Grekët refuzojnë “poshtërimin”;jo 56 mln eurove nga Gucci për sfilatë në Akropoli
Athina ka refuzuar 56 milionë euro nga Gucci, që i ka ofruar këto para për të zhvilluar një sfilatë në Akropoli. Shtëpia fiorentine e modës kishte ofruar 1 milionë euro për 15 minuta sfilatë, plus 55 milionë për të drejtat televizive. Por, komisioni arkeologjik nuk është lëkundur. “Akropoli nuk është për sfilata.
Vlera dhe karakteri i Akropolit nuk pajtohen me një eveniment të këtij lloji”-thuhet në përgjigjen e Komisionit. Në të 7-tin vit të një krize ekonomike që ka eliminuar 25% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, Athina i thotë jo 56 milionë eurove për një sfilatë mode që do të zgjaste jo më shumë se 15 minuta. Madje në përgjigjen e komisionit arkeologjik nuk mungojnë as dozat e arrogancës.
” Nuk kemi nevojë për publicitet”-deklaroi drejtori i tempullit antik. Në vitin e largët 1951, Christian Dior i`a kishte dalë të përdorte tempullin si sfond për një sfilatë mode, por sot kohët kanë ndryshuar. Për Akropolin duket se fanatizmi i grekëve nuk ka kufi.
Kathimerini madje shkruan se, shfrytëzimi i Akropolit për një sfilatë mode do të ishte një poshtërim. Pavarësisht se kanë humbur 56 milionë euro në këto kohë të vështira, grekët kanë fituar respektin, pasi treguan se monumentet arkeologjike as nuk shiten e as nuk mund të jepen me qira.