përgatiste etiketat që i ngjiste në kapakun e brendshëm të librave[9];
- Qerim Panariti – kjo vërtetohet nga gjetja e tre librave të Konicës në sendet e fundit të Sarah Panaritit, të shoqes së Qerimit, libra që iu kthyen BKSH-së në 13 janar 2016;
- Familja e Andon Athanasit – Kjo konfirmohet nga libri i parë dhe i fundit, të gjetur në zyrat e Vatrës në Nju Jork përkatësisht më 2004 dhe 2017, në pjesën e materialeve dhe arkivave të Vatrës që ishin ruajtur prej shumë vitesh në magazinat e Athanasit në rrethet e Bostonit. Kjo vërtetohet më tej, madje katërcipërisht, nga fakti se gjetja e fundit e rëndësishme e BFK-së prej 272 librash është nga biblioteka e familjes së Andon Athanasit.
- Përfundime:Duhet theksuar se në pjesën e gjetur deri tani janë në gjuhën shqip vetëm 3 libra. Duke supozuar me njëfarë sigurie se Konica do të ketë pasur një numër të konsiderueshëm librash të çmuar në shqip, mungesa e tyre nënkupton një trajtim deri diku sistematik të pjesës ende të pagjetur deri tani.
Duhet mbajtur parasysh, po ashtu, se ka të dhëna të tërthorta dhe të pakonfirmuara se një sasi librash nga BFK mund t’i janë dhuruar bibliotekave të Universitetit të Çikagos dhe të Universitetit të Harvardit.
Duke u nisur nga rrethanat e adresës së fundit të librave të gjetur mund të konkludohet se edhe pjesa tjetër, ende e humbur, e BFK-së, nuk mund të ndodhet larg vendit e mjedisit të lidhur me aktorët e mësipërm.
Në bashkëpunim të ngushtë me Federatën Pan-shqiptare Vatra dhe komunitetin shqiptaro-amerikan, qeveria shqiptare mundësoi në vitin 1995 kthimin në atdhe të eshtrave të Faik Konicës. Dy dekada më vonë, bashkëpunimi midis komunitetit shqiptaro-amerikan dhe institucioneve të shtetit shqiptare mundësoi gjurmimin e kthimin në atdhe të një pjese të bibliotekës së humbur të Faik Konicës, duke nderuar edhe kujtimin e Fan S. Nolit si dhe kontributin e dhjetra antarëve të Vatrës, që dhanë kursimet e tyre për ruajtjen dhe shpëtimin e BFK-së.
Le të shpresojmë se, ashtu sikurse eshtrat e Faikut të madh u kthyen të plota në atdhe, edhe biblioteka e tij të mos mbetet e gjymtuar, por të gjurmohet dhe kthehet një ditë e plotë në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, duke përmbushur më në fund amanetin, ende të patretur, të këtij rilindësi të shquar të kombit dhe shtetit shqiptar.
Agron Alibali, LL.M.
*[1] Autori është Senior Fellow në Universitetin e Massachusett-it në Boston. Kumtesa u paraqit në Seminarin e Vatrës për vitin përkujtimor për Faik Konicën – NYC, 26 nëntor 2016. Në pamundësi të pranisë së autorit, kumtesa u lexua nga zv. Kryetari i Vatrës, z. Asllam Bushati.
[2]…Father Cartwright, of the Immaculate Conception Church in Washington, who was a great friend of Mr. Konitza, knows something of the value of the library…” Charlotte Graham, [Faik Konitza, Selected Correspondence, Ed. B. Destani,, London, p. 139.
[3] Peter Tyko, Libraria e Faik Konitzës, Dielli, 1943.
[4] “Librat e F. Konicës. Librat e të ndjerit Faik Konica, rreth 1929 blej të fushave të ndryshme, u vunë në kuti metalike dhe ruhen në Katedralen e Shën Gjergjit”. Dielli, vëll. 45, nr. 49, Boston, MA, 19 January 1955, 45th Year, Front Page.
[5] “…many times Mr. Konitza told me that he wanted [the books] to be part of the Albanian National Library…” Charlotte Graham, [Faik Konitza, Selected Correspondence, Ed. B. Destani,, London, p. 139.
[6] Dielli, Numër i Posaçëm, Nr. 5571, Boston, Mass, June 19, 1943, Vol. XXXVI, 36th Year, tashmë është në koleksionin e BKSH-sê
[7] Agron Alibali, “Faik Konica – Dritëhijet e një diplomati”, Argeta, Tiranë, 2016.
[8] Tre libra tjerë u identifikuan në bibliotekën personale të të nënshkruarit në qershor 2017, të dhuruar në gjallje nga z. Athanas, kurse libri i fundit u gjend në zyrën e Vatrës me 11 shkurt 2017 dhe titullohetThe Saga of Coffee, the Biography of an Economic Product, by Heinrich Eduard Jacob, London, George Allen & Unwin, Ltd, 1935.
[9] Shtampa EX LIBRIS F.K prej aliazhi metalik iu kthye BKSH-së në shtator 2016.
*Kumtesa e mbajtur ne Simpoziumin shkencor organizuar nga Vatra me 26 Nentor 2016 me rastin e mbylljes te veprimtarive”2016-Viti i Konices”.